Kryefaqja Portret Argjend Tafaj: I jemi borxhlinj brezit të ri

Argjend Tafaj: I jemi borxhlinj brezit të ri

5
Shpërndaje

Denisa Canameti

Të gjithë e njohin reumatologun Argjend Tafaj. Mjekun të cilit pacientët i janë “borxhlinj” për përkushtimin me të cilin ka vlerësuar secilin prej tyre, profesori që studentin dhe përgatitjen e tij për të ardhmen e shikon si diçka të shtrenjtë dhe pikë të veçantë në jetën e tij profesionale.

Argjend Tafaj 21 prill 2015 (4)Në këtë intervistë, profesor Tafaj thotë shumë për jetën e tij si mjek e përtej kësaj. Një profesor me dëshirat e mosdëshirat e tij. Një njeri që guxon të flasë për suksese e dështime, për gëzime e zhgënjime. Studenti që dikur urrente të mësonte lëndët politike, por që kjo nuk e pengoi aspak shfaqjen e profesionalizmit të tij e që falë këtij profesionalizmi në moshë shumë të re u emërua shef i klinikës së reumatologjisë, për të qenë sot emër i lakuar e i lakmuar nga të gjithë.

“Ju nuk më pyetët për pasionet e mia. Unë jam fans i çmendur i rokut. Jam tifoz i çmendur. Ndjek të gjitha ndeshjet e futbollit. Ju nuk më pyetët shumë gjëra”. Por, në fund të fundit, kush do ta mendonte?!

Doktor, si ka nisur ky rrugëtim i gjatë në mjekësi?

Unë kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1977, dega Mjekësi e Përgjithshme në Universitetin e Tiranës. Atë vit u emërova si mjek i përgjithshëm në një qendër shëndetësore në Elbasan. Punova atje 10 vjet, deri në vitin 1987. Mbuloja një zonë goxha të madhe me 9 fshatra, me shumë probleme, me shqetësimet e kohës, me kërkesat llogarie shpesh abuzive. Defektet që kishte organizimi i shëndetësisë apo defektet e vetë sistemit mundoheshin t’ua faturonin bluzave të bardha ku kërkohej llogari veçanërisht për probleme, si: mortaliteti infantil, vdekshmëria foshnjore, që jo rrallë i ngarkohej pa të drejtë mjekut, personelit mjekësor. Ishte një periudhë që e kam përballuar me shumë vështirësi. Por pavarësisht kësaj, jam përpjekur tej mase. Për atë periudhë jam dekoruar për rezutatet e mira në punë. Kam pasur shifra nën mesataren e republikës të mortalitetit infantil, të sëmundshmërisë etj. Disa gjëra që sot duken disi anakronike, qesharake për kohën.

Në ato 10 vjet në fshatrat e Elbasanit kam punuar bashkë me time shoqe. Shkuam të dy, edhe ajo mjeke, krijuam familjen, lindëm dy fëmijë atje. Fëmija e parë u rrit në fshat, në kushtet dhe vështirësitë që kishte fshati. Nuk ishim vetëm ne, ishin shumë të rinj si ne që shkuam jashtë vendlindjes dhe larg.

Në vitin 1987 u transferova në spitalin e Tiranës, në klinikën e reumatologjisë, fillimisht si specialist pranë kësaj klinike në grupin e punës për ndjekjen e ethes reumatizmale. Ethja reumatizmale ka qenë një patologji problematike në vendin tonë dhe vazhdon të jetë problematike pavarësisht se nuk përmendet.

Ato 2-3 vitet e para në Tiranë, pas 10 vitesh që kisha punuar në fshat, nuk diskutoheshin mangësitë. Jo mangësi të formimit tim, se atje ku punoja bëja mjekësi të përgjithshme, por me kërkesat që kishte institucioni qendror siç ishte spitali i Tiranës, që ishte ajka e mjekësisë shqiptare. Brenda një periudhe shumë të shkurtër, me përpjekje maksimale dhashë provimet pasuniversitare që ishin të detyrueshme për çdo specialist në atë kohë. Gjuhën e huaj, lëndën e profesionit.

Mbaj mend që nuk kam dhënë materializmin dialektik, nuk e mësoja dot. I grumbullova librat disa herë, por nuk e mësoja dot.  Përfundimisht rashë në ujdi me dekanin që të jepja një nga provimet më të vështira që ka fakulteti, siç ishte farmakologjia, fispatologjia ose anatomia patologjike, vetëm mos ta jepja atë lëndë, pasi nuk arrija ta mësoja dot . Për habi edhe në notat që Argjend Tafaj 21 prill 2015 (2)kam gjatë Fakultetit të Mjekësisë, notat më të këqija i kam në lëndët politike. Jo se nuk përpiqesha. As nuk dua të them që nuk i mësova se ishin politike. Thjesht nuk i përthithja dot. Kështu që thashë fispatologjinë. Provim shumë i vështirë, të paktën për kohën. Pastaj kam mbrojtur doktoraturën me një temë shumë të vështirë. Kam bërë shumë punë për të nxjerrë një temë interesante. Rezultatet e kësaj doktorature janë paraqitur në ’92. E mbrojta para komisionit dhe fitova gradën “Doktor i shkencave”.

Në vitin 1990 u emërova shef i klinikës të reumatologjisë. Për situatat që ishin krijuar në atë kohë, unë mbeta kandidatura më e mirë. Detyrë që e kam mbajtur deri në vitin 2011. 21 vjet. Është një periudhë shumë e gjatë që ka arritjet e veta, sukseset, dështimet, zhgënjimet. Periudhë që ka qenë shumë e ngarkuar, e ndërlikuar, e vështirë për t’u menaxhuar dhe drejtuar jo vetëm klinikën, por kam qenë edhe hartuesi i programeve të reumatologjisë dhe lektor i parë i kësaj lënde në Fakultetin e Mjekësisë për studentët dhe për specialistët pasuniversitarë.

Reumatologjia ishte zgjedhje juaja?

Nuk është se e zgjodha unë. Atëherë të caktonte tjetërkush. Unë u emërova pasi u transferova nga fshatrat e Elbasanit. Atëherë nuk kishte konkurse, të kapte fati, ndoshta dhe miqësia. Ua di për nder atyre që më emëruan në reumatologji, pavarësisht se i plotësoja të gjitha kriteret, mesataren dhe gjithçka tjetër.

Doktor, ju flisni për vite të tëra që keni kaluar në shëndetësi. Si dhe sa ka ndryshuar sistemi shëndetësor?

Kjo është pyetje shumë me vend. Vërtet që kam punuar në dy periudha të sistemit shëndetësor dhe kanë qenë dy periudha të gjata. Ka ndryshuar njeriu. Sot është i tërhequr shumë më tepër nga interesi personal, nga të mirat materiale, nga mënyra për të fituar me pak punë. Atëherë ndoshta ishim me sy të mbyllur, kërkesat ishin minimale, visheshim të gjithë njësoj, hanim të gjithë njësoj, banesat i kishim njësoj, të mobiluara të gjithë njësoj, pushimet vetëm në Durrës, pra, ishim brenda një unaze ku të gjithë aty rrotulloheshin. Nuk kishte ndoshta konkurrencë, nuk kishte rivalitet për të gjitha drejtimet e jetës. Ishim më të varfër, nuk e dinim se çfarë ishte bota. Mund të them që e vetmja kënaqësi ishte puna.

Ishte kënaqësi e madhe kur më binte në dorë ndonjë revistë ose libër profesional. Ishte kënaqësi që nuk di ta tregoj. Kur më ka dhuruar një herë një ish-professor i nderuar një libër që e kishte të vetin, jam lumturuar pa masë. Atij i erdhi një libër tjetër, traktat i reumatologjisë, tekst amerikan. Ishin një pjesë profesorësh që mund të siguronin ndonjë libër, por me kërksesa, me lutje. Isha moshë jo e vogël. Fillova ta përkthej atë libër dhe kur shikoj ato shënimet me laps që i kam shkruar, më duket një çmenduri. As nuk mund ta fotokopjoje.

Sot ka shumë literaturë, kam përshtypjen se njerëzit, sigurisht jo të gjithë, janë bërë më të cekët. Ndoshta dhe po shkojnë drejt prakticizmit, shkojnë shkurt në internet, në mediat online. Janë tej masës të rëndësishme, por nuk të thellojnë përtej në problematikat që duhet të dijë një mjek specialist i qendrës terciare, siç është QSUT.

Si do të reflektohet në të ardhmen kjo prirje e mjekëve të rinj drejt teknologjisë?

Ecën shkenca, evoluon mjekësia, ecën me tekonologji, dhe termi “high tech” që përdoret sot, pasqyron atë lidhjen e ngushtë midis teknikës dhe mjekësisë. Dashje pa dashje mjekësia do të ecë me hapat e teknologjisë. Ne nuk njihnim as rezonancën magnetike, as skaner, kur ka ardhur një eko për herë të parë këtu, ishte gjë e madhe, kush ta përdorte më përpara. Gjithsesi, brezit të ri të mjekëve i ngelet shumë për të bërë në drejtim të përgatitjes teknike shkencore. Mendoj që priren më shumë drejt prakticitetit për ta zgjidhur sa më lehtë, sa me më pak mund atë çfarë duhet.

Doktor, shumë nga sëmundjet për të cilat flitet sot, nuk njiheshin. Nuk kanë ekzistuar apo nuk diagnostikoheshin?

Kanë ekzituar që me krijimin e njeriut. Por me evoluimin e shkencës, teknologjisë janë perfeksionuar metodat diagnostike të trajtimit të të sëmurit. Janë po këto sëmundje, por nuk diagnostikoheshin, diagnostikoheshin me shumë vonesë, sot kapen në faza fillestare si pasojë e vendosjes së pajisjeve.

Thatë që pas specilizimit u vendosët shef, cilat ishin sfidat e para me të cilat u përballët?

Nga shefat e klinikës, jam më i riu i emëruar në QSUT. Isha 37 vjeç. Me atë idealizmin të fus diçka të re. Me vështirësitë e kohës. Jam munduar të fus disa lloje të reja mjekimesh të panjohura për klinikën tonë.

A ndiheni i vlerësuar për punën që keni bërë dhe vazhdoni ta bëni?

Nga pikëpamja morale, ndihem i vlerësuar nga pacientët. Është një nga kënaqësitë e jetës së një mjeku. Nga pushteti, nga instancat drejtuese, aspak. Nuk mbaj mend ndonjëherë në këto 25 vjet që të ketë ardhur dikush e të më ketë thënë “Bravo të qoftë!” apo “Jazëk të qoftë!” Një indiferentizëm i tillë e zbeh shumë punën e mjekut.

Argjend Tafaj (2)Mos duhet të ishit përfshirë në politikë?

Nuk kam qenë aktivist politik, pavarësisht pikëpamjeve të mia politike. I përkas edhe me prejardhje, një shtrese të djathtë, por mendoj që këtu nuk ka të djathtë. Këtu janë të gjithë të majtë, të kamufluar me ngjyra të ndryshme. Nuk kam pritur as nuk ia kam shtrirë dorën asnjë partie, asnjë rryme politike, as nuk kam menduar ndonjëherë. As nuk kam çuar nëpër mend vetë apo familja ime të përfitojë në mënyrë të padrejtë nga mbështetja e kokës ndaj ndonjë force politike.Ççdo gjë e ka me bërë me krahët e mi, me shpatullat e mia dhe këtë ia kam induktuar edhe fëmijëve të mi.

Do ta pranonit një vend në politikë?

Pushteti nuk më desh as për shef klinike. Unë isha me titull profesor dhe më zëvendësoi me një “Doktor shkencash”.

Çfarë është kënaqësi për një mjek?

Në këto raste nuk ka kënaqësi. Aty ndihesh i demotivuar. Pas një pune 35-vjeçare të të heqin për të zëvendësuar me dikë që nuk meriton të jetë në atë vend pune me titull shumë më poshtë sesa ti…

Është kënaqësi kur nxënësi del më i zoti se mësuesi, por kur nxënësi e çon dëm atë punë që ti e ke ngritur me thonj, me sakrifica, atëherë… E çon 10-15 vjet më mbrapa. Kjo është tej mase demotivuese.

Nëse vazhdojmë t’i trajtojmë profesorët në këtë mënyrë, çfarë minusi i japim sistemit shëndetësor?

Ju vini re që nuk ka më profesora që të prononcohen në organet e shtypit. Gjithmonë u shmangen gazetarëve, mediave vizive, të shkruara. Arsyeja është se janë të demotivuar, janë të pakënaqur, janë të mërzitur.

Doktor, ju keni një fluks shumë të madh pacientësh çdo ditë… Si arrini ta ruani qetësinë pas gjithë kësaj pune?

Si e ruaj qetësinë? Që ta bësh punën, si në çdo profesion, profesionin duhet ta dashurosh. Nëse nuk e dashuron profesionin, nuk bëhesh kurrë profesionist. Unë e dashuroj. Kur them e dashuroj, ndoshta e banalizoj me këtë që them, por edhe po më thanë që do punosh kaq muaj pa pagesë, mendon që do iki? Sigurisht që jo! Kjo bën të mos mërzitem. Sigurisht që kam edhe unë problemet e mia shëndetësore, familjare, financiare, por për mua përparësi ka i sëmuri.

Keni menduar ndonjëherë ta lini Shqipërinë, QSUT-në? Ju e dini që në spitalet jashtë vendit standardet janë ndryshe, për shembull zyrat nuk janë kaq të ftohta sa kjo juaja…

Në vitin që unë kam bërë specializimin jashtë (kam bërë disa), një nga profesorët në Sapienca në Romë , më tha të rrija atje. Ishte profesor që kishte simpati për shqiptarët. Por unë u ndjeva i ofenduar nga ajo që tha. I thashë: “Unë vij me financimet e shtetit shqiptar, kam të sëmurët e mi. Më presin mua për të parë, për të mësuar”. Isha shefi i klinikës.

A jeni penduar për këtë zgjedhje?

Pavarësisht atyre që thashë për qëndrimin e  pushtetit, absolutisht nuk jam penduar. Jam mjek që u shërbej njerëzve dhe kjo më jep kënaqësi. I sëmuri, familjari kujton atë që ti ke bërë për të, të përshëndet, këto janë kënaqësi. Nuk më intereson si më trajton pushteti.

Po ardhjen e mjekëve të huaj në Shqipëri si e vlerësoni?

Shqipërisë nuk i bën keq ardhja e mjekëve të huaj. Rrit konkurrencën, na vënë ne në pozita, sidomos nëse janë mjekë që mund të bëjnë më shumë sesa ne. Nuk më takon të vlerësoj aftësinë e tyre profesionale. Por jam kundër mbështetjes që i bën shteti në mënyrë preferenciale klinikave me mjekë të huaj, duke i kthyer kurrizin në ndonjë rast klinikave shtetërore.

Përmendët që edhe bashkëshortja juaj është gjithashtu mjeke. Sa e vështirë është për dy mjekë të ndërtojnë dhe të mbajnë një familje të shëndetshme?

Unë kam time shoqe mjeke, kam edhe dy fëmijë mjekë. Bashkëshortja ime ka punuar pediatre në një poliklinikë lagjeje në Tiranë. Kam vajzën mjeke. Është gastro-hepatologe këtu në QSUT, kam një djalë që specializohet për kardiologji tani.

Ka qenë kjo zgjedhja juaj apo dëshira e tyre për t’u bërë mjekë?

Jo. Është zgjedhja e tyre. Unë kam dhe një vajzë tjetër që ka zgjedhur arkitekturën.

Ju jeni edhe profesor, lektor në lëndën e reumatologjisë. Cila është marrëdhënia me studentët?

Detyra kryesore imja krahas mjekut diagnostikues, mjekues, është edhe mësimdhënia. Jam lektor në lëndën e reumatologjisë, bëj dhe praktikën, jam hartues i leksioneve, hartues i të vetmit tekst të reumatologjisë. Mësimdhënia është një nga pasionet e mia. Vij nga një familje arsimtarësh. Ndoshta i edukuar edhe me frymën e një familje arsimtarësh. E ndiej veten mirë edhe pse vitet ecin. Studentët e mi të parë janë rreth 50 vjeç, ndërkohë studentët e fundit janë 20 vjeç. Përpiqem të jap maksimumin.

Thuhet që shkolla po shkon drejt degradimit, ju e besoni këtë?

Nuk po shkon drejt degradimit. Besoj thjesht që duhen gjetur metoda të reja për t’i përgatitur këta studentë.

Cilat janë sfidat e mjekëve të rinj?

Ka ikur koha e mësimit me librin. Merr librin, mëso, jep leksionin statike. Shoh që kur leksionet i zhvillon me raste konkrete, hedh teza, hipoteza, e mban studentin aktiv, ka një interes më të madh. I jemi borxhlinj brezit të ri.

5 Komente

  1. Dr.Argjendi eshte nje nga dr. me te mire qe kemi .Une jetoj ne Kanada prej vitesh dhe ketu nuk kam pare nje dr aq te pergatitur sa dr. Argjendi.I uroj jete te gjate dhe te lumtur me familjen e tij.

  2. persh Prof.Dr. Argjend Tafaj un jam me Rakitizmi ne gjoks te futur gjoksin brenda e kam pas qe ne mosh te vogel dhe do doja te beja nje kontroll nga ju me respekt k.b

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here