Bisedoi për “Shëndet+”: Denisa Canameti
Tajar Asqeriu është një emër që njihet nga një grup shumë i vogël njerëzish e pikërisht nga ata që kanë patur fatin e keq të përplasen në dyert e Traumës (Spitalit Ushtarak). Ndërkohë që nuk mund të themi të njëtën gjë për babanë e tij, Bujar Asqeriun, një aktor shumë i njohur. Pavarësisht se nuk ishin në një mendje për zgjedhjen e profesionit, duket se i bashkoi dëshira për të qenë të suksesshëm.
Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, doktor Tajari tregohet tejet modest, si dhe shpreh vullnetin e tij për të qenë gjithnjë në shërbim të njerëzve. Sa i përket mbiemrit, ai thotë se nuk e ka përdorur asnjëherë për të hapur dyert e jetës, përkundrazi, ka bërë përpjekje maksimale për të qenë sot në profesionin që, sipas tij, e zgjodhi me zemër.
Kush është Tajar Asqeriu?
Unë jam një mjek kirurg që ka studiuar për një kohë të gjatë në Rusi. Kam qenë atje 10 vjet. Pastaj u ktheva bashkë me bashkëshorten, të cilën e njoha në Rusi. Ajo është mjeke okuliste. Prej 5 vjetësh punoj në Spitalin e Traumës.
Njerëzit e lidhin mbiemrin tuaj me artin, ndërkohë që ju nuk përmendët diçka lidhur me këtë. Jeni djali i një prej njerëzve më të njohur të artit në Shqipëri, i Bujar Asqeriut…
Jam krenar që jam i biri i Bujarit. Ai është një njeri i njohur dhe i suksesshëm në profesionin e tij dhe unë dua të bëhem i suksesshëm në profesionin tim. Krenohem për mbiemrin. Krenohem jo vetëm për Bujarin, por edhe për gjyshin, edhe familjarët e tjerë të cilët edhe ata në pozicionin e tyre kanë qenë të suksesshëm. Ndoshta nuk kanë qenë të njohur, por të vlerësuar nga shoqëria.
Sa ka ndikuar mbiemri ose kjo lidhje në punën tuaj?
Unë nuk ekspozohem. Unë nuk është se u them të gjithëve që jam djali i Bujarit. Sigurisht që kur më pyesin, u them që jam, por përpiqem të eci vetë në hapat e mia, të krijoj individualitetin tim. Dhe që të mos jetë mbiemri ai që m’i hap dyert, por t’i hap vetë dyert e jetës.
Jeni penduar ndonjëherë për këto dyer që keni hapur? E thënë më qartë, jeni penduar ndonjëherë që keni zgjedhur mjekësinë? Ju e patë që për të zhvilluar këtë bisedë bashkë, pati shumë vonesa, për shkak se ju patët urgjenca…
Nuk jam penduar. Kjo ishte zgjedhja ime dhe në disa profesione shpesh duhet të sakrifikosh, përfshirë dhe kohën, për të arritur aty ku duhet.
Aktrimi nuk ka qenë zgjedhje as juaja, as e vëllait tuaj. Ka ndonjë hije pendese në familjen tuaj për këtë?
Unë mund të bëhesha aktor, sepse në shkollë të mesme jam angazhuar me trupën teatrore me aktivitete artistike. Bujari kishte momente që mendonte se unë do të zgjidhja aktrimin, do të ecja në rrugën e tij. Pastaj, në fund të gjimnazit bëra një hap krejt të vendosur nga ana ime, duke zgjedhur mjekësinë. Pashë që babi e priti me gëzim. Dhe më vonë m’u shpreh se realisht nuk kishte dashur që të zgjidhja aktrimin.
Mos ndoshta mjekësia është një zgjedhje për të ruajtur një lloj vijimësie intelektuale, niveli intelektual familjar?
Mjekësia është zgjedhje e zemrës sime. Unë i respektoj të gjitha profesionet, qoftë ato që kanë prestigj apo dhe ato që janë të nderuara, por nuk është se kanë ndonjë prestigj të lartë.
Meqë i njihni mirë të dyja profesionet, sa të vlerësuar janë në vendin tanë mjekët dhe artistët?
Të dy janë të respektuar. Sigurisht, varet edhe se për çfarë vlerësimi flasim. Vlerësimi monetar është shumë i varfër si për artistin, ashtu edhe për mjekun. Nuk vlerësohen as aktorët e rinj, as të vjetrit. As mjekët nuk kanë vlerësimin e duhur nga ana monetare. Flasim për spitalet publike, se spitalet private kanë tjetër sistem vlerësimi. Të dyja kategoritë janë të pavlerësuara.
Ndërkohë, cila është rëndësia e tyre për një vend?
Shumë e madhe. Sepse artisti ushqen shpirtin e njerëzve, ndërsa mjeku e mban gjallë atë. Fjala apo veprimi i tyre ka jehonë dhe dëgjohet shumë.
E ndjen këtë jehonë, këtë vlerësim në përditshmërinë tënde?
Njerëzit janë vlerësues. Kur punon mirë, me përkushtim, kur i gjendesh pranë të sëmurit në momente të vështira, më është krijuar ideja se njerëzit të vlerësojnë.
Nuk varet vetëm nga mjeku, as vetëm nga i sëmuri, as vetëm nga familjarët. Është një kontakt midis tyre. I sëmuri vetë duhet të jetë optimist dhe, në këtë rast, edhe vlerësimin për mjekun do ta ketë më të madh.
Shpesh në urgjencë hasim probleme me familjarët. Kjo sepse ne kur na sëmuret një i afërm, na pëlqen që t’i gjendemi të gjithë pranë. Për këtë përpiqem t’i mirëkuptoj. Mundohem me autoritetin e një mjeku që t’u shpjegoj pse nuk është mirë që t’i rrimë të gjithë te koka.
Si bluzë e bardhë a ndjeni që keni autoritetin që duhet të kishit?
Jo, autoriteti nuk është ai që duhet të ishte. Mentaliteti i njerëzve ndaj bluzave të bardha, për fat të keq, nuk është ai që duhet të ishte.
Për të bërë një qasje krahasimore meqë ju keni punuar e jetuar për shumë vite në Rusi. Cili është vendi që i jepet një bluze të bardhë në Shqipëri dhe cila në Rusi?
Është krejt tjetër gjë. Ne vazhdojmë të kemi një mentalitet të dobët në drejtim të respektit të figurës së mjekut.
Pse duhet të kthehet një mjek në Shqipëri?
Në rastin tim, u ktheva për të qenë afër familjes, për të qenë afër vendit tim. Nuk harrohet origjina, nuk harrohen prindërit, nuk harrohet komoditeti që të jep të qëndruarit me të afërmit e tu, dhe të flasësh në gjuhën tënde.
Çfarë e bën më të mirë një mjekësi?
Investimet që bën qeveria.
Ne nuk bëjmë investime apo nuk njohim prioritetet?
Ndoshta nuk investojmë tek gjërat elementare dhe investojmë në luks. Ndonjëherë mungojnë aparatura nga më të thjeshtat, ndërkohë që kemi aparatura shumë moderne. Them të fillojmë nga gjërat e vogla, që i kemi të domosdoshme.
Nëse do të jepet mundësia për t’u kthyer sërish në Rusi, do të kthehesh?
Në Rusi kthehem herë pas here, për të rikujtuar kohën e bukur studentore në një vend kaq të madh gjeografikisht dhe me vitalitet intelektual. Sigurisht, edhe për të ritakuar miqtë.
Familje me dy mjekë, punë pa axhendë, pa kohë, me stres, me ankth. Si mendoni që do të reflektohet kjo në familjen që do të krijoni në të ardhmen ?
Të jesh familje ku të dy jemi mjekë, për mua është komoditet. E kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Me një tjetër profesion nuk kuptohen ato orët e gjata në punë, nuk kuptohen që duhet të rrish në spital apo që duhet të vish në punë në 12 të natës.
Unë nuk do të mungoj me javë të tëra në familje. Për shembull, babai im ka munguar shumë në shtëpi, sepse jepte shfaqje në vende të ndryshme. Në vitet ‘80 ka qenë kulmi i kinematografisë dhe babai thuajse nuk ishte. Unë kam komoditetin të jem në një qytet dhe mund të gjej hapësira për familjen.
Doktor, cilat janë pritshmëritë tuaja për punën?
Dua të punoj sa më shumë, të bëj sa më shumë operacione.
Kur mjekët kanë kaq shumë vullnet për të punuar, pse është krjuar bindja midis njerëzve që mjekët janë jo humanë dhe të korruptuar?
Ndoshta ekziston një pjesë që e ka kthyer punën më shumë në biznes. Por ata nuk janë të lumtur. Një person i lumtur është ai që e bën punën me pasion, me dashuri. Nuk shikon fitimin, por jetën e njerëzve.
Çfarë ua ka dhënë njerëzve këtë perceptim?
Braktisja që iu është bërë ndër vite bluzave të bardha. Kjo nuk është diçka e krijuar tani, është e trashëguar. Është sistemi që i ka viktimizuar mjekët.
A ka një porosi apo një parim që e keni të marrë prej familjes suaj dhe që mundoheni ta respektoni?
Ndiq zemrën dhe qëndro gjakftohtë në të menduar.
E zbaton?
Përpiqem.
Me babanë: E ke shoqëruar ndonjëherë në shesh xhirimi? Mban mend ndonjë moment që ia vlen ta kujtosh?
Po, mbaj mend një moment që babai ma kujton gjithmonë. Po xhirohej në Pogradec filmi “Inxhinieri i minierës”. Shkuam bashkë me mamin. Mbaj mend që ishte një moment ku do të bëhej një vallëzim. Partnerja e babit ishte Yllka Muja. Unë isha në prapaskenë dhe në ato momente kur babi po vallëzonte, i tregoja grushtin, me idenë që “ta rregulloj unë qejfin te mami” (qesh).
Me mamanë
Me mamin kam qenë në shtëpi gjithë kohës. Mamaja ime është mësuese. Është edhe mësuesja ime. Ajo ka qenë edhe prind, edhe mësues për mua.
Me vëllanë
Ai jeton dhe punon në Itali. Jemi larg për fat të keq, por nëpërmjet elektronikës së zhvilluar tanimë mund të shihemi me shpesh. Ka një vajzë të vogël të cilën e duam shumë. Ka kaçurrelat e Bujarit.



