Shërbimi shëndetësor në Shkodër po përballet me shumë probleme të cilat janë të pranishme në të gjithë vendin dhe duket se nuk do të gjejnë zgjidhje. Mungesa e medikamenteve është e pranishme në çdo spital apo qendër shëndetësore përfshirë këtu dhe spitalin më të madh të veriut. Kjo shoqërohet dhe me kushte të papërshtatshme për të sëmurët, me aparatura që prishen dhe duhen muaj për t’u rivënë në punë, me personel që ngurron të flasë nga frika se mund ta heqin nga puna, edhe pse kanë dekada që punojnë aty, pacientë e të afërm të tyre që sillen të dëshpëruar në kërkim të asaj që mungon.
Në Spitalin Rajonal të Shkodrës pacientët përballen menjëherë me mungesën e çdo medikamenti që duhet blerë nëpër farmaci nga të afërmit e tyre, edhe atëherë kur ato shtrohen në spital në gjendje kritike.
“E vetmja gjë që të afron spitali, është vizita e mjekut ndërsa çdo ilaç, që nga paracetomoli e deri tek serumet, duhen blerë. Sapo shtrova nënën në repartin e patologjisë me shqetësime në veshka dhe mjekja e infermieri më thanë se ilaçet duhen blerë në farmaci se spitali nuk ka. Bleva dhe serumet me aparate se as këto nuk janë”, thotë djali i një të sëmure të shtruar në spital.
Në çdo pavion, madje dhe në kirurgji del receta nga salla e operacionit dhe u jepet të afërmve të të operuarve për t’i blerë.
Spitali Rajonal i Shkodrës është një investim madhor i bërë në vitin 2001 dhe që atëherë ka njohur edhe disa rikonstruksione të tjera me disa faza dhe me shuma të mëdha parash. Megjithatë ai nuk afron as kushtet minimale për të sëmurët. Në spital mungon ngrohja dhe të sëmurët porositen të sjellin me vete ngrohës për t’i vendosur nëpër dhoma kur është dimër, ndërsa shihen vetëm pajisjet e sistemit ngrohës që janë të vendosura, por nuk funksionojnë.
Në disa prej reparteve ku ndodhen dhomat e mjekëve, mungojnë dhe stolat apo karriget, ndërsa pacientët duhet të rrinë në këmbë shpesh me orë për të pritur radhën e vizitës, ndërsa dhe pse të sëmurë, nuk kanë ku të ulen.
Në spitalin neuropsikiatrik apo atë ftizio-pneumologjisë nuk vëren asnjë vend ku pacientët që presin për të bërë vizitë tek mjeku, të mund të ulen.
Në spitale mungojnë dhe mjetet më elementare. Kështu tek spitali obstretik-gjinekologjik mungon edhe leokoplasti për të fiksuar aget e serumeve, ndërsa medikamentet, madje dhe shiringat duhen blerë.
“Nuk ka asgjë, as leokoplast e as shiringa”, thotë një infermiere, e cila i vendos tek këmbët një shishe plastike pijesh freskuese me ujë të ngrohtë një lehone që ka dalë nga salla e operacionit, pasi ngrohje nuk ka. Infermierë të spitalit tregojnë se kur janë në turnin e tretë ato ose më së shumti mjekët i blejnë vetë shiringat dhe i mbajnë për raste urgjrente.
“Ndodh që i sëmuri vjen natën dhe nuk ka asnjë farmaci hapur ku të afërmit e tij të blejnë ilaçet apo shiringat. Mjekët, por dhe ne i blejmë vetë dhe i mbajmë rezervë për ndihmën e parë. Mjekët blejnë vetë dhe medikamentet kryesore të ndihmës së shpejtë sipas specialiteteve”, thotë një infermier i spitalit që nuk pranon të identifikohet, pasi, siç thotë ai, “janë gati për të hequr nga puna këdo”.
Spitali ka disa vite që ka mungesa të theksuara me medikamente, por situata e tanishme është më e rënda pasi mungon gjithçka, madje dhe dezifektantët, shprehen mjekë e personel i spitalit të Shkodrës.
Sipas tyre, askush nuk bën asgjë për të zgjidhur këto problem, pasi e njëjta gjë që thuhet, është se nuk ka fonde, ndërsa edhe drejtuesit, nën presionin e largimit, nuk këmbëngulin shumë.
“Të gjithë punojnë nën presionin e largimit nga puna pa asnjë motiv, prandaj nuk reagojnë as dalin në media apo tregojnë emrin. Unë jam sanitare prej 22 vitesh. Kam dhe tre vjet me dal në pension me ligjin aktual dhe ndihem e kërcënuar se mund të largohem pa asnjë motiv. Të sëmurët që qëndrojnë në spital mbi një javë, i blejnë vetë detergjentët dhe shpesh atë që tepron, na e japin dhe me to pastrojmë”, tregon një punonjëse shërbimi në repartin e kirurgjisë.
Mjekët thonë se ata vetëm bëjnë vizitat dignostikuese dhe plotësojnë recetat, me të tjerat merren të afërmit e pacientëve. Ka prej tyre që revoltohen dhe kanë të drejtë, por kjo është situata, thonë mjekët në Shkodër.
Mungesa e farmacive natën është një tjetër shqetësim në Shkodër dhe në kushtet kur institucionet e shëndetit nuk afrojnë asnjë medikament sado të thjeshtë, ky bëhet një problem jo i vogël. Të afërm të të sëmurëve kronikë kanë gjetur si zgjidhje mbajtjen e numrave të celularëve të farmacistëve, për të siguruar ilaçet në raste urgjente, sidomos kur i dërgojnë të afërmit e sëmurë në spital.
*Këto denoncime kanë ardhur nga lexuesit shkodranë të gazetës “Shëndet+” në adresën tonë të e-mailit info@shendeti.com.al


