Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka implementuar kalimin e vlerësimit të aftësisë së kufizuar nga modeli mjekësor, drejt atij biopsikosocial, bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit. Në kuadër të reformës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar janë ngritur dhe funksionojnë 6 komisione shumëdisiplinore të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, të cilat janë në varësi të Drejtorisë Rajonale të SHSSH-së Tiranë dhe funksionojnë pranë qendrave shëndetësore.
Që nga hyrja në fuqi e VKM-së nr. 722, datë 11.11.2019, “Për përcaktimin e masës, të kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për vlerësimin dhe përfitimin e aftësisë së kufizuar e të ndihmësit personal dhe të strukturave përgjegjëse e të detyrave të tyre”, vlerësimi biopsikosocial bëhet në të gjithë qarkun e Tiranës. Në zbatim të këtij vendimi është miratuar nga Shërbimi Social Shtetëror, rregullorja “Për organizimin, të drejtat, detyrat dhe funksionimin e komisioneve shumëdisiplinore të vlerësimit të aftësisë së kufizuar”
Vlerësimi biopsikosocial po shtrihet në mënyrë graduale në gjithë Qarkun e Tiranës, ndërkohë që në disa bashki si ajo e Kamzës dhe Vorës ende vazhdon zbatimi i skemës së vjetër të vlerësimit (bazuar në monitorimin e shoqatës së Diabetit përgjatë fazës së implementimit të projektit në terren)
Sistemi i ri pasqyron modelet bashkëkohore ndërkombëtare dhe vjen në përputhje me standardet e OBSH-së, Konventën e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksioneve. Me vlerësimin e ri bio-psiko-social, personat mbështeten financiarisht sipas shkallës së sëmundjes dhe kompleksitetit të saj, gjë e cila përcaktohet nga komisionet e dedikuara, të përbëra me ekipe vlerësimi multidisiplinare të përbërë nga mjekë dhe punonjës socialë.
Shoqata e Diabetit, monitoron skemën e re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar: Mungon informimi
Shoqata e Diabetit në Shqipëri ka ndërmarrë iniciativën e monitorimit të skemës së re të vlerësimit biopsikosocial, duke u fokusuar në dy bashki: Kamëz dhe Vorë. Monitorimi i skemës së re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar u realizua si nevojë për të parë situatën aktuale të zbatimit të kësaj skeme, ndërsa vazhdon shtrirja graduale në të gjithë Shqipërinë. Me bashkëpunimin e ekspertëve të çështjeve sociale, shoqata ka prodhuar një raport duke u mbështetur në të dhënat zyrtare të publikuara nga institucionet publike, si Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Social Shtetëror, organizata në mbrojtje të PAK, etj.
Për plotësimin e të dhënave të raportit dhe për kryerjen e analizës krahasuese midis skemës ekzistuese të vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe skemës së re të vlerësimit biopsikosocial, shoqata ka realizuar fokus grupe me përfitues, familjarë, etj. Gjithashtu janë kryer intervista me përfaqësues të institucioneve publike, si Bashkia Kamëz dhe Bashkia Vorë, për të kuptuar rolin e Bashkisë në këtë proces dhe për të njohur problematikat për target grupet që përfshin ky monitorim.
- Gjetjet e raportit tregojnë se mungon informacioni! Përfituesit pohojnë se nuk janë të njohur skemën e re të vlerësimit dhe se nuk e kuptojnë si koncept.
- Gjithashtu, pohojnë se nuk janë informuar nga organet përkatëse dhe/ose profesionistët mbi zhvillimin e këtij modeli, se çfarë elementesh përfshihen, se si do të ndikojë tek përfituesit dhe risitë që sjell.
- Nga raporti del se përfituesit nuk kanë njohuri mbi mënyrën dhe kriteret e vlerësimit
MSHMS: Problemi i burokracive është adresuar, marrëveshje bashkëpunimi me Bashkitë për zbatimin e rekomandimeve
Raporti me gjetjet dhe rekomandimet është diskutuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku në përfundim të takimit, përfaqësuesit e shoqatës së Diabetit kanë kërkuar nga MSHMS të përcjellin me shkrim komentet e mundshme.
MSHMS ka përcjellë komentet ku shprehet se:
-
vlerësimi biopsikosocial është shtrirë në qarqet e Tiranës dhe Durrësit
-
lidhur me reduktimin e burokracive MSHMS pretendon se këto problematika janë adresuar me reformën e vlerësimit biopsikosocial.
-
sa i përket bashkëpunimit të punonjësit social në bashki me komisionin e vlerësimit informohet se Shërbimi Social Shtetëror ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë për zbatimin e rekomandimeve për shërbime sociale të Komisionit Shumëdisiplinor të vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar, për integrimin në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të personave me aftësi të kufizuar. Qëllimi i marrëveshjes është vendosja e bashkëpunimit midis institucioneve me objekt referimin dhe rekomandimin për ofrimin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror për personat me aftësi të kufizuar. Në kuadër të marrëveshjes palët do të bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjelltë për marëvajtjen e procesit të skemës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në modelin biopsikosocial, me qëllim garantimin e të drejtave sociale dhe ekonomike si dhe të interesave të ligjshëm të personave me aftësi të kufizuar, në përfitimin e shërbimeve të integruara sociale dhe shërbimet e bashkisë për programin e punësimit dhe ndërmjetësimit për punësim
Raporti i monitorimit, një dokument i shoqërisë civile, i konsultuar me grupet e interesit dhe përfaqësuesit e institucioneve të përfshirë në këtë proces (MSHMS, Shërbimi Social Shtetëror në nivel qendror dhe rajonal dhe njësitë e vetëqeverisjes vendor) do të diskutohet në takime teknike me MSHMS dhe do të ofrojë rekomandime domethënëse për politikbërësit.
“Aftësimi i komuniteteve dhe grupeve të cënueshme për të njohur dhe përdorur shërbimet vendore” është një projekt i zbatuar nga Shoqata e Diabetit në Shqipëri, mbështetur nga Lëviz Albania, me qëllim angazhimin e shoqërisë civile për përmirësimin e sistemit të ri të vlerësimit bio-psikosocial për personat me aftësi të kufizuar, ndërsa vazhdon shtrirja graduale nëpër gjithë qarqet e vendit

