Alket Koroshi: Mjekësia ka nevojë për elitë

Bisedoi: Denisa Canameti

Nëse nuk do të ishte doktor, Alketa Koroshi do të ishte shkrimtar. E meqë në punën e tij është mësuar të jetë gjithmonë në majën e kreshtës, sigurisht që kështu do të kishte ndodhur edhe në fushën e letrave. Koroshi mbetet një nga emrat më të njohur të nefrologjisë. Breza të tërë janë pregatitur prej tij, por kjo punë nuk e ka lodhur. Përkundrazi, ai flet me pasion për gjithçka ka bërë dhe vazhdon të bëjë. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, doktor Alketa tregon shumë gjëra për veten, familjen, punën, marrëdhenien me studentët, me kolegët, me politikën. Duke theksuar gjithnjë me modesti se mbetet një qytetar i thjeshtë, i vendosur për ta kryer sa më mirë detyrën ndaj popullit.

Dr. Alketa Koroshi

Dr. Alket Koroshi

Doktor Alket, sa vite keni në fushën e mjekësisë, si nefrolog?

Unë kam filluar punë që në vitin 1973, domethënë 42 vjet. Në vitet ‘80 kam filluar punë në Fakultetin e Mjekësisë si pedagog i jashtëm dhe në vitet ‘85-‘86 kam filluar punë si pedagog i brendshëm, ku vazhdoj edhe sot.

Mjekësia ka qenë  zgjedhja juaj apo një zgjedhje e imponuar si nga familja apo edhe nga sistemi, nga mënyra sesi funksiononin gjërat atëherë?

Unë kam mbaruar në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, që vazhdon të jetë ndër më të mirët edhe sot, dhe në atë kohë ishte një gjimnaz i privilegjuar. Banoja afër, jo se shkova atje për shkak të “prestigjit” të emrit. Ai gjimnaz më ka dhënë një formim kulturor dhe më ushqeu një vizion shumë të mirë për të ardhmen. Në atë kohë kisha dëshirë të studioja ose për gjuhë të huaja, ose për letërsi, ose për mjekësi. Këto ishin ambiciet e mia, ëndrrat e mia të asaj kohe.

Askush nuk do ta mendonte që doktor Alketa të kishte ambicie për letërsinë. Nëse i referohemi kësaj fushe, cila është ajo vepër letrare që ju ka pëlqyer dhe vazhdon t’ju pëlqejë më shumë?

Librat letrarë që më kanë lënë mbresa, janë disa. Në rininë time kam pëlqyer David Koperfildin (Charles Dickens).

Pse mjekësinë atëherë, pse jo letërsinë, pse jo gjuhët e huaja?

Nga këto tre degët e mia të preferuara, më doli mjekësia. Edhe pse në atë kohë nuk është se preferohej shumë. U gëzova kur më doli mjekësia, sepse ishte një degë që unë e doja. Por dhe në mjekesi nuk kam dashur çdo lloj specialiteti. Për shembull, nuk e kam dashur kirurgjinë. Nuk e suportoja dot. Më dukeshin kirurgët tipa të vrazhdë, të ashpër, një punë ku duhet të rrish me orë të tëra mbi një trup, punë që kishte të bënte me hapjen, me gjakun.

Vazhdojnë t’ju duken të ashpër?

Janë disi në krahasim me patologët. Ka të bëjë me natyrën e punës. Dhe në fjalor janë më të ashpër se specialistët e tjerë.

Nëse kirurgjia jo, pse nefrologjia po?

Kur erdha në këtë spital, në fillim m’u propozua endokrinologjia, nefrologjia, alergologjia. Zgjodha nefrologjinë, sepse më është dukur një disiplinë që kishte shumë mekanizma fiziopatologjik, mekanizma shkak-pasojë të cilat kishin njëfarë logjike dhe logjika më pëlqente.

Çfarë studenti keni qenë?

Do tregoj pak mungesë modestie, por në kursin tim 3 veta dolën me diplomën shkëlqyer dhe unë isha njëri prej tyre.

Vazhdoni të mendoni se mjekësia është zgjedhja e duhur?

Vazhdoj të mendoj, por nga ana tjetër them që është një sakrificë e madhe që të jesh në majën e kreshtës. Është e vështirë të jesh mjek i azhornuar dhe të jesh në gjendje të japësh leksione, të mësosh mjekët e rinj, specializantët dhe të tjerët të kenë çfarë të përfitojnë prej teje. Kjo do shumë mundim, do shumë studim.

Natyra e mjekut është e tillë, i duhet të punojë, nuk është vetëm puna me të sëmurët. 50% është puna me të sëmurët, 50% është punë që kërkon studim. Puna e mjekut nuk mbaron kur mbaron dita e punës. Nëse nuk studion, por vetëm merresh me të sëmurët, gradualisht dekualifikohesh.

Folët për sakrificë. Ju çfarë keni sakrifikuar qoftë profesionalisht, qoftë personalisht?

Sakrifica më e madhe është koha. Shumë kohë të lirë që të tjerët, shokët e tu mund t’i kalojnë për t’u argëtuar, ti do ta kalosh duke studiuar. Që në vitet e rinisë nuk shfrytëzoja kohë të lirë shumë. Rrija në dhomën e studimit duke u marrë me leximet e mia të mjekësisë. Fillimisht ishin të mundishme, por duke u marrë shumë kohë më një punë, ajo punë të bëhet pasion dhe ke kënaqësi kur merresh me të. Marrja e një informacioni të ri në mjekësi, është kënaqësi për mua.

Sa e ka pranuar familja mungesën tuaj të herëpashershme?

E vërteta është se familja gjithmonë më ka mbështetur, më ka qëndruar në krah. Edhe pse kam lënë shumë detyra që lidhen me angazhimet familjare pa i bërë. Nuk dija si bëhej pazari, si shkohej nëpër zyra, nëpër sportele, qoftë edhe për të marrë një certifikatë. Më jepnin më shumë liri për t’u marrë me punën time.

Vajza juaj ka studiuar mjekësi?

Jo, punon në bankë.

Pse jo mjeke? Nëse do t’i sugjeronit një zgjedhje, do të ishte kjo zgjedhje mjekësia?

Jo, nuk ia kam sugjeruar, por as ajo vetë nuk ka pastur dëshirë që të merret me mjekësi. Edhe pse do doja shumë që jo vetëm eksperiencën time, por unë kam dhe shumë literaturë në shtëpi, i kam në formë koleksioni dhe më vjen keq që pas meje nuk do të shfrytëzohet shumë.

Keni thënë që gruaja jua shikon herë pas herë artikujt dhe materialet që përgatisni…

Herë pas here unë shkruaj artikuj të karakterit të përgjithshëm, jo vetëm profesional dhe para se t’i çoj për botim, më jep vërejtje. E kam si redaktore të mirë. Edhe ajo merret me mjekësi, është pediatre. Është njeri që lexon shumë.

Nëse klikon emrin tuaj në internet, nuk ka shumë të dhëna për jetën tuaj personale, por ka shumë artikuj profesional që lidhen me specialietin tuaj. Pse ndodh kjo, ka të bëjë me egoizmin e gazetarëve që kërkojnë të “shfrytëzojnë” njohuritë tuaja duke lënë në hije anën tjetër apo ka qenë zgjedhje juaja?

Nuk e di pse ka ndodhur. Nuk mund ta them me siguri se cili është shkaku i vërtetë i kësaj. As unë nuk kam pasur shumë dëshirë të reklamoj veten. Jam një njeri si shumë të tjerët. Nuk e krahasoj veten me fenomene, si shkrimtarë të shquar, shkencëtarë apo artistë të shquar që kanë bërë jehonë. Unë jam një qytetar që përpiqem të plotësoj detyrat e mia.

Jeni njeri shumë i qetë. Në një kohë që mjekësia është profesion “i trazuar” dhe që të mban gjithë kohës në dinamikë, sa e vështirë është t’i ruash ekuilibrat. Apo është çështje karakteri?

Kjo ka të bëjë me natyrën e njeriut. Unë besoj në faktin që mjeku mund të jetë shumë i mirë nga ana profesionale, mund të jetë shumë i mirë si pedagog për të dhënë eksperiencën e tij, por një cilësi tjetër që duhet të ketë, është aftësia komunikuese me pacientët dhe me studentët. Aftësia komunikuese është e tillë që i jep shumë pikë, i jep shumë vlera mjekut. Sepse është një nga anët ku njerëzit e vlerësojnë mjekun.

Nuk di të them për mjekët, por në një raport të nxjerrë për infermierët ishte parë që çalonin shumë në komunikim, pse ndodh?

Sepse një nga dobësitë e formimit tonë mjekësor është pikërisht mungesa e disiplinës “aftësi komunikuese”. Nuk ekziston as në mjekësi, as në infermieri. Mendohet se duke dhënë informacione nga anatomia, biologjia etj. etj. e kemi mësuar bagazhin tonë. Janë njerëzit e politikës që mësohen sesi duhet të sillen përpara turmës, përpara një takimi diplomatik apo në çdo marrëdhënie. Ndërsa me ne mjekët dhe infermierët, që kemi në thelb të punës sonë komunikimin me pacientin, nuk na e mëson njeri.

Meqë përmendëm politikanët, ju si e keni marrëdhënien me politikën?

Përgjithësisht nuk jam përfshirë në politikë, kam pasur simpatitë e mia. Jeta profesionale nëse është shumë aktive, nuk të lë të merresh me politikën. Duhet ta braktisësh njërën. Marrja me politikë të jep disa avantazhe për të përmirësuar jetesën me një rrugë të shpejtë, të shkurtër. Ka të bëjë me tipin e njeriut.

Sa i mbështet politika mjekët e mirë dhe pse është e rëndësishme të mbështetesh nga politika, nga instancat?

Një kategori e caktuar mjekësh duhet të stimulohen qoftë moralisht, qoftë materialisht. Duhet të ketë edhe në mjekësi elitë siç ka në të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë. Elitë e merituar, jo e ndërtuar mbi bazën e lidhjeve familjare, shoqërore. Kjo duhet të përkrahet edhe nga shteti.

Ju ndiheni i shpërblyer dhe i përkrahur moralisht dhe financiarisht?

Mua më gëzon vlerësimi që marr nga ana e pacientëve. Kur një pacient më thotë, të kam parë në televizor, kam lexuar një shkrim tëndin apo një i afërm imi i mjekuar nga ju gjeti derman dhe kam ardhur për këtë lloj reputacioni, ky është vlerësimi që marr dhe që më vjen mirë më shumë sesa nga vlerësimi që marr nga çdo instancë.

Nga ana materiale sa vlerësohet mjeku?

Çdo gjë është relative. Por për shoqërinë ku jetojmë, mjeku qëndron në nivelet mesatare. Jo shumë të larta, dhe jo fare të ulta. Tendenca që ka sot për të privatizuar sektorë të ndryshëm të shëndetësisë, ndoshta do të shërbejë dhe për të bërë diferencimin dhe vlerësimin e mjekëve sipas pregatitjes dhe aftësive profesionale.

Fakti që mjekët janë në kategorinë mesatare, siç ju thoni, në një kohë që bëjnë një punë shumë më të madhe sesa vlerësimi që marrin, a mund të konsiderohet kjo arsye për të justifikuar mitmarrjen?

Fenomeni i mitmarrjes sigurisht që ekziston objektivisht. Është gjithmonë shoqëria dhe drejtuesit e sektorit të shëndetësisë në vend që duhet ta luftojnë dhe ta minimizojnë këtë tendencë. Ekziston sikurse ekziston edhe në hallka të tjera të shoqërisë sonë, që nga politika e deri në zyrat, në gjykata, në prokurori, në arsim. Është fenomen shoqëror i përgjithshëm. Por nëse një grupi mjekësh do t’u jepej mundësia që të punonin pas orarit të punës në ambjentet e konsultave, të bëhej kontratë ku një përqindje ta merrte spitali dhe një përqindje mjeku me punën e tij, kjo do ishte pozitive, sepse nuk do t’i lejonte mjekët që të vraponin pas spitaleve apo klinikave private. Do të ishin më të pranishëm në spitalin shtetëror dhe spitali do të kishte përfitim nga puna e mjekëve. Edhe mjekët do të ishin të kënaqur.

Thuhet shpesh se puna e mjekut është mision human më shumë sesa profesion, mos ndoshta kjo ka marrë trajtën e një shprehje “hipokrite”?

Është një nga ato parimet e Hipokratit që mjeku ka profesion humanitar. Në mjekësi duhet të ketë një komponent humanitar që duhet të funksionojë.

Duke iu referuar betimit të Hipokratit, cilën pikë vlerëson më shumë?

Të qenët besnik dhe i sinqertë me pacientin.

I respektojnë gjithmonë mjekët këto parime apo ky tekst është kthyer në një “aset” për të zbukuruar zyrën?

Them se bëhet punë, ka sinqeritet, përpjekje. Por nuk varet çdo gjë nga dora e mjekut, varet edhe nga subvencionet që jep shteti, nga sasia e ilaçeve që kanë, nga aparaturat. Nëse aparaturat që kanë, janë të prishura, nëse nuk kanë medikamente, nëse nuk kanë ambjente, çfarë do të bëjnë?!

Them se shoqëria duhet të kontribojë më shumë për mjekësinë. Nuk ka të bëjë vetëm me mjekun, gjërat janë të lidhura zinxhir. Për shëndetësinë vendet fqinje shpenzojnë më shumë se ne, në kemi vetëm 3% të GDP-së së buxhetit për shëndetësinë, që do të thotë është shumë pak.

Shëndetësia nuk mbahet vetëm me buxhetin e miratuar, por ka edhe burime të tjera shumë të forta, duket si pretendim që nuk vlen më. Mos ndoshta ka të bëjë më tepër me mënyrën sesi menaxhohet ky buxhet?

Duhet të kemi më shumë bashkëpunim. Megjithatë, edhe këto ndihmat nuk është se e rrisin buxhetin në mënyrë substanciale.

Doktor, cila është marrëdhënia me kolegët? Thuhet se mjekët nuk kanë marrëdhënie shumë të mira midis tyre…

Unë përpiqem të kem marrëdhënie të mira me kolegët. Ndodh të mos kenë marrëdhënie të mira, sepse krijohen grupe interesash dhe shumë herë një grup vihet përballë një grupi tjetër dhe konfrontohen. Gjë që vihet re edhe nëpër mbledhjet apo në takimet  e ndryshme. Por është detyrë e mjekut që të ketë marrëdhënie të mirë me kolegët. Sepse detyrat në mjekësi nuk zgjidhen në mënyrë vetjake, por zgjidhen në partneritet, në skuadër. Marrëdhënia e mirë i shërben dhe të sëmurit.

Po marrëdhënia me pacientët? Pse shpeshherë kjo marrëdhënie bëhet e ashpër, jo fort miqësore?

Kjo ka të bëjë me nivelin kulturor të popullsisë në përgjithësi. Ngritja e këtij niveli do të ndihmojë që ata ta respektojnë më shumë figurën e mjekut. Shpesh herë pacientët nuk arrijnë t’i zgjidhin punët me shtetin dhe ua faturojnë fajin mjekëve. Probleme që nuk janë në dorën e mjekut. Dhe krijohet një lloj konflikti i pabazuar.

Puna me studentët…

Puna me studentët është shumë e rëndësishme për përgatitjen e mjekëve në të ardhmen. Kjo lidhet jo vetëm me punën që bëjnë studentët, por edhe me punën që bëjnë pedagogët. Mësimdhënia është një nga punët që vlerësohet më pak se punët e tjera. Kjo ka bërë që të bjerë niveli i mësimdhënies. Duhet rritur vlerësimi ndaj mësimdhënies. Edhe mjeku duhet të jetë i përkushtuar. Ka shumë mjekë që nuk i zhvillojnë orët e mësimit.

Çfarë vlerësoni si kontribut tuajin më të madh në fushën e mjekësisë?

Mua më krenon fakti që ka shumë breza të rinj mjekësh që punojnë në sektorin e mjekësisë

Çfarë keni bërë gabim?

S’e di. Por nëpërmjet gabimeve krijohet dhe eksperienca.

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Elda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur
Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve
Arjana Rreli: Zgjodha ëndrrën e babait tim
Festa Mjeshtri: Realiteti vret ëndrrat e grave
Pëllumb Pipero: Odisea, nga repartet ushtarake, në gjirin e elitës mjekësore
Infeksionet në shtatzëni, kur e rrezikojnë bebin