Çajrat e zyrës së “Shëndet+”, ja si ta përgatisni shijen tuaj për të qenë energjikë dhe të qetë mendërisht

Arlinda Gjypi, kryeredaktore e “Shëndet+”

Keni provuar çdo lloj çaji? Ju kanë folur për të mirat e tyre të pafundme? Por ndoshta nuk ju ka pëlqyer shija. Atëherë ç’mund të bëni që të përzgjidhni një çaj që ju pëlqen shumë dhe të fusni në trup lëngje sa më të mira. Ne të gazetës “Shëndet+” ju sugjerojmë dy çajra tepër të përdorshëm në zyrën tonë.

Çaji në zyrën tonë

Çaji në zyrën tonë

Këta çajra i kemi vetëcilësuar me emrin “Enardel” (emër i shpikur prej nesh), duke respektuar emrat e të gjithë çajpirësve të redaksisë sonë (Eni, Arlinda, Denisa, Daniela, Elena).

  1. Blini në treg boronicë të thatë, mollë të egër të thatë dhe kanellë shkop. Fusni në një litër ujë një shkop kanellë, pak mollë të egër, gjysmë luge kokrra boronice dhe ziejeni për 10 minuta. Lëngut të përftuar shtojini një lugë mjaltë. Do të provoni një shije tepër të mirë dhe do të jeni më energjikë në punë.
  2. Merrni një degë të vogël sherebelë të njomë ose të thatë, pak mollë të egër të thatë dhe futeni në një litër ujë (Sot ne i kemi shtuar dhe disa gjethe trëndafili të njoma). Pasi ta zieni për dhjetë minuta, lëngut të përftuar shtojini një lugë mjaltë. Sherebela është shumë e mirë për qetësimin e nervave dhe në periudha pune stresi do t’ju ndihmojë shumë. Gjithashtu është e mirë edhe për femrat që kanë probleme me dhimbjet e ciklit menstrual. Kini kujdes, pasi shija e sherebelës është shumë e fortë dhe nëse e hidhni në sasi të madhe, çaji mund të bëhet shumë i hidhur. Unë personalisht, këtij çaji i shtoj edhe disa copa molle të njomë. Por kjo është zgjedhja e gjithsecilit.

Këto janë vetëm dy nga çajrat “Enardel” që përdorim në zyrë. Pasi t’i provoni, mund të na jepni komentet tuaja.

Ah, të gjithë përbërësit janë të thjeshtë për t’i gjetur. Kërkoni në supermarkete tek erëzat dhe frutat e thata ose në dyqanet që shesin erëza. Sherebelën e njomë dhe boronicën, ndoshta edhe mollët e egra besojmë se mund t’i gjeni edhe në tregun e fruta-perimeve.

Postime të ngjashme

Fitoterapia në trajtimin e infeksioneve të rrugëve urinare
Mjekët tregojnë simptomën nr.1 që tregon se keni shumë stres
Dermatologia tregon sekretin sesi të parandaloni rrudhat në zonën e qafës
Kosi vs kefiri: Kush është më i mirë për shëndetin e zorrëve tuaja
Çfarë përfitimesh mund të sjellin fistekët për shëndetin?
Këto 8 ushqime mund të ulin rrezikun e goditjes në tru
Ja pse ndodh paraliza e gjumit, sipas mjekëve
A ndihmon uthulla e mollës në dobësim? Ja çfarë thonë studimet