Fjalori e përkufizon “autonominë” si cilësinë ose gjendjen e të qenit vetëqeverisës, vetekzistues apo i aftë për të ekzistuar në mënyrë të pavarur. Çfarë është sot relevante dhe e rëndësishme është efekti i shkallës së autonomisë për funksionimin e spitalit në atë masë që ajo promovon rezultatet pozitive dhe redukton rezultatet negative
Për gazetën “Shëndet+”, Rudina Degjoni
Në shoqëritë moderne kujdesi spitalor është bërë një pjesë thelbësore e infrastrukturës së ekonomive kombëtare. Kujdesi spitalor është një ndër kushtet bazë për ekonomi dinamike dhe të suksesshme, ashtu si dhe shkollat dhe universitetet e mira apo një sistem efektiv transporti. Një kujdes spitalor i menaxhuar keq është jo më pak i dëmshëm për një ekonomi kombëtare se sa një rrjet rrugor jo eficient. Në esenë e tij të famshme “Politika si një Profesion”, sociologu i njohur Max Weber e përkufizoi politikën si “arti i shpimit të kompensatës” (Weber 1919, p.88). Kjo është veçanërisht e vërtetë për politikat shëndetësore të mbuluara me rrjeta të ndërlikuara dhe shpesh kaq shumë të ngatërruara për t’i gjetur fillin. Në vendin tonë shërbimi spitalor publik është lojtari më i madh që luan rolin kryesor në mirëqenien e shoqërisë shqiptare. Është e pamohueshme se shërbimi spitalor publik ka një rol të rëndësishëm në përmbushjen e nevojave shëndetësore të popullatës, veçanërisht për të “paprivilegjuarit financiarisht”. Spitalet publike tek ne kanë nevojë për autonomi menaxhuese, financiare dhe kontraktuese në mënyrë që të kenë mundësi të operojnë më me zhdërvjellësi, më me efikasitet, duke iu përgjigjur ndryshimeve të tregut spitalor.
Fjalori e përkufizon “autonominë” si cilësinë ose gjendjen e të qenit vetëqeverisës, vetekzistues apo i aftë për të ekzistuar në mënyrë të pavarur. Çfarë është sot relevante dhe e rëndësishme është efekti i shkallës së autonomisë për funksionimin e spitalit në atë masë që ajo promovon rezultatet pozitive dhe redukton rezultatet negative. Në rregulloret për spitalet publike, fjala “autonomi” nuk përdoret, megjithëse Neni 11 i Ligjit Nr. 9106 dt. 17.07.2003 Për Shërbimin Spitalor në Republikën e Shqipërisë përcakton se spitalet funksionojnë mbi baza pavarësie, e në këtë rast ligji përdor fjalën pavarësi e cila për qëllime praktike funksionale mund të konsiderohet si autonomi, gjithashtu ligji ka parashikuar dhe ngritjen e autoritetit spitalor të qarkut dhe të bordit të spitalit, por aktualisht që prej vitit 2003 e deri më tani këto borde nuk janë ngritur asnjëherë me përjashtim të spitalit rajonal pilot të Durrësit. Pra, autonomia spitalore në kontekstin e sistemit tonë shëndetësor mund të përkufizohet si masa në të cilën vendimmarrja lidhet me çështje të menaxhimit të përditshëm të spitalit, të menaxherit të spitalit, me burimet njerëzore, buxhetimin, financat, menaxhimin klinik, prokurimet, kontraktimet të cilat në finale i delegohen bordit drejtues të spitalit. Fjala autonomi spitalore i referohet në masën e vendimmarrjes së decentralizuar gjashtë fushave kryesore të menaxhimit spitalor dhe ato janë të:
- Menaxhimit Strategjik Spitalor: Spitalet publike zbatojnë sot strategjitë kombëtare të shëndetësisë dhe politikat shëndetësore të aprovuara nga MSH-ja. Kalimi i tyre me autonomi spitalore do të thotë që bordi drejtues i spitalit autonom do të aprovojë strategjitë dhe politikat e zhvillimit si dhe do të hartojë programet tekniko financiare, programet tekniko shëndetësore të aktivitetit spitalor në përputhje me politikat shëndetësore, si dhe hartimin e planit të zhvillimit strategjik të shërbimeve spitalore universitare bazuar në ligjin e arsimit të lartë dhe atij të kërkimit shkencor.
- Menaxhimit administrativ spitalor: Menaxhimi administrativ spitalor rregullon funksionin administrativ të bordit të spitalit përmes statutit të tij funksional. Ky menaxhim rrit ndjeshëm rolin dhe kompetencat e bordit të spitalit me autonomi, si dhe përgjegjësinë funksionale të drejtorit të spitalit me autonomi për të gjitha çështjet si ato të planifikimit strategjik, organizimit spitalor, kontrollit spitalor, koordinimit të brendshëm dhe të jashtëm spitalor, financimin, burimet dytësore të të ardhurave, burimet njerëzore, blerjet, kontraktimet, menaxhimin e cilësisë, marrëdhëniet e forta me pacientin etj. Rregulloret aktuale të cilat drejtojnë shërbimin publik spitalor, sigurojnë udhëzime të paplota mbi strukturën e kërkuar të drejtimit apo dhe të drejtat, përgjegjësitë që lidhen me menaxhimin e spitaleve.
- Menaxhimit të prokurimeve spitalore: Aktualisht, forma dhe mënyra e prokurimeve publike që aplikohen për spitalet publike ka krijuar çështje që lidhen me prokurimin e barnave, pajisjeve mjekësore, materialeve mjekësore duke shkaktuar vonesa, mungesë stoku, por dhe në shumë raste evidentimin e skadencave në magazinat spitalore. Menaxhimi i prokurimeve spitalore nëpërmjet autonomisë spitalore lind nevojën e hartimit të rregulloreve të brendshme të veçanta spitalore sipas prokurimeve, bazuar kjo në ligjin për prokurimin publik duke përfshirë dhe dispozitat e veçanta për prokurimin e farmaceutikëve që t’i lejojë spitalit autonom publik fleksibilitetin për të ekuilibruar ofertën me kërkesën. Një sistem spitalor i decentralizuar autonom rezulton nga delegimi i përgjegjësive operacionale bordit drejtues të spitalit, kështu përkufizimi i autonomisë spitalore i drejton spitalet publike një hap përpara, nga një spital plotësisht publik drejt një modeli të spitalit autonom në mënyrë që t’u bëhet e mundur përmbushja e përgjegjësive dhe pritshmërive të menaxhimit të prokurimeve të tyre sipas nevojave dhe planifikimit spitalor.
- Menaxhimit financiar spitalor: Dihet që spitalet tona publike janë institucione jofitimprurëse, prandaj nuk mund të lidhen thjesht me termin kosto-eficient. Në këtë mënyrë vlerat publike shkojnë përtej objektivave bazuar në rezultat dhe efikasitet. Aktualisht vendi ynë renditet ndër vendet me shpenzime të kujdesit spitalor nga më të ultat krahasuar me shpenzimet në buxhetin spitalor të vendeve Evropiane. Historiku i financimit të spitaleve publike në vendin tonë nis në vitin 2009 i realizuar nëpërmjet procesit të kontraktimit të spitaleve me institucionin financues të asaj periudhe. Ky proces u iniciua me vendimin Nr. 1661 dt. 28.12.2008 të KM, ku përcaktoheshin qartë mënyrat dhe elementet e kontraktimit, sidomos mënyra e pagesës së burimeve njerëzore të spitaleve. Vendimi u mbështet në ligjin Nr. 7870 dt. 13.10.2004, Për Sigurimet Shëndetësore në RSH, të ndryshuar Ligji Nr. 9106, dt. 17.07.2003 Për Shërbimin Spitalor në RSH i cili parashikoi dhe listën e shërbimeve spitalore që duhej të ofronte një spital publik sipas nivelit të tij Rajonal, Bashkiak dhe Universitar. Kështu, menaxhimi dhe kontraktimi deri në ditët tona kryhet me 40 spitale, nga këto 24 spitale publike të nivelit bashkiak, 11 spitale publike të nivelit rajonal dhe 5 spitale publike të nivelit Universitar. Nisur nga ky fakt, realiteti i spitaleve tona publike pasqyron se menaxherët e spitaleve kanë aftësi të kufizuara për të gjeneruar të ardhurat spitalore dhe për të akorduar burimet për përmbushjen e kërkesës së tregut sepse autoritetin mbi vendimet e tyre e kanë organet e centralizuara. Financimi i spitaleve publike është realizuar përmes taksimit të përgjithshëm, shpërndarja e buxhetit është bazuar në procesin e buxhetit historik dhe jo në evidencë nevojash spitalore (p.sh. numri rasteve për diagnozë, numër pacientësh). Spitali menaxhon një buxhet të ndarë sipas kategorizimit duke mos patur liri lëvizjeje nga një zë i buxhetit në tjetrin sipas nevojave që mund të ketë spitali. Por, me autonominë spitalore, menaxhimi financiar i spitalit do të bazohet në faktorët e qenësishëm dhe së bashku me të ardhurat dytësore do të realizojë menaxhimin e tij financiar dhe përdorimin e të ardhurave dytësore pa kufizime, përsa i përket aprovimeve burokratike e të centralizuara paraprake apo dhe ndarjes në artikuj të përcaktuar në përqindje. Ky menaxhim financiar do të miratojë politikat si pjesë e procesit buxhetor që do të jenë në varësi të nevojave reale të spitalit, do të krijojë mundësinë e hapjes së llogarisë bankare të spitalit publik autonom duke siguruar kështu pavarësinë nga sistemi i thesarit. Sot, dhënia dhe rritja e aksesit të financimit spitaleve private, pothuajse e ka rritur ndjeshëm dhe nevojën e spitaleve publike të konkurrojnë lidhur jo vetëm me cilësinë, por dhe me kostot me të gjitha spitalet private të financuara.
- Menaxhimit të burimeve njerëzore spitalore: Menaxhimi autonom i burimeve njerëzore spitalore konseston në menaxhimin në mënyrë të tillë që do të rrisë aftësitë e tyre për të ruajtur kompetencat e burimeve njerëzore brenda dhe jashtë ambientit spitalor. Të gjithë jemi koshientë se ekzistojnë situata që ilustrojnë dobësitë e një sistemi të ofrimit të shërbimeve shëndetësore duke u menaxhuar me një burokraci shumë të centralizuar. Për shembull, personelit që punon në sektorin publik i mungon motivimi për t’u marrë me volumin e madh të punës për shkak të sistemit fiks të pagave, rregullave dhe rregulloreve të rrepta të menaxhimit të burimeve njerëzore në disa prej spitaleve publike. Përveç kësaj mungojnë sistemet e efikasitetit për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie të burimeve të spitaleve publike të cilat lënë shumë për të dëshiruar për përmirësim. Edhe pse burimet njerëzore në sistemin spitalor janë një nga levat më më të rëndësishme të sistemit spitalor, ai duhet konsideruar si komponenti më i rëndësishëm për rregullimin e suksesshëm të kujdesit spitalor shëndetësor, ky fakt ka të bëjë me mobilizimin, motivimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor, në mënyrë për të arritur qëllimet e shëndetit. Për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin e spitaleve publike, rekrutimi, promovimi dhe shpërblimi janë çështje të cilat duhet të qeverisen nga njësitë menaxhuese të spitalit. Bordit drejtues së spitalit i duhet deleguar funksioni i emërimit dhe largimit të drejtorit të spitalit, bazuar në kualifikimet e tyre dhe masave objektive të performancës së tyre.
- Menaxhimit klinik spitalor: E parë në këtë kontekst menaxhimi klinik në spitalet me autonomi do të realizojë ndjeshëm sigurimin tek pacientët me shërbime klinike efikase. Për të zhvilluar, mbështetur dhe çuar përpara një infrastrukturë të informacionit klinik për pacientin menaxhimi klinik do të krijojë prekursorë të caktuara klinike dhe organizative, të tilla siç është përfshirja e stafit mjekësor, përvoja në përmirësimin e cilësisë dhe aftësinë për të përmbushur nevojat e të dhënave klinike për kujdesin spitalor. Kjo do t’i hapë rrugën nga ana administrative dhe mjekësore zhvillimit të një vizioni për sistemin e informacionit klinik brenda spitalit. Përmirësimi i menaxhimit klinik të kujdesit dhe efikasiteti i proceseve të kujdesit spitalor do të përfshijë ndryshime të ndërlikuara në kulturën organizative klinike spitalore, si dhe në proceset, praktikat dhe të sistemit të informacionit në tërësi të atij mjekësor, teknologji klinike, personel klinicist dhe të dhëna klinike. Spitalet autonome publike nëpërmjet menaxhimit të tyre klinik do t’u shërbejë pacientëve në mënyrë të përshtatshme përsa i përket kujdesit profesional, normave të etikës dhe mjedisit të përshtatshëm klinik.
Në këtë drejtim, duke krijuar spitalet publike me autonomi, krijohet një formë e re decentralizimi spitalor, sepse spitali publik me autonomi është në thelb një formë e decentralizimit e cila e adreson ndarjen e përgjegjësive organizative, menaxhuese, administrative, financiare si një përpjekje për të rritur volumin potencial të rritjes së mirëqenies së shoqërisë shqiptare.
