Ndryshimet buxhetore shkurtojnë me 16.5 mln euro fondet për shëndetësinë, teksa vendi është në valë pandemie

Ndryshimi për herë të dytë brenda 7 muajsh i buxhetit të shtetit, ka shkurtuar fondet për sektorin e shëndetësisë, teksa vendi po përballet me një barrë të rëndë sëmundshmërie të krijuar edhe nga Pandemia Covid-19.

Tabelat e reja buxhetore me shpenzime, sipas institucioneve tregojnë se, fondet totale të Ministrisë së Shëndetësie dhe Mbrojtjes Sociale arritën ne 74.7 miliardë lekë nga 76,7 miliardë lekë që ishin me ndryshimet në aktin normativ të marsit 2022. Fondet për shëndetësinë janë shkurtuar me rreth 2 miliardë lekë (16,5 milionë euro) ose rreth 2.6%.

Shkurtimet janë aplikuar për të gjitha shwrbimet, por reduktimi ka qenë më i fortë për dy sektorë strategjikë që lidhen me menaxhimin e pandemisë, të tilla si Shërbimet e Kujdesit parësor dhe Shërbimet e Kujdesit publik.

Si shërbimi parësor dhe ai i shëndetit publik janë të nënfinancuar.

Një strategji për menaxhimin e sektorit të shëndetësisë në 5 vitet në vijim parashtron nevojën për forcimin e shërbimit parësor dhe shëndetit publik, dy linja që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me parandalimin e barrës së sëmundjeve dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19 në një fazë të hershme.

Buxheti i shërbimit parësor u shkurtua me 9.6 për qind, me rreth 851 milionë lekë ose 7 milionë euro. Buxheti i shëndetit publik u shkurtua me 14 për qind me një reduktim prej 7,3 milionë eurosh.

Reduktimit të fondeve buxhetore iu nënshtruan edhe zërat e tjerë. Shërbimet e kujdesit dytësor që përfaqësohen nga spitalet u reduktuan me rreth 2 milionë euro, ndërsa shpenzimet për planifikimin, administrimin dhe menaxhimin u reduktuan me 3%. Vetëm zëri i shërbimit të urgjencës kombëtare mbeti i pandryshuar.

Shkurtimi i fondeve për shëndetësinë erdhi në momentin që vendi po përballet me një valë të katërt të pandemisë COVID-19, teksa ekspertet e shëndetit pohojnë se, virusi do të qëndrojë gjatë dhe nën-variantet e ardhshme mund të jenë edhe me agresive, siç mund të jenë edhe më të buta.

Për të përballuar barrën e sëmundshmërisë ekspertët e shëndetit publik kanë sugjeruar forcimin e kapaciteteve në shërbimin parësor dhe survejancën pandemike.

Të dhënat krahasuese nga databaza e OBSH-se tregojnë se Shqipëria jep financimet më të ulëta publike për kujdesin parësor. Vendi ynë gjatë pandemisë Covid -19 gjithashtu u rendit në vendet me normat më të larta të vdekshmërisë shtesë./Monitor

Postime të ngjashme

Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi
Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
Ndikimi i dezinformimit në vaksinimin e fëmijëve
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese