Coca-Cola urdhëron tërheqje masive të produkteve të saj në Evropë për shkak të niveleve të larta të kloratit

Coca-Cola të hënën tërhoqi pijet e saj në disa vende të Evropës për shkak të niveleve të tepërta të një substance potencialisht të dëmshme. 

Mijëra kanaçe dhe shishe xhami me markën Coca-Cola janë tërhequr nga tregu europian. Përfaqësuesi i prodhuesit të njohur në Belgjikë ka bërë të ditur se një sasi e madhe produktesh po tërhiqet për shkak të niveleve të larta të kloratit.

Produktet që do të tërhiqen nga tregu përfshijnë Coca-Cola, Sprite, Fanta, Fuze Tea, Minute Maid, Nalu, Royal Bliss dhe Tropico, të cilat janë shpërndarë në Belgjikë, Holandë, Britani të Madhe, Gjermani, Francë dhe Luksemburg që nga muaji nëntor.

Kjo tërheqje ka të bëjë me produktet që kanë një kod prodhimi nga 328GE deri në 338GE, i cili gjendet në fundin e kanaçeve ose në qafën ose etiketën e shisheve të xhamit. Konsumatorëve u kërkohet të mos i konsumojnë këto produkte dhe t’i kthejnë ato në pikat e shitjes për të marrë rimbursim të plotë.

“Edhe pse nuk kemi një numër të saktë, bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme produktesh tërhequr,” deklaroi Coca-Cola Europacific Partners Belgium për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).

“Pjesa më e madhe e produkteve të prekura dhe të pashitura tashmë është larguar nga raftet e dyqaneve, dhe ne po vazhdojmë të marrim masa për të tërhequr nga tregu të gjitha produktet e mbetura,” shtoi kompania, duke theksuar se është “në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente në secilin prej tregjeve të prekura.”

Klorati, një nënprodukt i klorit, është një substancë dezinfektuese që përdoret për trajtimin e ujit të pijshëm. “Në fabrikën tonë në Gent po kryejmë teste në kuadër të procedurave tona të kontrollit dhe përputhshmërisë me rregulloret. Këto teste kanë zbuluar nivele të larta të kloratit,” ka sqaruar kompania.

Postime të ngjashme

Si ta ruani avokadon të freskët për më gjatë? Truket e thjeshta që funksionojnë
Temperaturat e larta? Ja cilat ushqime duhet të shmangni dhe çfarë të konsumoni më shumë
Kripa në ushqim: 4 truke për ta reduktuar atë pa humbur shijen
Cila është koha më e mirë për të marrë vitaminën D? Ekspertët japin përgjigje
Tre perime që ndihmojnë lëkurën të shkëlqejë dhe të duket më e shëndetshme gjatë verës
9 ushqime të shëndetshme që shuajnë urinë
Koha më e mirë për të marrë suplemente magnezi, sipas ekspertëve
6 shenja që tregojnë se nuk po pini ujë të mjaftueshëm