Nëse gjatë shtatzënisë ekspozohet ndaj tymit të duhanit, kur të lind, fëmija mund të shfaqë probleme me dëgjimin. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip shkencëtarësh të Universitetit të Kalifornisë, i publikuar në “European Journal of Neuroscience”. Sipas shkencëtarëve fëmijët e nënave duhanpirëse rrezikojnë të shfaqin probleme me dëgjimin, për shkak të nikotinës. Përveç kësaj, shkencëtarët kanë parë se si kjo substancë vepron në trurin ende në fazë zhvillimi, duke dëmtuar aftësitë e dëgjimit. “Ne kemi arritur të tregojmë se ekspozimi ndaj nikotinës gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë, provokon probleme me veshët te fëmija”, shprehet Raju Metherate, koordinator i studimit.
Ky është studimi i parë i këtij lloji, që flet për lidhjen që ekziston mes përdorimit të duhanit te nëna dhe këtyre problemeve të veçanta te fëmija. Teste të mëtejshme kanë treguar se shkaku më i mundshëm i këtyre problemeve është një dëmtim në receptorët e trurit, që janë të ndjeshëm ndaj nikotinës në fazën e zhvillimit cerebral.



