Kryefaqja Shendeti a-z B Bruksizmi (shtrëngimi i dhëmbëve), shkaqet

Bruksizmi (shtrëngimi i dhëmbëve), shkaqet

0
Shpërndaje

Ilma Lamce

Bruksizmi (shtrëngimi i dhëmbëve) është një fenomen mjaft i përhapur, veçanërisht në mesin e burrave dhe grave mbi 30 vjeç ku personat e prekur nuk e kuptojnë çfarë janë duke bërë, pasi shfaqet në mënyrë të pavetëdijshme. Përsëritja e shpeshtë e këtij fenomeni mund të bëhet shkas për shfaqjen e problemeve jo vetëm në aparatin dentar por edhe në strukturat “fqinje” të kokës. Përveç kësaj, zhurma e shkaktuar nga fërkimi i dhëmbëve mund të ndihet nga njerëzit e tjerë duke u bërë shqetësuese dhe besdisëse për ta.

Shkaktarët e bruksizmit

Në të kaluarën, të prekeshe nga bruksizmi ishte një pasojë logjike e vendosjes së dhëmbëve në mënyrë jo të rregullt ose aktivitetit intensiv të përtypjes. Studime të fundit kanë treguar se kërcitja e dhëmbëve natën është e lidhur ngushtë me tensionin emocional dhe stresin e akumuluar gjatë ditës. Simptomat e bruksizmit në shumë njerëz (dhimbje e nofullave, dhimbje e kokës në mëngjes) shfaqen veçanërisht kur ata janë duke kaluar një periudhë stresuese. Por pse ndodh kjo? Kur jemi të stresuar nuk bëjmë gjumë të qetë sepse muskujt e trupit nuk janë në gjendje të relaksuar. Kështu, muskujt e qafës, të shpatullave dhe të nofullave qëndrojnë në gjendje të kontraktuar, situatë e cila shërben si stimul për shfaqjen e kërcitjes së dhëmbëve, sa më të stresuar të jeni aq më intensive do të jetë kërcitja e dhëmbëve.

  • Inati dhe nervozizmi

Ky është një ndër faktorët e vetëm që ndikon në fërkimin ose kërcitjen e dhëmbëve gjatë ditës. Gjatë ditës duke qenë se jemi të vetëdijshëm, ky fenomen ndodh për një kohë të shkurtër duke e bërë jo të dëmshëm. Por, gjatë natës duke qenë të pavetëdijshëm, ky fenomen ndodh për një kohë më të gjatë, presioni që ushtrohet në mënyrë të pavullnetshme mbi dhëmbë gjatë kërcitjes është afërsisht 4 kilogramë për centimetër katrorë. Kjo forcë ka efekte shkatërruese mbi dhëmbët, nofullat dhe muskujt.

  • Problemet në vendosjen e dhëmbëve

Nuk janë gjetur ende lidhje të drejtëpërdrejta midis përdorimit të alkoolit dhe duhanit me kërcitjen e dhëmbëve, por është konstatuar se përdorimi i tepërt i tyre e përkeqëson situatën. Megjithatë është vërejtur se personat të cilët kanë ndaluar konsumin e alkoolit apo duhanit, u janë zhdukur simptomat e bruksizmit duke çuar kështu në përfundimin se këto sjellje janë të lidhura ngushtë me kërcitjen e dhëmbëve. Gjithashtu është vërejtur dhe është konstatuar se personat që vuajnë nga bruksizmi kanë probleme të rreshtimit të dhëmbëve, duke pasur një vendosje jo të rregullt.

  • Përdorimi i medikamenteve

Një tjetër faktor që mund të ndikojë në kërcitjen e dhëmbëve është përdorimi i medikamenteve antidepresivë. Por të njëjtin efekt kanë edhe  substancat psikotrope (narkotike) të tilla si:ekstazia, kokaina, metamfetamina.

  • Probleme të tjera mjekësore

Parkinsoni dhe sëmundja e Huntingtonit ndikojnë në rritjen e aktivitetit të kërcitjes së dhëmbëve. Duke qenë se këto sëmundje ndikojnë në sistemin nervor duke shkaktuar çrregullime neurologjike, individët që vuajnë nga këto sëmundje janë më të predispozuar për të vuajtur nga kërcitja e dhëmbëve, ditën apo natën. Por si ta kuptojmë që vuajmë nga bruksizmi? Sikurse e thamë edhe më sipër, nëse kërcitja e dhëmbëve ndodh vetëm natën, nuk jemi të vetëdijshëm për këtë aktivitet. Gjithsesi, nëse në mëngjes ndjeni dhimbje të nofullave, vështirësi në hapjen e gojës apo dhimbje të vazhdueshme të kokës atëherë këto janë shenja të rëndësishme që tregojnë se ju vuani nga bruksizmi. Në pjesën më të madhe të rasteve, kjo vihet re nga partneri apo personat që janë afër jush kur flini, pasi ata ju dëgjojnë të kërcisni dhëmbët në gjumë. Në këto raste, apo edhe nëse thjesht mendoni se i kërcisni dhëmbët edhe pa ua konstatuar dikush, është e këshillueshme të konsultoheni me mjekun stomatogolog. Ky i fundit nëpërmjet një ekzaminimi mund të vërë re praninë e shenjave të bruksizmit tek dhëmbët dhe nofullat, duke iu rekomanduar trajtimin e duhur./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here