Lorena Duri, mjeke Stomatologe
Gingiviti është inflamacioni i gingivës (mishi rreth dhëmbit), dhe një nga problematikat që haset shpesh në stomatologji.
Klinikisht gingiviti spikat këto karakteristika:
- Gingiva paraqitet e skuqur dhe e fryrë
- Gingiva jep dhimbje kur preket
- Gingiva jep hemorragji kur ngacmohet
Gingiviti paraqitet në dy forma:
- I lokalizuar (rreth një dhëmbi ose një grup dhëmbësh)
- I gjeneralizuar (prek gingivën e gjithë dhëmbëve)
Shkaktarët:
- Faktori kryesor i shfaqjes së gingivitit është pllaka bakteriale. Pllaka bakteriale nënkupton një shtresë bakteresh e cila ngjitet në sipërfaqen e dhëmbit në mungesë të higjienës. Me pak fjalë, pacientët që nuk kanë higjienë të mirë të gojës janë mjaft të predispozuar të shfaqin gingivit.
- Faktor tjetër është trauma e gingivës nga ushqimet e forta, përdorimi i kunjit të dhëmbëve, furcimi traumatik, përdorimi i furçave me qime shumë të forta, etj.
- Faktori jatrogjen (i shkaktuar nga mjeku). Më saktë kjo do të thotë mos kryerja korrekte e mbushjeve në realizimin e pikës së kontaktit ose mosrealizimi korrekt i punimeve protetike fikse (këllëfë dhe ura me kufij jo të saktë).
- Gjendje të veçanta fiziologjike si puberteti dhe shtatzënia. Adoleshentët dhe gratë shtatzëna janë të predispozuar të japin gingivit si pasojë e ndikimit hormonal dhe neglizhencës në kujdesin për higjienën e gojës.
- Medikamentet. Grupe të veçanta medikamentesh mund të shkaktojnë gingivit (si p.sh ciklosporina, nifedipina, amlodipina etj.)
- Faktori alergjik. Punime të caktuara protetike mund të japin gingivit si pasojë e reaksioneve alergjike,p.sh metali në punime metal-porcelan.
Mjekimi
- Mbajtja në kontroll e higjienës së gojës. Mjaft thelbësore në trajtimin e gingivitit është edukimi dhe ndërgjegjësimi i pacientit për rëndësinë e higjienës së gojës. Këshillohet furcimi i dhëmbëve të paktën 2 herë në ditë. Është e rëndësishme të zgjidhet një furçë me qime të buta dhe të përdoret në të gjithë sipërfaqen e dhëmbëve me lëvizjet gjysmë rrotulluese. Gjithashtu, vlen të theksohet që është e rëndësishme të zgjidhet një pastë e mirë e pasur me fluoride dhe të aplikohet filli dentar të paktën një herë në ditë në darkë mbas larjes. Përdorimi i solucionit anti-septik pa alkool është gjithashtu i këshillueshëm në rastin e gingivitit.
- Pastrimi i rregullt, periodik (çdo 6 muaj) i gurrëzave dhe mjekimi i mishrave të dhëmbëve.
- Dekontaminimi i gingivave me lazer (bëhet nëpërmjet lazerit dentar).
- Antibiotiko-terapia. Lloji i antibiotikut, dozimi dhe kohëzgjatja përshkruhet nga mjeku në recetë.
- Kyretazhi i gingivave. Bëhet në rastin e gingivitit ulcero-nekrotik. Kjo është faza më e rëndë e gvingivitit, ku gingiva paraqitet me ulçeracione dhe është njëkohësisht e nekrotizuar. Kyretazhi nënkupton heqjen e pjesëve të vdekura të gingivës për t’i dhënë mundësi asaj të rigjenerohet
- Në rastin e gingivitit jatrogjen, duhen korrigjuar mbushjet jo të sakta dhe duhet bërë zëvendësimi i punimeve protetike jo korrekte. Gjithashtu materialet alergjike duhet të zëvendësohen me ato hipoalergjike./ Shendeti.com.al


