Donjeta Zeqa
Të apasionuar pas notit dhe me dëshirën për të fituar, notarët e vegjël ishin të shtunën (19 dhjetor 2015) nën ethet e garës së fortë që u zhvillua në resortin “Te Stela”.
Gara për “Kupën e Perspektives” pati 12 ekipe pjesëmarrëse nga Shqipëria dhe Kosova, si “Tirana”, “Teuta Swimming”, “Nobis”, “TDS”, “Jon Vlorë”, “Termopan” etj.
Evenimenti u organizua nën përkujdesjen e “Te Stela Resort” dhe u zhvillua në pishinat dimërore të këtij resorti. Në një ambient fantastik dhe shumë komod, notarët e talentuar luftuan shumë për të fituar. Reflektimi i ndjenjave të tyre ambicioze dallohej në epërsinë që i dhanë garës si dhe në mbështetjen e shokëve të skuadrës. Në këtë garë morën pjesë rreth 170 fëmijë ku triumfoi me disa çmime të para grupi “Akademia e Notit Te Stela”.
Garat u zhvilluan të ndara në katër kategori moshash, “nën 8 vjeç”, “9-10”, “11-12”, dhe “13-14 vjeç” në stilet “delfin”, “stili i lirë”, “shpinë” dhe “stil bretkose”.
Të pranishëm ishin dhe prindërit e konkurrentëve, që inkurajuan dhe i mbështetën fëmijët e tyre pavarësisht rezultatit. Organizatorët u kujdesën që konkurrentët dhe të pranishmit në këtë garë të ndiheshin rehat në ambientet e “Te Stela Resort”. Por çfarë thanë për këtë garë pjesëmarrësit në të:
Trajneri Sadik Mema i Akademisë së Notit Te Stela thotë:
Disa instruktorë merren me të gjitha grupmoshat si për ata që e kanë pasion, por edhe për ata që kanë objektiva për t`u bërë notarë. Ne kemi një ekip të kualifikuarish, të rinj dhe të reja që marrin pjesë në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë periudhës tetor-dhjetor kemi bërë rreth 5 aktivitete, dy nga të cilat kanë qenë aktivitete kombëtare.
Kultura e notit është në rrugë të drejtë, prindërit janë të përkushtuar dhe investojnë për fëmijët e tyre duke i angazhuar rregullisht në sportin e notit. Dua të theksoj gjithashtu se sporti i notit është sporti më i mirë, sidomos për fëmijët dhe ndikon shumë për sa i përket zhvillimit fizik, por në veçanti shëndetit, gjithashtu dhe organëve jetësore, siç është sistemi kardiovaskulare respiratorë. Noti është sporti më i mirë për këto mosha, aq më tepër që përveç kësaj, shërben dhe për kurimin. Ne kemi shumë fëmijë këtu që janë me probleme me kolonën apo me probleme të tjera dhe që ushtrohen në qendrën tonë. Jam shumë i kënaqur nga fëmijët e ekipit tim. Konkurruam me 50 notarë dhe zumë dy vendet e para për meshkuj dhe për femra, si dhe një seri të vendeve të para për gara të veçanta, si për meshkuj, ashtu dhe për femra. Jemi në rrugë të mbarë dhe po rritemi dita-ditës.
Mjeshtri i merituar i Sportit, gjyqtari Emin Lishi
Gara shkoi jashtëzakonisht mirë. “Akademia e Notit Te Stela” ka bërë një punë të shkëlqyer. Ka vite që po i jep suport notit dhe cilësisë sportive në sportin e notit.
Mendoj se shembullin e kësaj akademie duhet ta ndjekin edhe rrethe të tjera dhe kjo nismë që ka marrë kjo kompani të zgjerohet në të gjithë Shqipërinë.
Përgëzoj akademinë dhe stafin organizator, sepse kanë bërë një punë shumë profesionale që nga kreu i kësaj akademie z.Sadik Mema e deri tek instruktorët e tjerë si Mario Koxhaku, Xhuliana Islami e të tjerë.
Greisi Koxhaku (rekordmen)
Greisi 9-vjeçar, i cili trajnohet me Mario Koxhakun, fitoi 4 vende të para dhe theu 3 rekorde. Greisi u shpreh se kishte dëshirë të fitonte më shumë gjithsesi është i kënaqur me rezultatin.
“ Jam shumë i kënaqur me rezultatetet e arrira, kisha qejf për më shumë, por gjithsesi ia dola të kënaq veten. Kam që në janar që merrem me këtë sport dhe e kam shumë pasion dhe kam ambcie të arrij sa më lart”.
Anastasia 11-vjeçe, trajnohet nga Mario Koxhaku, bëri 4 gara, zuri dy vende të para, një vend të dytë dhe një vend të tretë, mori tre medalje. Ka 1 vit e gjysmë që merret me këtë sport. Pasionin për notin e ka të trashëguar nga babai, i cili është gjithashtu sportist. Anastasia në këtë garë arriti dhe të përmirësonte kohën.
“ Sportin e notit e bëj me pasion dhe dëshirë, kam qëllime ta vazhdoj më tej këtë sport dhe pse jo të fitoj dhe një shkollë”.
***
Numri i pjesëmarrësve në “Te Stela Sport Center” është rritur nga viti në vit dhe për këtë ka ndikuar edhe motivimi nga ana menaxheriale. Edhe pse noti është një sport individual dhe varet më shumë nga individi, motivimi nga ana e kësaj qendre nuk mungon.



