Gjendja shëndetësore e familjarëve dhe furnizimi me material të mbrojtjes personale janë vetëm disa nga shqetësimet e mjekëve nga COVID-19

Gjatë një pandemie, kërkesat kundrejt personelit të kujdesit shëndetësor janë të jashtëzakonshme dhe të vazhdueshme. Rezultatet e suksesshme në drejtim të shëndetit publik janë të kushtëzuara dukshëm nga funksionimi efektiv i fuqisë punëtore brenda sistemit shëndetësor, sikurse pa diskutim që nevojitet një përgjigje e shoqërisë në tërësi. Situata ideale do të ishte një sistem shëndetësor me numër të mjaftueshëm stafi, me mungesa minimale të tyre për shkak të infektimit nga virusi, staf që punon me potencialin e tyre maksimal dhe që shfaq nivele të ulëta të mbilodhjes e stresit, sikurse edhe staf i pajisur me materialet e duhura të mbrojtjes personale, pajisjet dhe mjekimet e nevojshme për të trajtuar pacientët. Ndaj edhe monitorimi e kujdesi për mirëqenien psikologjike të stafit në këto kushte bëhet akoma më i domosdoshëm. Në kuadër të një studimi të kryer nga shoqata Together for Life, 300 mjekë dhe infermierë janë pyetur për aspekte të ndryshme që potencialisht mund t’i shqetësojnë përgjatë kësaj periudhe pandemie, dukshëm gjendja shëndetësore e familjarëve zë vendin e parë në listën e shqetësimeve, në masën 82%, me diferencë të konsiderueshme nga shqetësimet e tjera.

Së dyti, stafi shëndetësor është i shqetësuar për furnizimin me materiale të mbrojtjes personale, në masën 57%, për të mbrojtur veten dhe gjithë të tjerët përreth. Gati gjysma e personelit (52%) janë të shqetësuar për kushtet e trajtimit të pacientëve me COVID-19 që mund të mos jenë brenda standardeve të kërkuara. Nga ana tjetër, duke qenë se shumë prej procedurave dhe protokollove të pandemisë janë duke u aplikuar për herë të parë nga ana e tyre, ky është një shqetësim që e ndajnë 40% e personelit. Më tej stafi shëndetësor shpreh shqetësim për kolegët në masën 39% dhe në fund të listës është shqetësimi për veten e tyre dhe gjendjen shëndetësore personale në masën 34%, duke konfirmuar edhe njëherë vetëmohimin për të mirën e përbashkët që këta heronj të shoqërisë janë duke realizuar.

Diferencat mes niveleve të ndryshme të shërbimit spitalor janë kryesisht të pandjeshme, pasi stafi shëndetësor në të gjitha nivelet ndan këto shqetësime pothuaj në të njëjtën masë. Përjashtim bën masa e shqetësimit për veten, ku personeli në spitalet COVID shprehet si më pak i shqetësuar sesa kolegët e tyre në spitalet e tjera ose në sistemin parësor.

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet