Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+”
Tonifikim, dobësim, çlirim stresi, kënaqësi, shëndet i mirë fizik dhe mendor. Janë këto vetëm disa nga të mirat e zumbës që Brajana Tafaj, instruktore te “Stela Sport Center”, i thekson për lexuesit e gazetës “Shëndet+”. Në një intervistë ajo flet lidhur me faktin se pse klasat e zumbës janë një nga zgjedhjet më të mira për ata që pëlqejnë kërcimin, por gjithashtu duan të dobësohen
Brajana, çfarë është zumba?
Zumba është një program i fitnesit në formë kërcimi, i cili kryesisht shërben për të dobësuar dhe tonifikuar trupin, por gjithashtu është dhe një nga terapitë më të mira për çlirimin e stresit, sepse klasat bëhen në atë formë argëtimi. Mund të them se është një nga aktivitetet më të dobishme si për gjendjen shëndetësore e fizike, ashtu edhe për atë psikologjike.
Sa kohë keni që merreni me zumba dhe pse e zgjodhët?
Në fakt, unë jam diplomuar për Gjuhë të Huaja dhe specializuar për Komunikim Kulturor dhe Artistik, pra një gjë komplet tjetër. Por, kërcimi ka qenë gjithmonë pasioni im me të cilin jam marrë që e vogël. Kam bërë trajnime e kurse të ndryshme për zumban e kërcimin latin, normalisht jashtë Shqipërisë, sepse këtu nuk ofrohen, ku dhe jam licencuar. Në fillim jam marrë me fitness aerobi, dhe më pas me kërcim latin. Tash e 4 vjet i jam përkushtuar vetëm zumbës.
Çfarë ofron “Te Stela Resort” për zumbën?
“Te Stela Resort” ofron kushte shumë të mira në lidhje me çdo lloj aktiviteti fizik siç dihet tashmë prej vitesh. Përsa i përket zumbës aktualisht është një sallë kërcimi, normalisht me një sistem ajrimi shumë të mirë, po ashtu janë të vendosura dhe pasqyrat të cilat janë shumë të nevojshme për orientimin me lëvizjet.
Ne shpeshherë bëjmë edhe ndryshimë që të sjellim edhe risi në mënyrën e mësimdhënies. Së fundmi, do të bëjmë disa ndryshime përsa i përket klasës, e cila do të zgjerohet më tepër, si dhe një podium ku instruktori do të jetë mbi personat e tjerë në mënyrë që lëvizjet të bëhen më lehtë të dallueshme, ndonëse koreografitë janë shumë të thjeshta, por kjo gjë bëhet më tepër për të sjellë risi.
Pse njerëzit zgjedhin zumbën?
E para është pasioni. Janë njerëz qe e duan muzikën dhe kërcimin. Ndërsa e dyta janë benefitet. E zgjedhin kryesisht për dobësim dhe tonifikim, sepse nëse dikush do të dobësohet, ky është aktiviteti që të mundëson ta arrish këtë sa më shpejt. Në një klasë zumba me 60 minuta aktivitet në ditë ti përfiton disa gjëra njëherësh. Dobësohesh, tonifikohesh, kënaqesh, mëson të kërcesh, por njëkohësisht arrin të shkarkosh të gjithë stresin dhe energjitë negative të ditës.
Duhet të theksojmë, nuk është e thënë që duhet të dish të kërcesh bukur apo të kesh pasur eksperienca më parë për t’u regjistruar në një klasë zumba.
Cila është mosha dhe gjinia që e frekuenton më shumë?
Frekuentohet nga të dyja palët, pavarësisht se në Shqipëri është pak ajo tendenca që meshkujt kompleksohen ngaqë shumica janë femra. Pra, ka dhe meshkuj që e ndjekin, por femrat janë më shumë.
Moshat janë të ndryshme, kryesisht fillojnë rreth moshës 15 -16 vjeç, por në grupin tonë kemi edhe më të vegjël, apo edhe deri në 60 vjeç, ndonëse në Shqipëri janë raste shumë të rralla. Gjithashtu, të shumtë kemi prindërit të cilët sjellin fëmijët në kurset e notit “Te Stela” dhe për të mos qëndruar në kafe gjatë kohës që presin fëmijët, futen në klasat e zumbës. Ndonëse në fillim u duken të lodhshme, pasi e kanë provuar u duket mjaft argëtuese dhe tashmë e frekuentojnë rregullisht.
Si variojnë seancat?
“Te Stela” ofrojmë zumba çdo ditë të javës, nga e hëna në të premte. Por zakonisht preferohet të ndiqet dy ose tre herë në javë. Çmimet janë të lira dhe në rast se personat abonohen në disa aktivitete kanë edhe ulje.
A përdorni ndonjë mënyrë për t’i motivuar njerëzit që të merren me zumba?
“Te Stela Resort” ne organizojmë çdo muaj aktivitete të ndryshme. Për shembull këtë muaj (shkurt), po bëjmë një si tip konkursi ku kemi vendosur që çdo person të sjellë një koreografi të veten. Pra, vetë studentët bëhen instruktorë për disa minuta dhe unë kaloj mbrapa. Në fund, po vetë vajzat zgjedhin koreografinë që u ka pëlqyer më shumë dhe e votojnë. Personi me koreografinë më të bukur përfiton një muaj abonim falas.
Sa kalori djeg një person gjatë një seance?
Brenda një 60-minutëshi zumba një person mund të harxhojë nga 500 deri në 1000 kalori. Pastaj dobësimi që pëson një person, varet nga kushte të ndryshme si mosha, pesha që ka, regjimi ushqimor, regjimi i gjumit, sa herë në javë dhe sa intensivisht ushtrohet.
Por unë do të rekomadoja dobësimin jo më shumë se 2-3 kile në muaj, pasi më shumë mund të krijojë probleme me lëkurën.
Ju si person çfarë benefitesh keni parë tek vetja duke ushtruar zumba?
Benefiti i parë është se rashë disa kile, aq sa e kisha të nevojshme, pasi unë nuk doja të dobësohesha shumë, sepse ideja e femrave nuk duhet të jetë që të bëhen të dobëta, por që pesha të jetë në proporcion me gjatësinë.
Ndërsa benefiti i dytë është se dallova zvogëlim në perimetër. Ndryshimin nuk mund të shikohet vetëm në peshë, por dhe në perimetër, pasi muskuli peshon shumë më tepër se dhjami, pra t’i heq masën dhjamore, por nga ana tjetër tonifikohesh.
Një këshillë për të gjithë?
I rekomandoj që të bëjnë një jetë sa më të shëndetshme, çka nënkupton regjim i mirë ushqimor, regjim gjumi, si dhe patjetër aktivitet fizik.


