Nga Anisa Daci
Korrupsioni, një realitet i pamohueshëm në sektorin e shëndetësisë, është padyshim kriza më serioze etike në mjekësi sot. Por Kryeministri Edi Rama vijon të fshihet pas togfjalëshit “Përgjegjësia është individuale”, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për skandalet dhe dështimet e qeverisjes së tij. Madje me “të qeshur me të ngjeshur” i ngërdheshet, edhe skajit më fundor të hierarkisë së fajit.
Ai vijon të sulmojë dhe bëjë përgjegjës mjekët për kalbjen dhe rrënimin e sistemit, ndonëse vijon dhe promovon fasada.
Sipas kryeministrit njollë e sistemit është sjellja e mjekëve.
“Nëse do të na shpikni edhe një vaksinë për virusin e mospërfilljes ndaj pacientëve, në raste të caktuara, do të ishte shumë mirë sepse unë që për shkak të punës e njoh sistemin nga brenda më shumë se sa një njeri që thjeshtë mund të vijë në spital ose mund të ketë ardhur në spital, – e di shumë mirë që pjesa dërrmuese mjekëve janë super, edhe bëjnë shërbim, por mjaftojnë pak individë që janë “të pavaksinuar” me normat e edukatës dhe të etikës në punë, për të shkatërruar imazhin e të gjithëve dhe për të hedhur poshtë punën e përbashkët që po bëjmë dhe që nuk ka koment. Këtu e dimë shumë mirë si ka qenë, e shohim si bëhet përditë. Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje. Kam një hernie inguinale – që i kam mësuar edhe emrin – se kësaj diskales nuk i kërkoj mjek sepse punoj me forcat e mia, me stretch, me vetëpërmbajte përpara ushqimit që të mos rëndoj shumë mbi kolonën e lodhur nga basketbolli, po kësaj inguinales mesa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do vij prapë me shumë kënaqësi. Unë i them të gjithë atyre që ndodh që më shkruajnë mesazhe, i them “shkoni në spitalin publik, shkoni në spitalin qendror se aty jeni jashtë shteti”.
Ndërkohë fasada duhet të stamposet edhe në fytyrat e tyre, me buzëqeshje të shtirura, përballë fytyrave “të rrënuara” të pacientëve, të cilëve nuk iu ofrojnë dot as ilaçet.
Bashkangjitur linku i denoncimit nga
Together for Life:http://https://shendeti.com.al/deshmi-nena-vuan-nga-leukemia-dhe-rrezikon-jeten-per-shkak-te-mungeses-se-ilacit-tasigna-askush-nuk-pergjigjet/
“ Ata që e besojnë vijnë e thonë: ishte e paparë. Ata që s’e besojnë thonë: propaganda e rilindjes. Çfarë të them unë i shkreti?! Si piktor duke lexuar fytyrat, mund të them që më dukeni në formë. Uroj që të mos gabohem edhe uroj shumë që këto buzëqeshje të mos ia kurseni askujt që vjen këtu për shërbim. Një buzëqeshje e mjekut është më shumë sesa një recetë, një shpërfillje e mjekut heq 50% të efekteve të recetës, apo jo?” – u shpreh Kryeministri Rama gjatë inspektimit të ambienteve të reja të njësive të trajtimit ditor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sigurisht, ka dhe mjekë që kanë mëkatet e tyre, janë moralisht të dobët, kameleonikë në integritet dhe servil ndaj administratorëve.
Dhe nëse udhëhiqemi nga ata që synojnë të ngrenë kapelet, të minojnë kolegët dhe profesionin, ne vetëm mund të çojmë më tej në humnerë.
Në kujdesin shëndetësor, kjo duhet të nënkuptojë se nëse një mjek shpallet fajtor për keqpërdorim dhe spitali nuk e kontrollon atë, krerët, bashkëpunëtorët duhet të rrokullisen përkrah mjekut të korruptuar.
Por asgjë e re nga fronti i Ramës…I njëti…/shendeti.com.al