Artur Nura: Betimi i hipokratit apo i hipokritit? Nuk është faji i mjekëve!

Ndodh shpesh që moderatori identifikohet nga formati që drejton, në rastin e Artur Nura ndodh e kundërta. Një karrierë e gjatë në fushën e gazetarisë, suksese të njëpasnjëshme, intervista me figurat më të rëndësishme të politikës dhe shëndetësisë sot, është ajo që Arturi përcjell për të gjithë ata që e njohin si një person publik. E ndërsa përtej ekranit mund të thuhet me plot gojë se kemi të bëjmë me një baba dhe bashkëshort shëmbullor, i cili me gjithjë angazhimet e shumta përpiqet gjithmonë të gjejë sa më shumë kohë për të qëndruar pranë të dashurve të tij…Si e balancon marrëdhënien punë – familje? Si duket situata politike e krijuar së fundmi në sytë e Arturit? Çfarë mendon ai për sistemin shëndetësor në Shqipëri? Të gjitha këto mund t’i lexoni në intervistën më poshtë…

Një gazetar si Arturi, moderator i një emisioni që shpesh herë fokusohet edhe në çështjet e shëndetesisë, ëfarë mendon për sistemin shëndetësor në Shqipëri?

Të them të drejtën, problematikat nuk mungojnë. Në eksperiencën time shumëvjeçare në të cilen kam bërë jo pak emisione për shëndetësinë, më duhet të ndaj 2 elementë kryesore. Pjesa më e madhe e mjekëve mund të konsiderohen si heronj, pasi punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira të shoqërisë që jemi, shoqëri në zhvillim. Të shkosh në QSUT, përballesh me një realitet të vështirë, me njerëz të pa organizuar, për një pacient vijnë 10 veta. Është e njëjta gjë si të jesh duke intervistuar dhe të të vijnë vazhdimisht njerëz në tavolinë, shqetësohesh! Imagjino mjekun në çfarë tension ndodhet, duke u përballur dhe me një pagë relativisht të ulët. Pra është problem i sistemit në shqipëri. Mua më ka rastisur të bëj emisione në favor të mjekëve dhe pse jo duke bërë oponencë për kolegët. Shpesh here shkojnë emisione investigative  duke kapur një mjek që merr lek në dorë, unë mendoj që kjo situatë është problematike sepse kemi të bëjmë me shkelje të ligjit. Gazetari nuk është fotograf, por duhet ta marrë një fotografi dhe ta interpretojë atë. Ka pasur raste ku një mjek që ka X të ardhura investigohet nag një gazetar që paguhet X here Y të ardhura. Një mjek parimisht shpëton një jetë në muaj dhe paguhet shumë modestisht, ndërsa një gazetar sigurisht ka një vlerë të jashtzakonshme por diçka e tillë do përgjegjësi të madhe. Së fundmi është futur dhe sistemi universal i cili është i gabuar dhe nga intervistat që kam bërë mjekët nuk më rezultojnë të kënaqur. Prandaj sipas meje duhet gjetur kurajo për ta zgjidhur këtë çështje. Sistemi shëndetësor mund të them se është gati kaotik, njerëzit paguajnë duke e bërë mjekun në vend që të respektojë betimin e hipokratit, të bëjë betimin e hipokritit prandaj dhe unë nuk ja vë fajin mjekut. Sipas mendimit tim sistemi mund të gjendet vetëm duke u konsultuar në mënyrë sa më të gjerë me grupet e interesit, mjekët, shoqatat e pacientëve.

Ke ndonjë histori personale lidhur me spitalet dhe a ka ndikuar të qënit person publik në mënyrën si trajtohesh atje?

Për fat të keq ndikon. Puna e mjekut është një punë që duhet vlerësuar, pasi në parim një mjek shpëton një jetë në muaj ndërsa ne si gazetarë shpëtojmë jetë në forma të ndryshme por nuk mund ta arrijmë kurrë në këtë koefiçient punësh që bën mjeku dhe shteti duhet të jetë i kujdesshëm. Unë kam shkuar për problematika personale apo familjare dhe më është përgjigjur në vazhdimësi mjeku, në mënyrën më optimale, por nuk mund të merret si etalon matës eksperienca e e një personi publik.

Mjeku që viziton më shpesh?

Nuk jam i kulturës perëndimore për fat të keq, që të shkoj të bëj kontroll një herë në 6 muaj. Kjo mbase ndodh për shkak se jeta ime ëshët mjaft e ngjeshur, unë dal në mëngjes dhe në darkë mbaroj punë.  Kjo është diçka që duhet zgjidhur, një çhek-up mbase jo një herë në 6 muaj por 1 herë në vit është e nevojshme. Strategjia e kësaj qeverie për të ndërtuar një sistem kontrolli është e nevojshme vetëm se u ndërtua në mënyrë të gabuar. Është një investim që i shërben shtetit, xhepit familjar dhe i bën mirë shëndetit, parimisht influencon në jetëgjatësi. Nëse do të ishte bërë si duhej do të ishte padyshim një kursim i shtetit për një shoqëri të shëndetshme.

Duke qenë se në emisionet e tua dhe së fundmi në “Versus” ke pasur rastin të kesh përballë shumë nga figurat politike, kush nga ata të duket më interesant?

Nëse do qëndrojmë tek shëndetësia mund të them se Petrit Vasilin kryetarin e ri të LSI-së, e kam intervistuar që kur ishte shef kabineti, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, kur  ka qënë Ministër Shëndetësie dhe gjithashtu e kam intervistuar dhe si politikan. Pa dyshim mund të them që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shëndetësi dhe duhet thënë se i ka provuar të gjitha shkallët e karrierës, në planin politik por dhe shëndetësor. Mendoj se është një nga profesionistët e hartimit të politikave në sistemin shëndetsor. Sigurisht kam intervistuar mjekë shumë të mirë,  si Mihal Tase me të cilin kemi diskutuar për sistemin e pagesave në shëndetësi, ndihmën që duhet t’i japë media shëndetësisë, apo dhe Arben Gjata, rektorin e Universitetit Mjekësor, në kohën kur ka qënë rektor.

Po më reali?

Mendoj se politikani më rentabël, vendimmarrës që ka influencuar në shoqeri në këto 27 vite pluraizëm ka qënë Sali Berisha. Mendoj se ka patur rol në zhvillimet pluraliste të shqipërisë. Mund të përmend edhe Fatos Nano, i cili kujtohet për kontribute pozitive në historinë e politikës shqiptare. Ka demokratizuar partinë socialiste shqiptare duke ndërtuar sistem demokratik në mënyrën e thithjes së mendimit, gjë që mua nuk më rezulton sot të jetë kaq efiçent. Edhe Edi Rama është personazh që ka influencuar jo pak, pasi ka një jetë të gjatë në pushtet në segmente të ndryshme. Por në konceptin tim personal ka ndenjtur më shumë se sa politikan, një artist, mendimtar, instrument i rëndësishëm piari. Në momente të caktuara më shumë se sa Kryeministër ka qënë drejtor piari në Kryeministri. Edhe Ilir Meta është ndër politikanët që kanë kontribuar, sigurisht nuk flas në terma juridikë pasi nuk mund të vë dorën ën zjarr për asnjë nga politikanët. Idealizmi ën politikë është nëj term jashtë loje, kush hyn idealist, nuk del i tillë.

Çfarë mendon për situatën politike të krijuar së fundmi në vend? Ku do dalim?

Shpresoj të kemi një zgjidhje sa më pozitive, por premisat nuk janë optimale. Shpresoj se do kemi ndërhyrje të ndërkombëtarëve. Për fat të keq kur dy fëmijë nuk merren vesh, duan një të rritur ti marrë përdore ti pajtojë, ti çojë drejt një rruge të drejtë. Politika shqiptare sipas meje është një fëmijë i pabindur, emocional, gjaknxehtë, gjë e cila nuk është shumë pozitive. Unë dje diskutova në “Versus” për politikën dhe ekonominë dhe më rezulton si nga ekspertët e ekonomisë dhe nga ekonomistët e politikës se gjith kjo suituatë përkthehet në kosto për vendin.

Të kalojmë në një atmosferë tjetër pyetjesh. Me gjithë angazhimet e përditshme, sa të del koha të ushqehesh si duhet?

Unë mundohem të mbaj një regjim, mbase të duhurin jo, por përpiqem të qëndroj sa më i shëndetshëm. Bëj gjimnastikë në mëngjes, pasi zgjoj fëmijët  për të shkuar për shkollë. Pasi ata bëhën gati unë vazhdoj bëj pak gjimnastikë. Përgjithësisht nuk dal pa ngrënë mëngjesin dhe mundohem të konsumoj gjërat më të mira, brenda mundësisë. Familja ime është e rregullt, mundohemi ushqehemi mirë. Në periudha të caktuara, për arsye pune e haja drekën jashtë, kam rreth 3 vite që i kam vënë detyrim vetës të ha në shtëpi sëbashku me familjen sepse e kuptova që i kisha munguar fëmijëve dhe bashkëshortes. Përpiqemi të konsumojmë zarzavate dhe ftuta.

Kush gatuan në shtëpi?

Gatuan gruaja ime. Kam pasur rastin vetëm të skuq vezë (qesh).

 Ke ndonjë ushqim të preferuar?

Përgjithesisht gjellët. Ne kemi kuzhinë turke faktikisht, përdorim shumë lugën dhe në shtëpi këto konsumojme. Fëmijët për fat të keq nuk i preferojnë shumë pavarësisht se mundohemi t’u interpretojmë pse duhen ngrënë gjellërat me zarzavate dhe mish. Ata  janë më shumë të fokusuar tek ushqimi tradicional amerikan, këtë e ve re edhe kur shkojmë për ndonjë drekë jashtë, gjatë fundjavave. Nuk zgjedhin kurrë peshk!

Meqënëse fole për fëmijët sa femije ke?

Kam 2 Fëmijë. Brendon 17 vjeç dhe Anxhela 12 vjeç.

Sa kohë shpenzon me fëmijët dhe bashkëshorten?

Po përveç mëngjeseve kaloj shpeshherë dhe darkat. Duke qënë se gazetaria sot ka kaluar në internet, mund të punoj edhe në shtëpi, pra jam në ambientet e shtëpisë ku dhe jam më afër familjes.

Një mesazh per lexuesit

Lexoni dhe jini sa më racionalë. Kultura e të lexuarit është një kulturë e munguar në shoqërinë shqiptare dhe duke folur si gazetar, kjo më ka shqetësuar. Dikur kam ndërtuar një instrument mediatik si një emision me telefonata dhe kjo është mundësi shumë e mirë që të gjithë të marrin informacionin e nevojshëm pa qënë nevoja të lexojnë faqe të gjata. Edhe emisionet apo gazetat që kanë fokus specific janë një mënyrë shuëm e mirë për t’ju mbajtur të informuar lidhur em atë që ju intereson. Prandaj ju them të gjithëve informohuni sa më shumë  dueke lexuar gazetën “Shëndet +” dhe duke parë emisionin “Versus” (qesh). / Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën