COVID19: 11 mijë vdekje shtesë në vend nga fillimi i pandemisë deri në shtator 2021

Që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, në vend janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019.

Të dhënat janë përpunuar nga Monitor, bazuar në treguesit demografikë tremujorë të INSTAT (shih grafikun: Vdekjet sipas tremujorëve në pandemi, krahasuar me mesataren 2016-2019).

INSTAT raportoi sot treguesit demografike për tremujorin e tretë 2021. Për periudhën korrik-shtator 2020, në vend janë regjistruar 6,037 humbje jete, nga  6,624 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej 8.9%.

Ndonëse pandemia është zbutur në muajt e verës, sërish humbjet e jetës vijojnë të jenë më të larta se tremujori i tretë i 2019-s, kur ishte një periudhë normale. Në krahasim me mesataren 2016-2019 të së njëjtës periudhë, rritja e vdekjeve është 22.2%.

Mjekët shpjegojnë se përveç humbjeve të jetës, që janë të lidhura direkt me Covid-19, po konstatohen fatalitete te personat që e kanë kaluar infeksionin dhe ai u ka lënë pasoja të rënda në shëndet, duke u sjellë më pas vdekjen. Mjekët pohojnë se shumë pacientë po vuajnë simptoma të rënda pasi kanë kaluar Covid-19, ku më tipike është trashja e gjakut, që rrit probabilitetin për goditjet e lidhura më sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut.

Një tjetër faktor lidhet me mos marrjen e trajtimit në kohë për sëmundjet e tjera të rënda, apo mosidentifikimin e tyre në kohë, si rrjedhojë e problematikave që u shkaktuan nga karantina, apo frika e njerëzve për të shkuar në spital.

Që nga fillimi i pandemisë (në 19 mars 2020 u raportua vdekja e parë)  deri në 30 shtator 2021, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 2698 humbje jete nga Covid-19, ose 4 herë më pak se shtesa e vdekjeve për të njëjtën periudhë.

9 mujori, vdekjet rriten me 31.6% në krahasim me mesataren e 2016-2019

Për gjithë 9 mujorin, në vend janë shënuar 21,471 humbje jete, me një rritje prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s, për shkak të fataliteteve të larta që ndodhën sidomos në tremujorin e parë të këtij viti.

Në krahasim me mesataren e 9 mujorit 2016-2019, fatalitetet në vend për janar-shtator 2021 janë rritur ndjeshëm me 31.6% (shiko grafikun: Vdekjet, 9 mujori).

Vala më e rëndë e pandemisë është shënuar në fundin e 2020-s dhe fillimin e 2021-shit.

Sipas tremujorëve, shtesa më e lartë e jetëve të humbura ishte në tremujorin e katër 2020 (+3,380) dhe të parin 2021 (+3,322). Pandemia filloi të japë pasoja në humbjen e jetëve që në tremujorin e tretë 2020 (+1,684), ndërsa efektet vijuan të ndiheshin dhe në prill-qershor të këtij viti (+729) dhe korrik-shtator (+1,097) shih grafikun: Shtesa e vdekjeve sipas tremujorëve, në raport me mesataren përkatëse 2016-2019

Sipas qarqeve, për 9 mujorin 2021,  në krahasim me mesataren përkatëse 2016-2019, rritja më e lartë e jetëve të humbura ishte në Tiranë (+44%), Fier (+40.3), Durrës (+33.7%), Lezhë (+31.8%)./ Monitor

Postime të ngjashme

Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet