Kryefaqja Shendeti a-z D Diabeti tek fëmijët/ Petrit Hoxha: ‘Shteti duhet të ngrejë strategji, nuk mjafton...

Diabeti tek fëmijët/ Petrit Hoxha: ‘Shteti duhet të ngrejë strategji, nuk mjafton dhënia e insulinës falas’

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Popullsia botërore e fëmijëve 0-4 vjeç llogaritet rreth 1.8 deri në 2 miliardë, dhe 440.000 fëmijë të kësaj moshe janë me diabet. Çdo vit shfaqen 70 mijë raste të reja, dhe mbi 90% e fëmijëve me diabet të kësaj moshe kanë diabetin e tipit 1.

Për shumë vite Shqipëria ka pasur të njëjtat raporte me vendet e tjera të rajonit (2.8), por, statistikat e fundit (viti 2011) tregojnë se kjo shifër ka ndryshuar jo pak po sot llogaritet të jetë rreth 5.88%. Për moshat 0-5 vjeç kjo shifër është shtuar 2.8 herë, për 6-10 vjeç është shtuar 4.5 herë, ndërsa për ata 11-14 vjeç është shtuar 3 herë.

Petrit Hoxha, mjek endokrinolog pediatër, shpjegon arsyet e shtimit të numrit të kësaj patologjie, ku nëse në rastin e diabetit tip 1 janë çështje të natyrës imunologjike, që mjekësia akoma nuk i kontrollon dot, në diabetin tip 2  gjithçka e kemi në dorë vetë.

Ndërsa flet për kujdesin dhe kontrollet periodike që duhet të kryejnë këta pacientë, thekson dhe koston e madhe që diabeti ka në trajtim (3.8 milionë të vjetra në vit, ose 300 e 20 mijë të vjetra në muaj), ku aktualisht shteti shqiptar mbulon vetëm dhënien e insulinës falas për fëmijët.

Çfarë është sëmundja e diabetit?

Shoqata Amerikane e Diabetit në vitin 2014 diferencon 4 tipa diabeti.

Diabeti tip 1 është kur ka një shkatërrim të qelizave beta, të cilat ndodhen në gjëndrën e pankreasit dhe janë të specializuara për prodhimin e insulinës. Në këtë rast deficiti është i plotë dhe nuk ka prodhim insuline.

Diabeti tip 2 shkaktohet nga defekte në prodhimin e insulinës, defekte qe janë progresive dhe çojnë në një insulino-rezistencë, e cila përfundon pastaj në diabet, që edhe ky kërkon mjekim me insulinë.

Grupi i tretë janë diabet të grupeve të tjera që shkaktohen nga shkaqe gjenetike që dëmtojnë funksionin e qelizave beta, ose defekte të veprimit të insulinës.

Tip 4 është dëmtimi që vjen gjatë barrës, ose diabeti i barrës.

Si përkufizim mund të themi që, diabeti i sheqerit është një grup i sëmundjeve metabolike që karakterizohet nga hiperglicemia ose nga shtimi i nivelit të sheqerit në gjak në mënyrë kronike, që vjen si deficit i veprimit të insulinës nga qelizat beta të pankreasit ose kombinimi i të dyjave së bashku. Në përgjithësi këto sjellin anomali të metabolizmit, jo vetëm të glukozës së sheqerit, por dhe të yndyrave dhe proteinave, sepse mungon insulina dhe veprimet që ka ajo në organizëm.

Sa problematik është diabeti tek fëmijët dhe të rinjtë?

Popullsia botërore e fëmijëve 0-4 vjeç llogaritet rreth 1.8 deri në 2 miliardë, dhe 440.000 janë me diabet të kësaj moshe. Çdo vit shfaqen 70 mijë raste të reja. Në përgjithësi, mbi 90% e fëmijëve me diabet të kësaj moshe kanë diabetin tipin 1, pra i janë dëmtuar qelizat beta prodhuese të insulinës.  Çdo ditë, në botë, rreth 200 fëmijë shfaqin diabet të tipit 1. Në përgjithësi diabeti i tipit 1 tek fëmijët parashkollorë rritet me 5% dhe me 3% në fëmijët deri në 14-15 vjeç.

Por çfarë janë mekanizmat që krijojnë diabetin?

Në shumicën e rasteve janë dëmtimet e qelizave beta të pankreasit nga ana e limfociteve, që prodhohen me shpejtësi të ndryshme, dhe kur 90 % e qelizave beta janë shkatërruar, atëherë shfaqen shenjat e para të sëmundjes, të cilat, veç sa thamë më lart, kanë karakteristikë edhe shfaqjen e antikorpeve në qarkullimin e gjakut. Faktorët që krijojnë sëmundjen mund të jenë faktorë rrethanorë, kimik ose virusal, që shtyjnë përpara dëmtimin e qelizave beta, por ka edhe faktorë të tjerë të panjohur. Duhet theksuar  se, që të shpërthejë sëmundja duhet të kalojnë muaj ose vite, duke qenë se evolucioni i rrethanave që çojnë në shkatërrimin e qelizave beta është i ngadalshëm.

Nuk duhet të harrojmë që krahas diabetit tip 1, sot ka një tendencë më të shprehur në botë, si edhe në Shqipëri, lidhur me shtimin e rasteve të diabetit tip 2, dhe gradualisht ky tip diabeti po bëhet në numër gati gati të barabartë me diabetin tip 1. Si moment të fillimit të shfaqjes së diabetit është rënë dakord të quhet çasti kur bëhet për herë të parë injeksioni i insulinës tek organizmi i një fëmije. Megjithatë, duhet të pranojmë që rruga për të shkuar drejt shfaqjes së plotë të diabetit kalon nëpër disa faza, pastaj vjen shpërthimi i sëmundjes, ku kërkohet dhe fillimi i mjekimit me insulinë. Pas këtij momenti vjen një përmirësim i gjendjes, ku shënohet ulje progresive e dozave të insulinës. Në raste më të rralla insulina hiqet fare, por kjo periudhë është kalimtare dhe ne e quajmë ‘muaji i mjaltit’ të diabetit, sepse më tej pastaj vjen dhe vendosja definitive e mjekimit me insulinë.

Nga dallon diabeti tip 1 nga ai tip 2?

Për të dalluar diabetin tip 1 nga tipi 2 janë disa kritere dhe, siç e theksova dhe më lart, diabeti tipi 2 shoqërohet me mbipeshë, vërehet tek fëmijët mbi moshën 10 vjeç, në familjen e këtij individi ka dhe raste te tjera me diabet tip 2, nuk kanë antikorpe kundër qelizave beta dhe nuk është se u mungon prodhimi i insulinës që në fillim, por në këto organizma ka një rezistencë të shtuar ndaj veprimit të insulinës. Nevojat ditore për insulinë në mjekimin e diabetit shkojnë nga gjysmë njësi për kg peshë deri në një njësi insulinë për kg peshë, në ditë.

Pse është rritur numri i të prekurve me diabetit në Shqipëri?

Për shumë vite ne e kemi pasur 2.8, si të gjithë vendet e tjera të rajonit, sot e kemi 5.88. Për moshat 0-5 vjeç është shtuar 2.8 herë, për ata 6-10 vjeç është shtuar 4.5 herë, për 11-14 vjeç është shtuar tri herë. Nuk ka një dallim të rëndësishëm mes femrave dhe meshkujve, në përgjithësi grupi që preket më shumë është mosha 10 -14 vjeç. Treguesi që përdoret sot për të vlerësuar shpeshtësinë e sëmundjes llogaritet mbi rastet e sëmura në një popullsi fëmijësh për një numër 100.000 në vit. Pra, për vitin 2011, incidenca e sëmundjes ishte 5.88% të moshës 0-14 vjeç. Kjo quhet incidencë e sëmundjes dhe vlerësohet mbi numrin e fëmijëve me diabet që shfaqen për një vit.

Si bëhet diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjes së diabetit?

Bëhet kryesisht nga matja e nivelit të sheqerit, i cili del mbi 200mg/ml në çdo orë të ditës, pa lidhje me ushqyerjen ose mbi 126 mlg/dl esëll. Sëmundja tek fëmijët zbulohet nga shenjat karakteristike, siç janë urinimi i shpeshtë, pirja e shpeshtë e ujit, humbja e peshës dhe shfaqja e sheqerit në urinë me shtim të nivelit të sheqerit në gjak.

Mbasi sëmundja u zbulua, gjëja e parë që duhet të dimë është nëse në momentin e vendosjes së diagnozës fëmija është me aceton në urinë apo pa aceton në urinë. Nëse është me aceton në urinë, ai duhet shtruar menjëherë sepse duhet filluar mjekimi me serume dhe insulinë, e cila jepet në rrugë intravenoze. Pasi fillohet mjekimi me insulinë, bëhet dhe një edukim i fëmijës dhe i prindërve për sëmundjen e diabeti, për shkaqet, mjekimin, regjimin ditor, që ne e quajmë shkollë e diabetit. Më tej pastaj vendoset mjekimi me insulinë, të cilën mjeku përgjithësisht e këshillon 4 herë në ditë. Për të matur sheqerin duhet një shpuese e gishtit, nga ku do merret pika e gjakut, duhet aparati që mat sheqerin, fishat që futen në këtë aparat dhe shërbejnë për matjen e sheqerit, si dhe pena e insulinës.

Pse është shtuar incidenca e diabeti tip 2 tek fëmijët?

Për shkak të mënyrës së jetesës dhe ushqyerjes jo të shëndetshëm. Le të marrim një shembull; coca-cola që fëmijët e pëlqejnë shumë, 100 ml coca-cola ka 12.5 gramë sheqer. Pra, në një kanoçe 330 ml gjenden afërsisht 39 gramë sheqer, e barabartë kjo me 2 lugë gjelle sheqer. E dyta janë ushqimet e shpejta, të përpunuara, fast-food-et, që përmbajnë nivele të larta të yndyrave dhe brumërave.  Gjithashtu ndikon shumë mënyra e jetesës pa aktivitet fizik. Qëndrimi i gjatë para kompjuterëve e smartfonëve.

Çfarë kontrollesh periodike duhet të kryejnë këta pacientë?

Përveç kontrollit çdo tre muaj, që merret me dozat e insulinës dhe edukimin e diabeti, një herë në vit këta pacientë duhet të kontrollojnë fundin e syrit tek mjeku specialit. Një herë në vit duhet të kontrollojë gjendjen e nervave. Një herë në vit duhet të bëjnë analizat e veshkave, analizën e mëlçisë së zezë dhe mbi të gjitha analizën e yndyrave. Dihet që ndërlikimet afatgjata në këto inde përfshijnë enët e gjakut dhe fijet nervore. Me dëmtimin e veshkave, kemi një ndalje të proteinave, dëmtim të enëve të gjakut dhe fillon insufiçenca renale.

Nëse janë prekur nervat, kemi humbje të ndjeshmërisë dhe pasojat janë të rënda. Nëse kjo ka ndodhur, në sy vjen verbimi, nëse ndodh në venat e mëdha të gjakut ndodh gangrenë, nëse ndodh në enët e vogla, miokard apo tru, ndodh infarkti i miokardit apo trombozat cerebrale.

Diabeti është një sëmundje që duhet mjekuar çdo ditë, me vite me radhë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, vitet kalojnë shpejt dhe ndërlikimet papritur ndodhin.

Cila është kostoja vjetore që duhet të përballojë një pacient me diabet?

Kostoja vjetore e diabetit shkon rreth 3.8 milionë të vjetra ose 300 e 20 mijë të vjetra në muaj. Këtu futet insulina, aget e insulinës, shpueset e gishtit, stipset për matjen e sheqerit, alkooli etj. Futet ekzaminimi i hemoglobinës së glukozuar çdo tre muaj, ekzaminimi i syrit çdo vit, bilanci i yndyrave, vlerësimi i veshkave, vlerësimi i enëve të gjakut për dëmtime në organe të ndryshme etj. Shteti aktualisht mbulon vetëm insulinën (flasim për fëmijët gjithmonë). Pra, kostoja e mjekimit të diabetit nuk është vetëm dhënia e insulinës falas, por duhet që shteti të parashikojë që të jepen falas edhe shpueset e gishtit apo aget që do vendosen në penën e insulinës,  stipset apo fijet që shërbejnë për të matur nivelin e sheqerit. Nuk mund të bëhet korrigjimi i nivelit të sheqerit në gjak po nuk e matëm.

Këshilla, si mund ta mbajmë larg diabetin? 

Për diabetin tip 1 nuk mund të themi se ka masa që mund ta parandalojnë. Janë çështje të natyrës imunologjike që akoma mjekësia nuk i kontrollon dot.

Për sa i takon diabetit tip 2, mbetem prapë me ato që thashë më lart. Fëmija duhet të jetë sa më aktiv, larg pajisjeve elektronike si iPad apo smartphone. Dieta strikte në përputhje me moshën dhe nevojat ditore të cilat i llogarit mjeku. Përjashtimi nga dieta i lëngjeve të sheqerosura, ëmbëlsirave dhe produkteve yndyrore të gatshme. Mos harroni që një çokollatë 100 gramë, përgjithësisht ka 570 kalori. Sikur gjysmë çokollate të hajë fëmija, ka ngrënë rreth 300 kalori. Ndërsa, për të harxhuar 300 kalori, duhet një aktivitet fizik i madh (8 km ecje në këmbë). Ndryshe do të përkthehet në shtim në peshë./ Shendeti.com.al

 

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here