Kryefaqja Shendeti a-z D Diabeti, rëndësia e edukimit terapeutik

Diabeti, rëndësia e edukimit terapeutik

0
Shpërndaje

Nga dr. Adriana Lapardhja, mjeke endokrinologe

‘Edukimi diabetik është guri në qoshe në menaxhimin e Diabetit Mellitus, sepse diabeti kërkon njohuri të përditshme të mënyrës së të ushqyerit, aktivitetit fizik, monitorimit dhe mjekimit’, sipas Patricia Bonsignore,  edukatore e diabetit në Qendrën Diabetike të Joslin.

Rëndësia e edukimit diabetik

Diabeti nuk është si sëmundjet e tjera, ku vetëm mjekimi medikamentoz mund të jetë i suksesshëm. Në trajtimin e diabetit ka shumë komponentë, si menaxhimi nutricional, aktiviteti fizik, mjekimi, monitorimi i glukozës dhe përshtatja psikoemocionale.

Edukimi diabetik ju bën më të përgjegjshëm për diabetin, çfarë duhet për trajtimin e tij dhe ju jep fuqinë ta kontrolloni atë. Edukimi diabetik ju lejon ta përfshini më mirë edukimin në jetën tuaj dhe të bëni ndryshimet e nevojshme për të ndryshuar stilin e jetesës.

Qëllimi i edukimit të të sëmurëve me diabet është që ata të marrin njohuritë më të domosdoshme për diabetin dhe të mësojnë arsyet pse shfaqet kjo sëmundje, shenjat klinike dhe laboratorike të saj, të mësojnë të bëjnë vetëkontrollin e diabetit duke e matur vetë gliceminë dhe të mësojnë si bëhet mjekimi me insulinë dhe me tableta i Diabetit Mellitus.

Qëllimi madhor i edukimit diabetik është që nëpërmjet këtyre njohurive të sëmurët të mbajnë diabetin të ekuilibruar, në mënyrë që të evitohen ndërlikimet akute dhe të vonohet shfaqja e ndërlikimeve kronike.

Edukimi diabetik sot ka marrë përmasa shumë të gjëra shoqërore dhe kombëtare, për vetë faktin se problemet e të sëmurit me diabet i përkasin gjithë komunitetit dhe shoqërisë ku punon dhe jeton ai. Për këtë arsye, edukimi diabetik përfshin një rreth të gjerë personash, si miqtë e familjarët.

Edukimi diabetik përmirëson jetesën në përgjithësi të të sëmurëve me diabet, bën të mundur kapërcimin e gjendjeve të ndryshme emocionale negative, rrit mjeshtërinë dhe njohuritë e veprimeve praktike për një kontroll metabolik më të mirë të diabetit mellitus.

Edukimi diabetik luan një rol të rëndësishëm në organizimin e një regjimi ditor e mujor, metoda që janë shumë të rëndësishme për trajtimin e të sëmurit me diabet në përgjithësi e veçanti.

Praktikat më të mira për Edukimin Diabetik

Është ide shumë e mirë të kemi një edukim diabetik individual dhe në grup. Në një grup ju mund të ndiheni më rehat pasi të gjithë kanë një shqetësim të përbashkët, ndajnë eksperiencat dhe shqetësimet si dhe dëgjojnë përgjigje që nuk mund t’i mendonin vetë. Megjithatë, Bonsignore thotë që është mjaft e rëndësishme që pas vizitës në grup të krijohet një plan individual, pasi stili i jetës i gjithsecilit është i ndryshëm.

Kush duhet të përfshihet në edukimin diabetik?

Edukimi diabetik dhe vetëmenaxhimi duhet të bëhet me një skuadër, sipas Bonsignore. Kjo skuadër duhet të përbëhet nga:

  1. Një mjek që ka njohuri për diabetin
  2. Një edukator diabeti
  3. Një dietolog
  4. Një fiziologjist

Si organizohet dhe bëhet edukimi i të sëmurëve me diabet?

Edukimi i pacientëve me diabet bëhet në bazë të programeve të caktuara dhe të hartuara nga ekipet e posaçme, të përmendura më sipër.

Programet hartohen në gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga një masë e madhe njerëzish, në mënyrë që ato të zbatohen nga një numër i madh pacientësh me diabet, pavarësisht nga arsimimi dhe profesioni i tyre. Programet përmbajnë pjesën teorike dhe atë praktike.

Edukatorët e diabetit duhet të jenë të aftë si nga ana teorike ashtu dhe nga ana praktike, të kenë aftësi të mira komunikuese me pacientët me diabet, si dhe të kenë aftësi pedagogjike dhe mësimdhënëse në mënyrë që të arrijnë të shpjegojnë qartë, thjeshtë dhe kuptueshëm.

Mësimi nuk duhet të jetë i mërzitshëm, duhet zhvilluar me pyetje dhe përgjigje dhe jo më tepër se 30 minuta. Grupi i mësimdhënies duhet të jetë i përbërë me ekspertë të fushave të ndryshme, që kanë të bëjnë me diabetin dhe komplikacionet e tij.

Ku bëhet edukimi diabetik?

Edukimi i diabetit mund të bëhet në shumë vende, si në klinikë, poliklinikë, qendra të posaçme edukimi, dhomën e mjekut, si dhe në shtëpinë e të sëmurit me diabet.

Grupi i edukatorëve duhet të punojë me grupe të vogla prej 5 deri në 6 persona, në mënyrë që të gjithë të sëmurët me diabet të pyeten dhe të marrin pjesë aktive në diskutimet teorike dhe në veprimet praktike. Rëndësi të veçantë në procesin e edukimit i kushtohet matjes së glicemisë me aparat (glukometër) nga vetë pacientët, mënyrës konkrete të bërjes së insulinës dhe modifikimit të dozës së saj në bazë të vlerës së glicemisë si dhe mjekimi me perorale.

Në procesin e edukimit diabetik i kushtohet një rëndësi e madhe hartimit të dietave nga vetë të sëmurët me diabet. Procesi i edukimit diabetik zgjat gjatë gjithë jetës, me ndërprerje të vogla.

Të sëmurët me diabet duhen mësuar ta shohin edukimin e tyre si mjekim të diabetit, pasi nëpërmjet edukimit ata bëjnë vetëkontrollin dhe vetëmjekimin që çon në ekuilibrimin e diabetit. Nga ana tjetër, edukimi diabetik pakëson mjaft ndërlikimet akute të diabetit, të cilat janë mjaft problematike për të sëmurët me diabete mellitus.

Edukimi diabetik i fëmijëve të vegjël bëhet me pjesëmarrjen e prindërve apo edukatorëve të tyre. Edukimi diabetik i fëmijëve bëhet më mirë në kampet e fëmijëve me diabet, ku ata njohin njëri tjetrin, krijojnë shoqëri midis tyre, duke përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e tyre shpirtërore dhe emocionale.

Si bëhet edukimi diabetik në vendin tonë?

Edukimi diabetik në vendin tonë, ashtu si në vendet e tjera të botës, fillimisht është bërë në mënyrë të paorganizuar te shtrati i të sëmurit. Në të vërtet, ky lloj edukimi ishte spontan,i paorganizuar, pa metodologji të caktuar pedagogjike dhe shkencore.

Edukimi diabetik i organizuar dhe i programuar ka filluar në vitin 1985 në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, në klinikën e Endokrinologjisë, shumë herët në krahasim me vendet e tjera ballkanike, ku edukimi diabetik ka filluar më vonë.

Këto 3-4 vitet e fundit, procesi i edukimit diabetik është përmirësuar mjaft. Tani është kaluar në një stad të ri ku edukimi diabetik bëhet nga një ekip multidisiplinar. Po kështu, një rol të rëndësishëm në procesin e edukimit diabetik luan edhe Shoqata e Diabetit, në ambientet e së cilës kryhet një edukim i vazhdueshëm i pacientëve me diabet çdo ditë të javës nga mjekët specialistë endokrinologë të Tiranës.

Procesi i edukimit diabetik, që është bërë gjithë këto vite, i ka dhënë frytet e veta. Kështu është konstatuar se, në sajë të edukimit te diabetikët, janë pakësuar ndjeshëm ndërlikimet akute të diabetit dhe më pak ato kronike të diabetit.

Edukimi diabetik kushton më pak se mjekimi i ndërlikimeve kronike të diabetit, të cilat janë shumë më të shpeshta dhe më të rënda për diabetikët që nuk bëjnë edukim diabetik.

“Edukimi diabetik ju jep pushtetin të kontrolloni diabetin, që mos të përfundoni duke u kontrolluar ju nga diabeti”./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here