Bluza e bardhë mes maleve të Valbonës

Gazmira Ndoja

Valbona, fshati i vogël në veri të Shqipërisë, nuk i kalon të 160 banorët me banim të përhershëm atje. Me një klimë të ashpër malore në dimër dhe të freskët në verë, Valbona është atraksioni turistik më i preferuar nga turistët e huaj, sidomos ata që janë në kërkim të aventurës dhe natyrës së virgjër.

Me një largësi prej 25 kilometrash nga qendra e Tropojës, fshati turistik pret çdo ditë me qindra turistë vendas dhe të huaj, që zgjedhin të kalojnë kohën e lirë mes ajrit të pastër, ujit të ftohtë të burimeve natyrore dhe freskisë së Alpeve.

Infermieri Astrit Selimaj

Infermieri Astrit Selimaj

Gazeta “Shëndet+” u ndal në ditët e fundit të gushtit pikërisht në qendrën shëndetësore të kësaj zone, ku bisedoi me infermierin e saj, Astrit Selimaj.

Në një intervistë të gjatë, Selimaj na rrëfen vështirësitë e punës në fshatin malor, që shpesh gjatë dimrit bllokohet me javë të tëra nga dëbora. Teksa u shërben dhjetëra pacientëve në ditë, Astriti na rrëfen se është bir i Valbonës dhe pavarësisht se ka jetuar disa vite larg saj, ka zgjedhur të rikthehet në vendin që për të është më i bukuri në botë.

Po e nisim nga fillimet e profesionit si infermier. Sa vjet përvojë keni në këtë profil dhe pse zgjodhët pikërisht infermierinë?

Ajo që më ka tërhequr gjithmonë tek infermieria ka qenë dëshira për të ndihmuar të tjerët. Infermieria ishte dega që m’u ofrua (në atë kohë studimet përcaktoheshin nga bursat që jepte shteti), por që përkoi me dëshirën time për të studiuar në një degë që të jep mundësinë t’u gjendesh njerëzve në momente të vështira, madje në disa raste të bëhesh shpresë për ta.

Jam rritur në një familje të thjeshtë, e cila në kushtet që të ofronte atëherë Valbona, arsimimin tim në një degë të shëndetësisë e shihte si një mundësi të madhe për të ecur vetë përpara, por edhe për t’u bërë i dobishëm për komunitetin ku jetonim.

Pas viteve ’90, në Valbonë shumë familje kishin filluar të lëviznin drejt qytetit dhe shërbimi shëndetësor në zonë ishte limituar thjesht në injeksionet e medikamenteve që rekomandonin mjekët e spitaleve të mëdha. Unë e pashë studimin në këtë degë si mundësi për t’u rikthyer në Valbonëme një profesion që do të më shërbente mua, por edhe do të më ndihmonte t’u shërbeja unë të tjerëve. Gjatë viteve të shkollës, bluza e bardhë dhe dita e parë e punës ishin pjesë e asaj që kisha përfytyruar shumë herë për rikthimin tim në vendlindje. Rikthimi zgjati pak më shumë sesa e kisha parashikuar, por kjo kohë më ndihmoi të fitoja përvojë për të bërë detyrën në një zonë që vite më parë nuk mund ta mendoja se do të bëhej kjo që është sot.

Unë kam mbaruar shkollën mjekësore “Jani Minga” në Vlorë, në vitin 1994. Menjëherë pas përfundimit të studimeve u emërova infermier në fshatin Shoshan të komunës Margegaj, e cila përfshin edhe Valbonën. Në Shoshan kam punuar për dy vjet, për t’u larguar më pas drejt Tiranës, ku kam shërbyer si infermier në QSUT, në repartin e neurokirurgjisë dhe neuropsikiatrisë.

Pas një përvoje 4-vjeçare në QSUT u largova drejt Italisë, ku nga viti 2001-2005 kam ushtruar profesionin me ekipet e urgjencës së rrugës, si vullnetar. Një përvojë e tillë më ndihmoi shumë në përballjen me rastet e aksidenteve dhe emergjencave mjekësore të ngjashme. Ishte një eksperiencë e re, që më mësoi të menaxhoja situata të vështira, ku pacientit i nevojitej njëkohësisht shpejtësi në dhënien e ndihmës së parë, kujdes i veçantë në vendin e ngjarjes dhe gjatë transportit si dhe suport psikologjik. Pas rikthimit nga Italia, në vitin 2005 u emërova infermier i zonës në fshatin tim të lindjes.

valbonaAstrit, cila është e veçanta e të qenit pjesë e personelit mjekësor në një zonë alpine si Valbona?

Valbona është një komunitet i vogël me 160 banorë që jetojnë këtu gjatë gjithë vitit. Marrëdhëniet me ta, për shkak edhe të njohjes me të gjithë, janë avantazh në punën time. Ata drejtohen për çdo rast tek unë, në çdo orë, në punë apo në shtëpi.

Ndodh që telefoni më bie në orë të vona të natës dhe unë jam i gatshëm t’u përgjigjem e t’i ndihmoj, por ndodh edhe e kundërta: në raste urgjencash, kur transportimi i të sëmurit bëhet i pamundur për shkak të kushteve të motit, ata janë të gatshëm të organizohen në çdo moment, për të bërë të mundur shpëtimin e jetës së bashkëfshatarëve të tyre. Kanë një solidaritet të jashtëzakonshëm, jo vetëm për njëri-tjetrin, por për këdo që shkel në fshat. Vizitorët i konsiderojnë si miq që u respektojnë vendin ku jetojnë dhe ndihen mirënjohës.

Kjo ka bërë që edhe turistët vendas e të huaj të rikthehen pasi e kanë vizituar Valbonën për herë të parë. Gjatë viteve të fundit, unë kam bërë shumë miq nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe të huaj. Madje, këta të fundit më kanë ndihmuar të perfeksionoj anglishten, e domosdoshme në punën time në shumë raste.

Cilat janë vështirësitë që hasni më shpesh?

Nëse flasim për vështirësi, janë pikërisht rastet e urgjencave, ato kur shqetësimi im është më i madh. Spitali më i afërt është të paktën 1 orë e gjysmë larg. Një pjesë e mirë e kësaj rruge është e pashtruar, çka mund të ndikojë negativisht në gjendjen e pacientit.

Në dimër për shkak të klimës së ashpër malore, rastet urgjente e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen nga ajri. Bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë gjithmonë shumë efektiv dhe i shpejtë, duke bërë të mundur transportimin e të sëmurëve drejt spitaleve rajonale apo QSUT në kohë rekord, pa shënuar asnjë humbje jete.

Mund të përmend si më të vështirin vitin 2012, gjatë dimrit të të cilit në ambulancë kam pasur tri raste që kërkonin transportimin e të sëmurit me helikopter. Situata të tilla të vështira, kthehen më pas në një shpërblim për punën tënde dhe kënaqësi të jashtëzakonshme, kur mëson se pas ndihmës së specializuar pacienti ia ka dalë dhe do të rikthehet.

Cilën zonë mbulon qendra juaj me shërbim shëndetësor?

Qendra jonë shëndetësore mbulon fshatrat Rrogam dhe Valbonë dhe është në varësi të Institutit të Shëndetit Publik, komuna Margegaj. Në bashkëpunim me mjekun e zonës, pranë saj marrin shërbimin shëndetësor banorët e zonës dhe vizitorët vendas apo të huaj, që gjatë sezonit turistik e çojnë numrin e banorëvenëditëderinë 800.

valbona aSa i ka kushtet ambulanca e fshatit Valbonë për një shërbim shëndetësor cilësor?

Ambulanca është ndërtuar në vitin 2006. Aktualisht aty merren të gjitha shërbimet si në ambulancat e tjera të vendit. Në të ndiqet ecuria e dy nënave shtatzëna, 12 bebeve të moshës 0-2 vjeç (një rast trenjakësh) dhe 16 të sëmurëve kronikë me probleme të insuficencës renale, zemrës, tensionit etj. Ambulanca është e pajisur me të gjitha mjetet për t’u garantuar pacientëve një shërbim parësor cilësor. Mjeku i familjes kryen vizita periodike një herë në javë si dhe bën furnizimin e qendrës me ilaçe. Në  çdo moment kemi në gjendje të gjitha vaksinat e moshës 0-14 vjeç dhe kushtet e pajisjet e duhura për ruajtjen e tyre. Gjithashtu, për rastet e emergjencave nuk kanë munguar asnjëherë medikamentet e duhura si serumet, qetësuesit, injeksionet antiviper, mjekimet e nevojshme në raste traumash etj.

Në shumë raste, kur vizitorëve vendas të moshave të vogla u përkon data e vaksinimit me qëndrimin në Valbonë, mund të marrin dozën e radhës në qendrën shëndetësore të fshatit.

Valbona është në mbyllje të sezonit turistik të këtij viti. Cilat kanë qenë ankesat e pacientëve që janë paraqitur në këtë qendër gjatë kësaj vere?

Sipas të dhënave të deritanishme, Valbona sivjet është vizituar nga 22 mijë turistë vendas dhe të huaj, duke përfshirë këtu vizitorë ditorë apo ata që kanë qëndruar për një periudhë më të gjatë kohore.

Ankesat më të shpeshta të pacientëve kanë pasur të bëjnë me pickime nga insektet, hipertension, diarre, të vjella, kriza të veshkave apo stomakut, trauma dhe pickime nga gjarpri (3 raste). Të gjithë këta pacientë kanë marrë ndihmën e parë në qendrën tonë, ndërsa rastet e komplikuara janë drejtuar për në spitalet e Bajram Currit apo Gjakovës.

valbonCilat janë rastet më të vështira me të cilat jeni përballur gjatë viteve të fundit në Valbonë dhe ato që do t’i mbani mend gjatë?

Kam pasur disa raste kur jam gjendur vërtet në vështirësi gjatë ushtrimit të detyrës si infermier. Por dua të përmend dy raste në mënyrë të veçantë. I pari është ai i një gruaje të re 28-vjeçare, dy vjet më parë. Pacientja u paraqit me kriza të forta në veshka. Për shkak të trashësisë së borës, që arrinte 3 metër, dhe motit me mjegull, ishte i pamundur transportimi i saj në rrugë tokësore dhe nga ajri. U deshën 26 orë që të krijoheshin kushtet atmosferike për uljen e helikopterit, kohë gjatë të cilës më duhej t’i alternoja qetësuesit për t’i lehtësuar dhimbjen. Ka qenë një nga ato rastet kur dhimbja e pacientit bëhet edhe dhimbja jote, ankthi i familjarëve është edhe ankthi yt më i madh, por fatmirësisht gjithçka shkoi mirë.

Rasti i dytë ka të bëjë me një27-vjeçar zviceran, i cili erdhi në ambulancë me ankesat për humbje ekuilibri. Pas ndihmës së parë njoftova menjëherë ambulancën dhe e shoqërova në spitalin rajonal. Fatmirësisht analizat nxorën si shkak dehidratimin dhe humbjen e kripërave minerale, pas një maratone 27-ditore me biçikletë, që e kishte pasur pikënisjen diku në Greqi.

Pacienti në fjalë vjen e më viziton sa herë rikthehet në Valbonë, madje pak kohë më parë ka shprehur falënderimet e tij në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë si ka shkruar një artikull në një gazetë në vendin e tij.

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Elda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur
Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve
Arjana Rreli: Zgjodha ëndrrën e babait tim
Festa Mjeshtri: Realiteti vret ëndrrat e grave
Pëllumb Pipero: Odisea, nga repartet ushtarake, në gjirin e elitës mjekësore
Infeksionet në shtatzëni, kur e rrezikojnë bebin