Cilët janë faktorët e riskut të kancerit kolorektal?
Rreziku bazë për tu zhvilluar kancer kolorektal gjatë jetës së tyre, tek amerikanët është përafërsisht 6%. Ky rrezik është në përputhje me shoqëritë e tjera perëndimore, ndonëse në Amerikë vazhdon të jetë mjaft i lartë. Kjo do të thotë se në qoftë se testet depistuese nuk do të bëheshin, atëherë 6 nga 100 persona të popullatës do të sëmureshin nga kanceri kolorektal (i zorrës së trashë).
Faktor rreziku më i shpeshtë është historia familjare me kancer kolorektal. Në qoftë se keni një prind i cili ka patur kancer kolorektal, rrezikoni dyfish, që do të thotë se rrezikoni deri në 12% për tu sëmurur nga kanceri kolorektal.
Në qoftë se keni dy te afërm me kancer, risku rritet nga 5-5.5 që do të thotë nga 30-35 % për tu sëmurur nga kanceri gjatë jetës suaj. Prandaj është e rëndësishme të dini historinë tuaj familjare në lidhje me kancerin.
Një tjetër faktor risku është nëse ju vetë keni vuajtur me parë nga polipe prekanceroze ose nga kanceri i rektumit apo i zorrës.
Cili është roli i dietës në kancerin kolorektal?
Është pranuar gjerësisht se dieta e pasur në yndyra shtazore, mishi i kuq dhe dieta e varfër në fruta dhe perime është një faktor kryesor predispozues për kancerin kolorektal. Kjo është shumë e dukshme në studimet e bëra në Japoni ku dieta ndryshon me atë të Amerikës dhe përqindja e kancerit kolorektal është shumë e ulët, por kur japonezet migrojnë në vendet e Amerikës, ndryshimet e shpejta në dietë bëjnë që ata të jenë të rrezikuar njësoj si amerikanët ndaj kancerit kolorektal.
Si mund të korrigjojmë dietën tonë për të parandaluar kancerin kolorektal?
Nuk ka të dhëna nëse ndryshimet afatshkurtra në dietë mund të ndryshojnë tendencën për polipe dhe kancer. Gjithsesi në qoftë se brezi i tanishëm i të rinjve nisin të ushqehen në mënyrë të shëndetshme, ka shumë arsye të mendojmë që kur ata të jenë 50-60 vjeç, prevalenca për kancer kolorektal do të jetë më e ulët se e jona.
Konsiderohen që të gjithë polipet prekanceroze?
Kemi disa lloje polipesh që zhvillohen në zorrë dhe rektum. Vetëm një lloj prej tyre, adenoma njihet si prekanceroze. Adenomat janë përafërsisht 40% tek meshkujt në moshën mbi 55 vjeç. Vetëm një në 200 adenoma mund të kthehet ne kancer, por nuk e dimë saktësisht se cila prej tyre mund të kthehet në kancer. Nga ana tjetër pothuajse të gjithë kancerat kolorektalë lindin nga adenoma.
Cilat janë mënyrat konkrete të ndjekjes dhe trajtimit të pacientëve me polipe?
Risku për të pasur shumë adenoma në të ardhmen, pasi kemi hequr një, varet nga madhësia, numri dhe nga pamja mikroskopike e adenomës. Pacientët me më shumë se tre adenoma rrezikohen më shumë për të patur adenoma të tjera brenda një kohe të shkurtër. Është e rekomandueshme përsëritja e kolonoskopisë 1-2 vjet më vonë. Vlerësimi pas heqjes së një adenome të madhe në një kohe të shkurtër bën të sigurt heqjen e plotë të polipit.
Dihet që kolonoskopia mund të mos vizualizojë një numër të konsiderueshëm të adenomave. Sa më të vogla të jenë adenomat, aq më i lartë është risku të na shpëtojnë pa u parë gjatë ekzaminimit, kështu që rekomandohet gjithmonë përsëritja e ekzaminimit në harkun kohor 3-5 vjet. Në këtë mënyrë, edhe po pati shpëtuar ndonjë adenomë gjatë ekzaminimit nuk ka shance qe ajo të rritet shumë në përmasa ose të malinjizohet (të kthehet ne kancer) përpara se të zbulohet.
A është shumë e rrallë të pasurit kancer nën moshën 30 vjeç?
Po. Më pak se 2% e kacereve të kolonit ndodhin nën moshën 40 vjeç. Kur pacientët kanë kancer nën moshën 50 vjeç ekziston një dyshim i fortë se ai mund të ketë predispozicion trashëgimie siç janë polipozat adenomatoze familjare, ose kancerin jopolipoz të trashëguar.
A luan mosha ndonjë rol në rrezikun e kancerit kolorektal?
Po. Sa më shumë ju jetoni aq më i lartë bëhet risku për kancer. Risku është shumë i ulët në moshën 40 vjeç dhe ai gradualisht rritet pas moshës 50 vjeç dhe më vonë bëhet më i lartë çdo dekadë te jetës suaj.
Në qoftë se jeni diagnostikuar i ri me kancer, a ekziston mundësia që ai të kthehet më vonë?
Po, ekziston për dy arsye:
– Në qoftë se ka një formë të trashëguar të kancerit, ka shumë shance që të përsëritet më vonë në jetën tuaj. Operacioni i projektuar për këto sindroma zakonisht përfshin heqjen e krejt zorrës së trashë.
– Jashtë arsyes së trashëgimisë, padyshim ka diçka për ata persona që u është shfaqur kanceri në fillim. Me fjalë të tjera ata persona janë të prirur për tu sëmurur me kancer. Në qoftë se zorra e tyre është e aftë të prodhojë njëherë kancer, është e mundur që ajo të prodhojë përsëri.
– Vetëm 4% e të gjithë kancereve kolorektalë ndodhin për shkak të një mutacioni gjenetik të trashëguar.
A vlerësohen të gjithë polipet e hequr ne zorrë në laborator për të detektuar kancerin?
Ne rekomandojmë që të gjithë polipet në kolonoskopi të hiqen dhe të çohen në laborator për të vlerësuar natyrën e tyre sepse nuk mund të vlerësojmë kurrë një polip vetëm nga pamja e jashtme.
Disa polipe të zorrës nuk e rrisin rrezikun për kancer dhe nuk kanë nevojë për një mbikqyrje të veçantë. Megjithatë, të gjithë polipet prekanceroze rrisin rrezikun për të pasur polipe të reja prekanceroze ose kancer, të cilat kërkojnë ndjekje të veçantë.
A ka teste gjenetike të besueshme në dispozicion për të përcaktuar riskun e kancerit kolorektal?
Vetëm 4% e kacereve kolorektalë ndodhin për shkak të mutacioneve gjenetike të trashëguara. Për pacientët me ketë mutacion të trashëguar në familje, testet laboratorike të gjakut janë shumë ndihmëse për të parë se cili pjesëtar i familjes është i rrezikuar dhe cili jo. Për 96% e të gjithë kacereve kolorektalë, testet gjenetike të gjakut nuk ndihmojnë në përcaktimin e riskut. Ndonjëherë mund të shohim në përbërjen gjenetike të tumorit në vetvete, por kjo mbetet ende në kuadrin e punës kërkimore.


