Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Fize Smailaj
Të gjithë e dimë se si duket nga jashtë trupi i një individi obezë, por çfarë ndikimi ka në organet e brendshme ndjekja e një regjimi ushqimor jo të shëndetshëm dhe mungesa e aktivitetit fizik? Për të parë efektet e këtij stili jetese, u krye ekzaminimi i një gruaje obeze, trupi i së cilës iu dhurua shkencëtarëve pas vdekjes për qëllime studimi.
Trupi mbi të cilin është bërë vëzhgimi është i një gruaje pak mbi të 60-at, e cila ka ndërruar jetë si pasojë e mosfunksionimit të zemrës. Zonja është një qytetare amerikane, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur. Nuk ka asnjë të dhënë mbi mënyrën e saj të jetesës, përveç faktit se konsumonte pije alkoolike në raste shumë të rralla. Autopsia u krye në Kolegjin Mbretëror të Kirurgëve të Londrës nga mjeku patolog Mike Osborn dhe ndihmësja e tij Mike Osborn. Kryerja e një kërkimi të tillë ndihmon në përcaktimin e saktë të dëmeve që u shkakton obeziteti organeve, sëmundjet që shkakton dhe pse po i kushtohet një vëmendje kaq e madhe.
Barku
Teksa trupi i gruas gjendet i shtrirë në tavolinën ku do të bëhet autopsia, shenja më e dukshme e obezitetit është barku i saj i stërmadh. Në momentin që hapet lëkura e saj, gjëja e parë që shihet është një shtresë e verdhë yndyre poshtë lëkurës, ajo është rreth 3.81 cm. Dr. Osborn, i cili kryen rreth 250 autopsi çdo vit, thotë se kjo ngjyrë është shumë normale, te disa njerëz ajo ka ngjyrë më të hapur, te disa më të errët, por që në çdo rast është një gjë normale. Kur e prek, yndyra duket si gjalpë dhe ka të njëjtën përbërje, pavarësisht se nga cila pjesë e trupit është marrë.
Çdo njeri ka një sasi yndyre në trup, që është e nevojshme për të mbrojtur organet. Nëse dikush shton peshë, nuk do të thotë se rritet numri i qelizave të yndyrës, thjesht zmadhohen qelizat ekzistente. Me rritjen e nivelit të saj, yndyra përhapet poshtë lëkurës, shkon edhe midis organeve, redukton furnizimin e tyre me gjak dhe oksigjen dhe ndryshon balancën e hormoneve. Problemi nuk qëndron vetëm në faktin se sa yndyrë ndodhet në trup, por edhe se në ç’pjesë të trupit ndodhet. Dhjami që ndodhet në bark është më i rrezikshëm se ai që ndodhet rreth kofshëve dhe vitheve. Rreth 10 ose 15 vite më parë besohej se dhjami që gjendej në bark nuk ishte i rrezikshëm, por tashmë dihet se ai prish balancën e hormoneve, siç është insulina, dhe si pasojë mund të shkaktojë sëmundje të tilla si diabeti dhe tensioni i gjakut. Përveç këtyre, ai mund edhe të sjellë ndryshime që mund të shkaktojnë mosfunksionim të organeve.
Zemra
Në momentin që dr. Osborn nxjerr zemrën nga trupi është i dukshëm efekti që ka pasur obeziteti mbi të. Në vend që të jetë e tërhequr dhe më muskuj të fortë, ajo duket më shumë si një çantë e varur, një tregues i qartë që ajo ka vdekur si pasojë e mosfunksionimit të zemrës, që është shkaktuar nga tensioni i lartë si pasojë e peshës së së madhe.
“Ashtu si te pjesa më e madhe e njerëzve që vuajnë nga tensioni i lartë, edhe te kjo zonjë zemra është bërë e varur dhe me kalimin e kohës muret janë bërë shumë të dobët,” thotë dr. Osborn.
“ Tensioni i lartë i gjakut ka rritur sasinë e lëngut që zemra duhet të pomponte në të gjithë trupin, duke bërë që muret e saj të dobësoheshin. Muskujt e zemrës nuk ishin aq të fortë sa për ta pompuar të gjithë gjakun në trup në mënyrën e duhur”.
Si pasojë e kësaj, qarkullimi i gjakut në pjesët e tjera të trupit ka qenë shumë i dobët . Problemet e saj shëndetësore janë përkeqësuar duke qenë se për shkak të peshës së madhe, ajo ndjehej gjatë gjithë kohës shumë e lodhur dhe nuk bënte aktivitet fizik. Dhe me kalimin e kohës zemra e saj ka ndryshuar kaq shumë sa papritur ka pushuar së punuari.
Edhe pse zemra e saj ishte na fazat e fundit, dr. Osborn nuk gjeti shenja të ngushtimit të arterieve tek ajo.
“Zemra e saj ishte në një gjendje shumë të keqe, duke marrë parasysh edhe faktin se ajo ishte pak mbi 60 vjeç, por për disa arsye të panjohura, ndoshta gjenetike, arteriet e saj nuk ishin të mbushura me depozita yndyrash”, tregon ai.
Mushkëritë
Një person i shëndetshëm dhe me peshë normale i ka mushkëritë në formë dhe duken si sfungjerë të thatë ngjyrë rozë, por kur dr. Osborn nxori mushkëritë nga trupi i zonjës, ai vuri re se ato ishin të mbushura me ujë, një simptomë që bashkë me mosfunksionimin e zemrës shkakton vdekjen.
Ai tha: “ Lëngu që dilte nga mushkëritë e saj ishte një shenjë që tregonte se ajo vuante nga edema pulmonare, ku lëngu formohet në mushkëri për shkak se zemra nuk është mjaftueshëm e fortë për ta shtytur atë në të gjitha pjesët e trupit.” Sipas dr. Osborn, ka shumë shanse që para se gruaja të ketë ndërruar jetë të ketë filluar të ndjejë sikur po mbytet dhe ka pasur probleme në frymëmarrje. Për më tepër mushkëritë ishin relativisht të vogla, një shenjë që ato kanë qenë të shtypura nga organet e tjera, duke e bërë frymëmarrjen edhe më të vështirë”.
Stomaku
Është e habitshme se si stomaku e ndryshon strukturën fare pak nga mbipesha. “Stomaku është si një qese që zgjerohet kur ushqimi futet brenda dhe më pas tkurret sërish. Vetëm sepse dikush është më i madh fizikisht nuk do të thotë se stomaku i tij është gjigant. Nëse konsumoni shumë ushqime, stomaku mund të zgjerohet paksa, por jo shumë”, tha dr. Osborn.
Mëlçia
Mëlçia është një ndër organet që jep më shumë të dhëna rreth mënyrës së jetesës dhe regjimit ushqimor të një personi. Një mëlçi e shëndetshme ka ngjyrë të kuqe të errët, është e fortë dhe ka një sipërfaqe të lëmuar. Por obeziteti mund të shkaktojë shumë ndryshime te ajo, e zmadhon, e bën më të butë dhe lë shenja kudo mbi të. Mëlçia e gruas së cilës po i bëhej autopsia ishte më e madhe se sa duhej të ishte, një shenjë kjo e dhjamit në mëlçi që lidhet me të qenit mbipeshë. Ajo ishte plot me qeliza dhjami të cilat e kishin ndryshuar ngjyrën nga e kuqe në rozë të lehtë. Dr. Osborn tha: ‘Kjo grua do ta merrte vesh se kishte dhjam në mëlçi vetëm nëse do të bënte një skanim të saj, pasi normalisht sëmundja e dhjamit në mëlçi nuk jep shenja deri në momentin që organi pushon së funksionuari plotësisht.”
Veshkat
Si shumë nga organet e tjera të mëdha, edhe veshkat janë të mbështjella në një “thes mbrojtës” dhe të rrethuara nga yndyra që në këtë rast shërben për mbrojtje. Por, në rastin e kësaj zonje, shtresa e yndyrës ishte shumë e trashë, si rezultat i mbipeshës. Veshkat e shëndetshme duhet të duken të lëmuara, por të sajat kishin shenja, një simptomë e tensionit të lartë.
Dr. Osborn shpjegon: “Veshkat shërbejnë si mikro-filtra, që filtrojnë gjakun dhe prodhojnë urinën. Por nëse ato duhet të përballojnë sasi të larta lëngjesh, tubat e vegjël dëmtohen dhe filtrat pushojnë së funksionuari, kjo është arsyeja se përse mbeten shenja.
Pas autopsisë, organet u rivendosën në trup, informacioni që u nxor nga ky studim do të ndihmojë doktorët në të gjithë botën të kuptojnë se si obeziteti prek trupin tonë.
Sipas dr. Osborn, problemet më të mëdha që shkakton obeziteti në trupin e njeriut janë: tensioni i lartë, sëmundja e yndyrave në veshka, diabet dhe rritja e shanseve për t’u prekur nga kanceri. Sipas tij, nuk është kurrë vonë që ne të marrim masa për të ulur shkallën e obezitetit dhe si pasojë të ulim edhe rreziqet që na vijnë prej tij.
Burimi : Daily Mail / https://shendeti.com.al/


