Vazhdon situata e brishtë në Kosovë/ Nuk do të ketë lehtësim të masave as pas 13 shtatorit

Deri më 13 shtator në Kosovë janë në fuqi masat aktuale për mbrojtje nga përhapja e COVID-19. Mirëpo, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka paralajmëruar sot se nuk do të ketë lehtësim të masave. Sipas tij, deri në përmirësim të situatës epidemiologjike nuk do të ketë lehtësim të masave.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se nuk do të ketë lehtësim të masave anti-Covid në Kosovë. Ai ka thënë se nuk do të ketë lirim të masave në një situatë të brishtë epidemiologjike në të cilën ndodhet vendi. “Nuk do të ketë lirim të masave në asnjë mënyrë derisa kemi një situatë të brishtë”, tha Vitia.

Pas 13 shtatorit, sipas Vitisë, administrata shtetërore dhe shërbyesit civilë duhet të paraqesin test negativ PCR ose serologjik në mënyrë që të mund të hyjnë në vendet e punës. Ai shtoi se testimi i punonjësve publikë është i pamundur që të bëhet në institucionet publike, por teste të tilla mund të bëhen në laboratore të ndryshme, që ofrojnë këto shërbime. Vitia ka treguar se sot do të takohet me Komitetin për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me COVID-19 ku do të diskutohet për masat.

“Më 13 shtator është afati i cili e kemi përcaktuar për masa në vendimin e fundit të qeverisë kur janë marrë këto masa, natyrisht në këtë kuadër dje dhe pardje kam pasur takime të shumta edhe me ministritë e linjës duke përfshirë në veçanti, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe sot kemi edhe takimin e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës me COVID-19 ku do të diskutohen këto çështje në raport me masat. Sipas situatës epidemiologjike momentale, nuk pritet që do të ketë lehtësim të masave, mirëpo natyrisht kjo do të jetë një përfundim pas takimit me Komitetin  dhe natyrisht pas këtij takimi me ekspertët e fushës dhe rekomandimet e IKSHPK. Nuk do të ketë lirim të masave në asnjë mënyrë derisa të kemi një situatë të brishtë”, ka theksuar ai.

Përndryshe, Vitia ka thënë se kanë hartuar planin për ngritjen e kapaciteteve shtesë spitalore dhe fushore në rast të emergjencave shëndetësore. Megjithëse ai ka thënë se bazuar në situatën e krijuar ditëve të fundit besojnë se një gjë e tillë nuk do të jetë e nevojshme.

“Duke i pasur parasysh rrethanat kemi hartuar planin për ngritje të kapaciteteve shtesë spitalore dhe fushore, nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme në bashkëpunim me shërbimet tjera që të inkuadrohen në rast të emergjencave shëndetësore, pavarësisht se bazuar në ditët e fundit besojmë thellë se kjo nuk do të jetë as e nevojshme”.

Viti i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen, duke thënë se aktualisht në stoqe janë mbi 600 mijë vaksina të sigurta.

“Muaji gusht ishte një muaj i mirë në zbatimin e planit të veprimit për vaksinim në masë, meqë janë administruar mbi 410 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19. Projeksionet tona janë që ky muaj do të jetë edhe më efektiv në fushatën e vaksinimit, duke qenë se kemi siguruar stok të qëndrueshëm me vaksina përmes kontratës tonë me Pfizer dhe kontributit të donatorëve siç ishte rasti i fundit me SHBA-të që gjatë kësaj jave përmes mekanizmit COVAX siguruam kontigjentin me 500 mijë vaksina”.

Ai thotë se në bazë të analizave të IKSHPK-së do të jetë e nevojshme vaksina e tretë për çka kanë filluar edhe negocimin për blerjen e 1 milion vaksinave të tjera. “Në bazë të analizave të IKSHPK-së në vend do të jetë e nevojshëm vaksina e tretë, ne kemi filluar negocimin edhe për blerjen e 1 milion vaksinave tjera”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri më 6 shtator, 17 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19. Ndërkaq, dozën e parë e ka marrë 35 për qind e popullsisë. Masat kryesore aktualisht janë: kufizimi i lëvizjes pas orës 22:00, mbyllja e gastronomisë në orën 21:30 dhe mbajtja e maskës nga secili qytetar.

Postime të ngjashme

Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese
Studimi: Vaksina kundër kancerit mund të zhdukë plotësisht tumoret
"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi