OBSH bën thirrje për shtyrjen e dozës së tretë të vaksinës

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u bëri thirrje vendeve që të vonojnë administrimin e injeksioneve përforcuese për të paktën dy muaj, për t’u dhënë kohë vendeve me doza të pakëta të vaksinave që të sigurojnë më shumë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u tha gazetarëve gjatë një vizite në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, se përparësi duhet t’i jepet rritjes së normave të vaksinimit në vendet ku vetëm 1% ose 2% e popullsisë është vaksinuar. Zoti Ghebreyesus gjithashtu vuri në dyshim dobinë e vaksinave përforcuese, duke thënë se “ekziston një debat nëse vaksinat përforcuese kanë ndonjë efektshmëri”. Hungaria u bë vendi i parë në Bashkimin Evropian që ofroi vaksina përforcuese dhe iu bashkua një numri në rritje të vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, që kanë filluar të ofrojnë ose po planifikojnë të ofrojnë doza të treta për popullsinë e tyre.

OBSH-ja tha javën e kaluar se nuk beson se të dhënat aktuale mbështesin nevojën për doza përforcuese ndaj COVID-19.

Në Shtetet e Bashkuara, më shumë rajone dhe organizata thanë të hënën se do të kërkojnë dëshmi të vaksinimit, pas njoftimit se vaksina e koronavirusit e kompanisë Pfizer mori miratimin e plotë të qeverisë federale.

Zyrtarët e Luizianës thanë se nëpunësve civilë do t’u kërkohej të vaksinoheshin ose të përballeshin me testime të rregullta, ndërsa universitetet në këtë shtet thanë se do të fillonin të urdhëronin vaksinimet për studentët.

Pentagoni tha të hënën se po përgatitet të lëshojë udhëzime për të kërkuar vaksinimin, tani që vaksina Pfizer është miratuar plotësisht. Departamenti i Mbrojtjes kishte thënë më parë se vaksinat do të ishin të detyrueshme deri në mes të shtatorit ose menjëherë pas miratimit nga FDA-ja (Administrata e Ushqimit dhe Barnave).

Zyrtarët e qytetit të Nju Jorkut thanë të hënën se i gjithë stafi i shkollave publike, përfshirë mësuesit, duhet të vaksinohen dhe se nuk do të kenë më mundësi që t’i nënshtrohen testimit javor për koronavirusin, në vend që të vaksinohen./VOA/

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet