Organizata “Përtej Barrierave” në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Qendrës Rinore të Tiranës organizuan eventin e kësaj dite me pjesëmarrjen e më shumë se 80 të rinjve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Ajo që e bëri më të veçantë këtë aktivitet ishte tema e tij, e cila lidhet në mënyrë të drejtperdrejtë me angazhimin e të rinjve për t’u njohur me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të lançuara nga Kombet e Bashkuara. Ashtu si dhe me Objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit, të rinjtë dhe organizata rinore nga e gjithë bota kanë luajtur një rol aktiv për promovimin dhe përkthimin e tyre në ide e projekte konkrete në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.
“Më vjen mirë që ky është një ndër projektet e para në nivel rajonal i financuar direkt nga Kombet e Bashkuara në kuadër të Action/2015 me organizata partnere nga Serbia dhe Maqedonia. Projekti Balkan Action 2015, pjesë e të cilit është dhe aktiviteti që implementojmë sot promovon 17 objektivat e Zhvillimit të qëndrueshëm tek të rinjtë dhe veçanërisht fokusohet në tre prej tyre. Besoj se është roli i të gjithëve si aktivistë të shoqërisë civile që këto objektiva të mos ngelen vetëm në letër apo në nivelin e informimit për të rinjtë, por nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme të dëgjohen sugjerimet dhe zëri i të rinjve dhe të konkretizohen ne projekte specifike për përfitimin e shoqerisë sonë”, tha drejtoresha ekzekutive e “Përtej Barrierave”, znj. Ana Dervishi në fjalën e saj të hapjes së aktivitetit. Aktiviteti vazhdoi me diskutimet mbi 8 tematikat e përzgjedhura, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të japin idetë, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre në formatin e edukimit jo formal të quajtur “World Cafe”.
Më pas të pranishmit në këtë aktivitet u ftuan të shohin ekspozitën “Unë Marr Pjesë” me 22 fotografi të bëra nga të rinj nga i gjithë vendi dhe të votojnë për 3 fotografitë më të mira. Konkursi fotografik i hapur prej 3 javësh pati pjesëmarrjen e 18 të rinjve, ku përmes fotografive dhe mesazheve sensibilizuese u bënë pjesë e konkursit me 3 tema kryesore, si: varfëria, pabarazia dhe edukimi cilësor.


