FDA ngre alarmin, karkalecat e paketuar të dyshuar për kontaminim radioaktiv

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) ka paralajmëruar qytetarët amerikanë të mos konsumojnë disa produkte karkalecash të ngrirë të markës Great Value, të shitur në rrjetin e supermarketeve Walmart, për shkak të dyshimeve për kontaminim me Cesium-137, një izotop radioaktiv.

FDA bëri të ditur se kushdo që ka blerë produktet duhet t’i hedhë menjëherë dhe të mos i konsumojë. Paralajmërimi erdhi pasi Dogana dhe Mbrojtja e Kufijve e SHBA-së (CBP) zbuloi praninë e Cs-137 në disa kontejnerë transporti në katër porte amerikane – Los Angeles, Houston, Savannah dhe Miami. Kontejnerët e prekur janë bllokuar dhe nuk janë lejuar të hyjnë në vend.

Hetimi dhe shqetësimet e FDA-së

Agjencia tha se po “heton në mënyrë aktive” rastin e kontaminimit me Cs-137 në ngarkesat e ardhura nga Indonezia. Deri tani, nuk ka prova që ndonjë produkt i kontaminuar të ketë hyrë në tregun amerikan, por FDA thekson se karkalecat mund të jenë “përgatitur, paketuar ose ruajtur në kushte të pasigurta higjienike” që i ekspozuan ndaj rrezikut.

“Nëse keni blerë karkaleca të papërpunuar të ngrirë në Walmart që përputhen me këtë përshkrim, mos i konsumoni. Hidhini menjëherë,” – theksoi FDA në njoftimin zyrtar.

Agjencia shtoi se edhe ekspozimi i kufizuar ndaj Cs-137 rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit, pasi izotopi dëmton ADN-në e qelizave të gjalla. Sasitë e gjetura janë nën nivelin e shqetësimit për ushqimet e importuara, por FDA thekson se kujdesi lidhet me “ekspozimin e përsëritur dhe afatgjatë në doza të vogla.”

Reagimi i Walmart

Walmart ka konfirmuar tërheqjen e produkteve dhe njoftoi se klientët që i kanë blerë mund t’i kthejnë për rimbursim të plotë.

“Shëndeti dhe siguria e klientëve tanë është prioriteti kryesor,” – tha një zëdhënës i kompanisë për TIME. “Ne kemi bllokuar menjëherë shitjen dhe kemi hequr produktin nga dyqanet e prekura, ndërkohë që po bashkëpunojmë me furnitorin për të hetuar rastin.”

Çfarë është Cesium-137?

Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Cs-137 është izotopi radioaktiv më i zakonshëm i Cesium-it. Ai prodhohet përmes fisionit bërthamor dhe përdoret në pajisje mjekësore, instrumente matëse dhe në terapinë me rrezatim për trajtimin e kancerit.

Megjithatë, Cs-137 është edhe një nënprodukt i mbetjeve nga reaktorët bërthamorë dhe shpesh është zbuluar në zonat pranë aksidenteve bërthamore. Në tokë mund të qëndrojë për dekada, duke hyrë në ciklin ushqimor. Ekspozimi i zakonshëm ndodh në nivele shumë të ulëta, të padëmshme për shëndetin, por FDA paralajmëron se edhe këto nivele, nëse grumbullohen me kohën, përbëjnë rrezik.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), sasi më të larta të Cs-137 mund të shkaktojnë djegie, sëmundje nga rrezatimi dhe në raste ekstreme edhe vdekje./monitor

Postime të ngjashme

Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025
Inaugurohet materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’, Sala: 1.2 mld lekë investim
Si ta ruani avokadon të freskët për më gjatë? Truket e thjeshta që funksionojnë
Temperaturat e larta? Ja cilat ushqime duhet të shmangni dhe çfarë të konsumoni më shumë
60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në spital me simptoma helmimi, Policia: AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara
Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë, 30 persona përfundojnë në spital
Kripa në ushqim: 4 truke për ta reduktuar atë pa humbur shijen
I nxehti ekstrem, kush janë kategoritë më të rrezikuara