Blertina Koka
Drejtuesit e spitaleve nuk ‘vënë mend’. Edhe pse është e ndaluar me ligj që të përdorësh postin drejtues për fushatë zgjedhore, pasi në të kundërt rrezikon shkarkimin nga detyra (siç ndodhi me rastin e drejtorit të Spitalit të Beratit), vazhdojnë të denoncohen raste të shkeljes së ligjit.
Faqja në Facebook “Lolita” ka publikuar një mesazh ku një mjek i Spitalit Rajonal të Fierit u dërgon mesazh miqve se i ka lënë porosi drejtoresha që t’i njoftojë për hapjen e fushatës zgjedhore.
Drejtoresha e këtij spitali, Brunilda Çami, kandidon për deputete e PDIU-së.
Në mesazhin dërguar miqve, mjeku shkruan:
Mirëdita Çuna! Më njoftoi drejtoresha që sot në 5:15 pasdite ka një takim në qendër të Fierit për hapjen e fushatës së PDIU-së. Më la porosi të njoftoj çunat e grupit për pjesëmarrjen. Kalofshi mirë.
Në vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më datë 02 Qershor 2017 thuhet: “Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare a njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje”.
Nuk dihet nëse do të ketë ndonjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë pas këtij denoncimi./ Shendeti.com.al
