Dhimbja e kokës është një term i gjerë që përfshin shumë shkaqe të ndryshme. Dhimbjet e kokës mund të ndodhin në çdo pjesë të kokës; ato mund të shfaqen në secilën anë të kokës ose në një pjesë të saj
Për gazetën “Shëndet+”: Prof. dr. Elmas Eltari
Dhimbja e kokës (cefalea) është një nga shqetësimet më të zakonshme që provon njeriu në jetën e tij, pavarësisht nga mosha apo seksi. Ato (cefalet) janë pasoja të shumë sëmundjeve dhe të distresit emocional.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se rreth 47% e popullatës së rritur (adulte) në botë e kanë provuar cefalen. Megjithëse dhimbja e kokës është shenjë e shumë sëmundjeve, ajo vetë mund të shkaktojë sëmundje të tjera, kështu që dhimbjet e kokës mund të shkaktojnë ‘gjendje depresive’ tre herë më shumë sesa në njerëzit e zakonshëm.
Epidemiologjia
Afërsisht 64–77% e njerëzve kanë pasur dhimbje koke gjatë jetës së tyre. Gjatë çdo viti mesatarisht 46–53% e njerëzve kanë cefale. Shumica e këtyre cefaleve nuk janë të dëmshme. Vetëm afërsisht 1–5% e njerëzve me cefale që paraqiten në dhomën e urgjencave mjekësore, kanë shkaqe serioze, por të ‘fshehta’.
Më shumë se 90% e cefaleve janë primare ose parësore. Shumica e tyre janë cefale nga ‘tensioni i kokës’. Shumica e njerëzve me tension të kokës kanë cefale episodike që vijnë dhe shkojnë. Vetëm 3.3% e adultëve kanë ‘tension kronik’, domethënë cefale që zgjasin për rreth 15 ditë në muaj.
Afërsisht 12–18% e njerëzve në botë kanë migrenë. Në shumicën e rasteve të sëmurët me migrenë janë femrat.
‘Cefalet zinzhirë’ janë shumë të rralla. Ato prekin vetëm 1–3% të njerëzve në botë. Cefalet zinzhirë prekin afërsisht tre herë më pak burrat se sa gratë.
Çfarë është dhimbja e kokës?
Ka disa lloje dhimbjesh të kokës:
Dhimbja e kokës është një term i gjerë që përfshin shumë shkaqe të ndryshme. Dhimbjet e kokës mund të ndodhin në çdo pjesë të kokës; ato mund të shfaqen në secilën anë të kokës ose në një pjesë të saj. Dhimbjet e kokës mund të rrezatohen nga një qendër, me intensitete të ndryshme. Ato mund të jenë të mprehta, shpuese ose të përhapura, që shfaqen ngadalë ose menjëherë dhe zgjasin pak minuta, disa orë ose disa ditë.
Disa fakte mbi dhimbjet e kokës:
Dhimbja e kokës mund të jetë ankesa e vetme apo shenjë e disa sëmundjeve të tjera.
Në varësi të tipit specifik të dhimbjes së kokës, ajo mund të zgjasë disa orë ose javë.
Dhimbjet e kokës mund të shkaktohen nga problemet e mbiaktivizimit të strukturave të ndjeshme ndaj dhimbjeve në kokë.
- Forma më e zakonshme e dhimbjes parësore është ajo e tipit të ‘tensionit’
- Dhimbjet dytësore të kokës janë pasojë e një tumori në kokë etj., pra dhimbje sekondare
Diagnoza e cefaleve bëhet me të dhënat e historisë së sëmundjes (anamnezës), pra me përshkrimin e shenjave të sëmundjeve.
- Trajtimet më të zakonshme për dhimbjet e kokës janë: pushimi dhe barnat që lehtësojnë dhimbjet.
Është vlerësuar se 50% e njerëzve që provojnë dhimbje koke, vetëmjekohen pa ndihmën e mjekëve.
Çfarë i shkakton dhimbjet e kokës?
Ka shumë mënyra për të përcaktuar shkaqet e dhimbjeve të kokës. Shoqata Ndërkombëtare e Dhimbjeve të Kokës (HIS) i kategorizon dhimbjet e kokës si parësore ose dytësore, në varësi të shkaqeve të tyre.
Dhimbjet parësore janë shfaqje të cilat shkaktohen direkt nga ‘mbiaktiviteti’ në punë ose nga problemet me ndikim mbi strukturat në kokë, që janë të ndjeshme ndaj dhimbjeve. Këtu përfshihen enët e gjakut, muskujt dhe nervat e kokës dhe të qafës, si dhe aktivitetet kimike që ndodhin brenda në tru.
Dhimbjet parësore të kokës mund të ndodhin kur strukturat e ndjeshme ndaj dhimbjeve, në kokë, nuk punojnë si duhet.
Dhimbjet parësore të zakonshme të kokës përfshijnë:
- Migrenat, dhimbjet zinxhir dhe dhimbjet nga tensioni.
- Ka dhimbje ose cefale që shkaktohen nga stimuj/nxitës direkt fizikë, si pasojë e temperaturave dhe të presioneve të jashtme, si dhe nga ushtrimet fizike.
Dhimbjet dytësore të kokës janë pasojë e faktorëve të tjerë që nxisin nervat sensitivë/të ndjeshëm të kokës. Ekziston një numër i gjerë dhe i ndryshëm i faktorëve që mund të shkaktojnë dhimbje koke, të cilët lëkunden nga shkalla e dhimbjes pas pirjes së alkoolit deri tek dhimbjet nga tumori i trurit.
Dhimbjet dytësore të kokës mund të jenë rezultat i shkaqeve serioze si një ‘goditje në tru’, por mund të jenë pasojë edhe të ngrënies së një ushqimi ‘të ftohtë dhe me shpejtësi’.
Në këto dy shembuj, lista që pason mund të shërbejë për të ilustruar varietetin e faktorëve të ndryshëm që mund të shkaktojnë dhimbje koke dytësore, si:
- Trombet (mpiksja e gjakut në enët e gjakut të trurit),
- Ftohja e trurit (dhimbja e kokës nga kremrat me akull etj.)
- Intoksikimi me monoksidin e karbonit (qymyrin).
- Kontuzionet e kokës (goditjet në kokë).
- Dehidracioni (humbja e lëngjeve).
- Glaukoma në sytë.
- Influenca (gripi).
- Përdorimi i tepërt i barnave kundër dhimbjeve.
- Ataket e panikut.
- Hemorragjia në tru.
Meqenëse dhimbja e kokës mund të shkaktohet nga procese shumë serioze, është e këshillueshme një konsultë mjekësore, sidomos kur ataku pasues është më i fortë sesa pararendësi. P.sh. nëse dhimbja e kokës është e fortë dhe vazhdon të keqësohet, kur mjekimet dështojnë ose kur shoqërohet me shenja si: konfuzion mendor, ethe, ndryshime ndjesore dhe ngrirje qafe, atëherë duhet kontaktuar urgjentisht mjeku specialist.
Shenjat dhe simptomat e dhimbjeve të kokës (cefaleve):
Ka disa lloje të ndryshme të cefaleve që prekin zona të ndryshme të kokës në mënyra dhe intensitete të ndryshme për periudha të ndryshme kohore.
Ja disa karakteristikave të shenjave më të shprehura të cefaleve:
- Tipi ose lloji i cefaleve që shfaqen me ‘tension’ janë më të zakonshme për llojet e cefaleve parësore. Ato janë përshkruar si një ‘rreth’ anës së kokës, me një dhimbje konstante ‘të shurdhët’ në të dy anët e kokës. Disa herë dhimbja shpërndahet ose zbret në qafë. Zakonisht ajo fillon gradualisht nga mesi i ditës.
Migrena mund të shoqërohet me errësim të shikimit, me shkëndija në shikim, me nakatira dhe ndjenja të turbulluara.
- Cefalia e tipit të tensionit mund të jetë episodike dhe kronike. Ataket episodike normalisht zgjasin disa orë, por mund të zgjasin deri në disa ditë. Ataket e konsideruara të vazhdueshme quhen ato kur zgjasin 15 ditë ose më shumë, një muaj deri në tre muaj!
- Migrena është një cefale parësore, më e zakonshme, e llogaritur si shkaku “i 70-të i paaftësisë në punë”, në rang botëror. Ajo mund të zgjasë për disa orë deri në 2-3 ditë.
Cefalea e tipit të migrenës mund të shkaktojë pulsacione (rrahje), dhimbje shpuese që mund të ndodhin në cilëndo anë ose në të dyja anët e kokës. Dhimbja mund të shoqërohet me errësim të shikimit, shkëndija nga sytë, pështjellime dhe turbullime të sensorëve.
- Dhimbjet e kokës nga përdorimi i tepërt i barnave janë cefalet më të zakonshme të shkaktuara nga përdorimi i tepërt i barnave; si rregull ato fillojnë në mëngjes herët dhe vazhdojnë, duke u përmirësuar nga përdorimi i barnave, por përkeqësohen kur mbaron efekti i tyre.
- Cefalea zinxhir. ‘Dhimbjet zinxhir’ janë një formë relativisht e pazakonshme e cefales parësore që prek një individ në çdo 1,000 të rritur. Ato fillojnë shpejt, vazhdojnë një ditë ose shumë ditë dhe zakonisht shfaqen pa paralajmërim. Zakonisht ato zgjasin 45-90 minuta dhe vazhdojnë herë pas here, për një periudhë zakonisht 4-8 javë. Dhimbja e shkaktuar nga ‘cefalea zinxhir’ shpeshherë është e madhe/e rëndë, që përshkruhet si e mprehtë/djegëse dhe zakonisht lokalizohet rreth syve.
Zona e prekur mund të skuqet dhe të enjtet, qepallat enjten dhe mund, në anën e prekur, të bllokohet hunda dhe të rrjedhë.
Diagnoza dhe trajtimi i dhimbjeve të kokës
- Mjekët, zakonisht, kanë mundësi të diagnostikojnë llojin e dhimbjeve të kokës, nëpërmjet të shenjave që i tregon pacienti. Përshkrimi i tipit të dhimbjes dhe ‘koha e shfaqjes së atakut’ janë të dobishme, për këtë qëllim dhe mbajtja e një ditari për shfaqjen e shenjave mund të ndihmojë si pacientin dhe personelin mjekësor për të gjetur llojin e dhimbjes së kokës.
Nëse dhimbja është e komplikuar, personeli mjekësor mund të ketë nevojë për prova të diagnozës, si: analizat e gjakut, ekzaminime radiologjike dhe skaner të trurit, si tomografi të kompjuterizuara (CT) dhe imazhe me rezonancë magnetike (MRI).
- Zhvillimet e fundit për diagnozën e dhimbjeve të kokës me MNT.
- Në rang botëror, një bilion dollarë në vit harxhohen për skanerin e trurit, për ata që vuajnë nga cefalea apo dhimbja e kokës.
- Shumë mjekë flasin kundër përdorimit të skanerit të kokës, për dhimbjet e zakonshme, rutinë me migrenën. Megjithëkëtë, 12% e pacientëve që paraqiten tek mjekët me dhimbje koke, u jepet të bëjnë skaner kur dhimbja është e fortë dhe zgjatet krahas shenjave të tjera.
Trajtimi dhe parandalimi i dhimbjeve të kokës
Metodat më të zakonshme që rekomandohen për trajtimin e dhimbjeve të kokës janë:
- Pushimi dhe barnat kundër dhimbjeve (aspirina, algina etj.). Barnat më të zakonshme për lehtësimin e dhimbjeve të kokës mund të gjenden/blihen kudo ose punonjësit e mjekësisë mund të përshkruajnë mjekime parandaluese, siç janë antidepresantët triciklikë, barna antiepileptike dhe betabllokuesit.
- Është e rëndësishme të ndiqen këshillat e mjekut se përdorimi i tepërt i barnave kundër dhimbjeve mund të shkaktojë dhimbje të kokës që përsëriten (njëra pas tjetrës). Trajtimi i dhimbjeve ‘përsëritëse’ të kokës kërkon pakësimin ose ndërprerjen e barnave që lehtësojnë dhimbjet. Në rastet ekstreme, një shtrim i shkurtër në spital mund të kërkohet për të realizuar këtë.
Vetëshërbimi
Ka disa gjëra që mund të bëhen gjatë një dite rutinë për të lehtësuar dhimbjet e kokës: duke aplikuar një borsë me ujë të nxehtë ose me akull në kokë ose në qafë ju ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të kokës.
- Rekomandohet:
- Të evitohen situatat ose sendet që janë stresuese.
- Të hani rregullisht ushqimet.
- Të bëni ushtrime rregullisht.
- Të pushoni mjaft dhe të flini rregullisht.
- Të bëni dush të ngrohtë.
Përdorimi i mjekimeve alternative
Përveç metodave të trajtimit, të përmendura më lart, ka gjithashtu disa forma alternative për trajtimin, siç pasojnë më poshtë, por disa prej tyre janë të diskutueshme ose të parekomandueshme nga punonjësit e mjekësisë, si:
- Akupunktura.
- Trajtimi me kiropraktikë.
- Ambiente shoqërore me alegri
- Produktet herbale (barishte) për shëndetin.
- Hipnoza.
- Meditacioni.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raporton se 50% e njerëzve me dhimbje koke vetëmjekohen. Kjo do të thotë se shumë njerëz që kanë dhimbje koke, nuk marrin mjekimet më të mira. OBSH ka marrë përsipër një fushatë globale kundër kokëdhimbjes; një nismë që synon të ndihmojë të krijohet një vëmendje mbi çrregullimet e dhimbjeve të kokës dhe të përmirësohet vëmendja mbi ‘çrregullimet nga dhimbjet e kokës’ në rang botëror.
Sipas ‘Trustit të Migrenës’, ekzistojnë 190,000 atake migrenoze çdo ditë në Angli. Tani, një devizë e re, portabile, që prodhon impulse magnetike në tru, mund të ndihmojë dhe rekomandohet në Angli nga Instituti Nacional për Shëndetin.
Në SHBA është aprovuar Cerena Stimulatori magnetik, devizë mjekësore për trajtimin e dhimbjeve migrenoze të kokës, të cilat paraprihen nga aurat.
-Sindromat e cefaleve primare kanë mundësi të ndryshme trajtimesh, por në ato cefale kronike përdorimi i gjatë i opiumeve duket se rezulton më shumë i dëmshëm sesa i dobishëm.
-Migrena, disa herë, përmirësohet duke ndryshuar stilin e jetës së zakonshme, por shumica e njerzëve kërkojnë mjekime/barna për të kontrolluar shenjat e saj. Kërkohen barna që përdoren edhe për të parandaluar migrenën ose të zvogëlohen shenjat kur fillon migrena.
-Mjekimet parandaluese rekomandohen kur njerëzit kanë më shumë se katër atake migrene në muaj, kur migrena zgjatet më shumë se 12 orë ose kur dhimbjet janë të forta. Terapia e mundshme përfshin beta blokuesit, antidepresantët, antikonvulsantët dhe NSAIDS.
Llojet e barnave preventive zgjidhen duke u bazuar te shenjat që kanë, p.sh. nëse një person ka depresion, zgjidhen antidepresantët.
Terapia abortive për migrenat mund të jepet nga goja, nëse migrena është e lehtë ose mesatare, ose mund të kërkojë terapi më të fortë, që përdoren me injeksione në vena ose në muskujt. Cefalet e lehta ose mesatare në fillim duhen mjekuar me NSAID, si: ibuprofen dhe/ose acetaminophen. Nëse shoqërohen me nausea ose të vjella, një antiemitik si metoclopramide (Reglan) mund të jepet nga goja ose me suposte rektale.
Ataket mesatare ose të rënda duhet të trajtohen fillimisht me triptan nga goja, një mjekim që ngjason me serotoninën (një antagonist) dhe shkakton vasokonstriksionin të lehtë.
Nëse shoqërohet me nausea dhe të vjella mund të përdoret triptani dhe antiemetik me injeksione. Mund të përdoren disa barna dhe strategji për të ndihmuar të sëmurët me migrenë.
Akademia Amerikane e Neurologjisë për Migrenën, përdor trajtime relaksuese, feedback elektromyographic dhe terapia e sjelljes konjitive mund të merren në konsideratë bashke me mjekimet e tjera të zakonshme.
Cefalet e tipit të tensionit
Këto tipa cefaleje zakonisht mund të mjekohen me: NSAIDs (ibuprofen, naproxen), acetaminophen ose aspirinë.
Triptanet nuk ndihmojnë në cefalet e tipit me tension përveçse kur personi gjithashtu ka migrenë. Për llojet e cefaleve me tension kronik, amitriptilina është i vetmi mjekim i provuar si i dobishëm.
Amitriptylina është një medikament i cili trajton depresionin dhe dhimbjet. Ai vepron duke bllokuar serotoninën dhe norepinefrinën dhe njëkohësisht redukton tensionin muskular.
Studimet kanë përdorur akupunkturën për dhimbjet e tipit të tensionit dhe mendojnë se akupunktura nuk është e dobishme.
Cefalet zinzhirë
Terapia abortive për cefalet zinzhirë përfshin injektimet subkutane të sumatriptanës ose sprain nasal të triptanit. Oksigjenoterapia me presion, gjithashtu ndihmon në lehtësimin e saj.
Për njerëzit me periudhë të zgjatur të cefales zinzhir, mund të jetë e nevojshme terapia profilaktike. Verapamili rekomandohet si mjekimi i parë. Gjithashtu, mund të jetë i dobishëm litiumi. Për njerëzit me periudhë të shkurtër, një cikël i shkurtër me prednisone (10 ditë) mund të jetë i dobishëm.
Ergotamina është e dobishme nëse jepet 1-2 orë përpara atakut.
Cefalet sekondare
Trajtimi i cefaleve sekondare përfshin trajtimin e shkaqeve të tyre. P.sh. një person me meningjit kërkon përdorimin e antibiotikëve. Një person me tumor të trurit mund të kërkojë operacionin, kimioterapinë dhe radiacionin e trurit.
Neuromodulacioni
Neuromodelimi periferik është një tentativë e dobishme në cefalet primare, përfshirë cefalet zinzhir dhe migrenën kronike.



