AAPSK vë në përdorim pajisje të sekuestruara nga një spital privat për QSUT dhe spitalet publike

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) e ka nisur vitin 2026 me vijimin e një praktike tashmë të konsoliduar në veprimtarinë e saj: vënien e pasurive të sekuestruara në funksion të interesit publik, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.

Në këtë kuadër, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, zhvilloi një vizitë pune në një spital privat, i cili ndodhet në proces hetimi nga Prokuroria e Tiranës dhe mbi pasurinë e të cilit është vendosur masë sekuestroje preventive.

Me miratimin e prokurorit të çështjes, AAPSK ka ndërmarrë veprimet për identifikimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore që ndodhen në këtë objekt, duke i vënë ato në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë për t’u shpërndarë më tej në qendrat spitalore përkatëse. Pajisjet mjekësore do të vihen në përdorim nga QSUT dhe disa nga spitalet rajonale sipas nevojave përkatëse.

Gjatë vizitës, Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja u shpreh:

“E nisim vitin 2026 me një praktikë pune të bërë tashmë rutinë për agjencinë tonë, vënien e pasurive të konfiskuara në funksion të institucioneve shtetërore dhe jo vetëm, por edhe të shoqërisë civile. Në rastin konkret flasim për një institucion shtetëror. Këtu jemi në një spital privat, që është në proces hetimi nga Prokuroria e Tiranës dhe kemi një masë sekuestroje preventive për pasurinë. Me miratimin e prokurorit kemi ardhur sot që të bëjmë shpërndarjen e pajisjeve që ndodhen në spital, duke ia vënë në përdorim Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u shpërndarë në qendrat spitalore.”

Ky veprim synon të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimit shëndetësor dhe në forcimin e kapaciteteve të sistemit publik, duke garantuar përdorimin efikas dhe të dobishëm të pasurive të sekuestruara në dobi të qytetarëve.

AAPSK mbetet e angazhuar në administrimin e përgjegjshëm, ligjor dhe transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke i shndërruar ato në instrumente konkrete në shërbim të interesit publik./monitor

Postime të ngjashme

A mund të jesh obez pa komplikacione shëndetësore? Ja çfarë thotë mjekja
“Video të manipuluara me inteligjencë artificiale në emër të mjekut Flamur Topi”/ AMA ngre alarmin: Dyshohet për mashtrim me të dhënat bankare
Rasti i 13-vjeçarit me autizëm në QSUT, KMD nis verifikimet
VIDEO/ A është obeziteti i pashëndetshëm në të njëjtën formë?
Këto 8 ushqime mund të ulin rrezikun e goditjes në tru
A ndihmon uthulla e mollës në dobësim? Ja çfarë thonë studimet
Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim