Kryefaqja Të rinjtë Shëndeti Përdorin celularët dhe gjatë orëve të mësimit. Mësuesit: Prindërit nuk bëjnë sa...

Përdorin celularët dhe gjatë orëve të mësimit. Mësuesit: Prindërit nuk bëjnë sa duhet për edukimin e adoleshentëve

1
Shpërndaje

cells

Me avancimin e teknologjisë është rritur edhe kërkesa e të rinjve për t’i poseduar ato. Pjesa dërrmuese e nxënësve të shkollave nëntëvjeçare dhe gjimnazeveve zotërojnë tashmë një telefon të teknologjisë së avancuar, ose të quajtur “smartphone”. Natyrisht që kostoja e këtyre telefonave është e lartë, ashtu siç janë edhe pasojat e përdorimit pa kufi të tyre. Por sa bëjnë prindërit për edukimin e brezit të ri? Klodiana Turhani, pedagoge e psikologjisë klinike dhe psikopatologjisë në UET, dhe Elona Pasho, mësuese, na shpjegojnë marrëdhëniet e nxënësve me telefonat dhe ndikimin e tyre në mësim dhe marrëdhëniet me personat që i rrethojnë.
Klodiana TurhaniCila është arsyeja që prindërit pajisin me celularë fëmijët e tyre, që në moshën 10-12 vjeçare?

Unë mendoj se arsyet janë të ndryshme. Së pari, ngrihet pyetja pse prindërit e shohin të nevojshme ti pajisin fëmijët me celularë? Është nga kjo pikë që duhet parë çështja. Në qoftë se ata mendojnë se ndihen më të qetë që fëmija ka një aparat teknologjik që ju mundëson përgjigje sa herë që ata e kërkojnë mendoj se teknologjia i ka ndihmuar në këtë pike. Por, në qofte se ata ndihen më të qetë që mund t’i marrin në telefon mendoj se këtu kemi të bëjmë me një çështje tjetër. Disa prindër mendojnë se duke e pajisur fëmijën me celular mendojnë se kontrollojnë të keqen. Ngrihet pyetja : a mund të kontrollohet e keqja?

Prindërit shprehen se kanë frikë për fëmijët e tyre ndaj i pajisin me telefona, por a është e domosdoshme që t’i pajisin me telefona luksozë? (me internet etj)

Po e rimarr pyetjen që bëra pakëz më lartë, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj më tutje. A mund të kontrollohet e keqja? Është ankthi që disa prindër ndjejnë ndaj përgjegjësive që ata/ato kanë si baba, nënë i një fëmije. Përballë këtij ankthi disa prindër mendojnë se duke e pajisur fëmijën me celular do të ndihen më të qetë sepse e kanë situatën në kontroll. Por në fakt a mund celulari të të ndihmojë nga ankthi i të qënurit prind? Po i bie shkurt por, për të qenë korrekte në atë çfarë parashtroj. Unë mendoj se frika mund të mposhtet duke ndërtuar një marrëdhënie të vazhdueshme besimi dhe kuvendimi. Prindërimi është proces.

Por, a është mirë që fëmijëve t’u blihen celularë luksozë?

Unë mendoj se edhe për këtë pyetje situata është komplekse sepse në një anë kemi të bëjmë me dëshirën e një prindi i cili dashurinë për fëmijën e tij e shikon nëpërmjet blerjes së objektit më të shtrenjtë në treg. Por nga ana tjetër kemi një avancim të shpejtë të teknologjisë që i nxjerr jashtë funksionit shumë shpejtë disa aparatura. Nuk po ndalem në efektet e neoliberalizmit që ka si formulë “Ti je, çfarë celulari përdor” ku subjekti indentifikohet me produktin dhe kjo si ideologji prodhon një sërë çrregullimesh tek individi, si ankthi, depresioni, etj.

Sipas jush në cilën moshë duhet të pajisen me celularë fëmijët?

Unë mendoj se pyetja që duhet të ngrihet në mënyrë të vazhdueshme nga prindërit është : Për çfarë do t’i shërbejë celulari fëmijës tim? Në qoftë se ja jap për çfarë do të përdorë? Pra, shpesh harrojmë që celulari e ka humbur  funksionin e tij të parë. Nuk është vetëm një mjet telekomunikimi, me atë fëmijët mund të luajnë, mund të lexojnë një libër, mund të shohin  një film, mund të dëgjojnë muzikë, etj.

Si ndikon përdorimi i celularit në marrëdhëniet me shoqërinë?

Unë mendoj se teknologjia ka përmirësuar disa kushte të jetesës së njeriut, duke mundësuar që njerëzit të kontaktojnë më shpejt me njëri-tjetrin. Por, në mendje tani më vjen që dikur një plak thoshte: “Lajmin e keq e merr era”. Pra, për të qëndruar pyetjes që ju bënit më lartë kur thoshit se “prindërit e përdorin celularin sepse kanë frikë…” Unë mendoj se kontrolli nga ana e prindërve duhet por, teknologjia na mundëson formën por jo përmbajtjen e mesazhit. Unë mendoj se teknologjia sjell përparim për sa i përket mundësisë së marrjes së informacionit por, përtypjen e informacionit është subjekti që e bën dhe çfarë peshe i jep në historinë e jetës së tij.

Të pasurit e një telefoni luksoz, si ndikon në aspektin psikologjik të këtyre fëmijëve?

Thashë pakëz më lartë se është shumë e rëndësishme që njeriu të dijë se në çfarë kohësh jeton. Arsyeja pse unë e parashtroj një fakt të tillë është se qënia njerëzore është shume e influencuar nga konteksti kulturor ku ai jeton dhe se ligjërimet e një shoqërie në shumë raste bëhen sjellje. Pakëz më lartë ju fola për neoliberalizimin, i cili ka si formulë të vetin “lirinë, barazinë, mundësi të barabarta për të gjithë”. Deri këtu unë nuk kam problem, por liria e tregut kërkon që produkti të shitet duhet të jetë sa më tërheqës. Atëherë shumë firma të mëdha produktesh, e dinë që reklama është mënyra më e mirë. Në mesazhet që ato japin kanë si fokus: fëmijën. Fëmija është pika e dobët e prindërit. Fëmija është në zhvillim dhe është në proçes  formimi për sa i përket marrëdhënies që ai duhet të ketë me të mirën dhe të keqen. Ai/ajo është shumë i ndikuar nga koloritet e reklamave dhe në disa raste do të ketë “çfarë të tjerët kanë”. Atherë këtu futen në valle prindërit të cilët supozohet që para se t’i japin diçka fëmijës a e ngrenë pyetjen sa duhet: A i bën mirë apo keq ky objekt fëmijës tim? Si do e përdorë fëmija im këtë aparat multifunksional?

Si ndikon përdorimi i celularit në rendimentin e një nxënësi?

Unë mendoj se korrelacioni celular-cilësi në nxënie nuk do të na dilte një studim që të na mësonte diçka të re për ti kuptuar më mirë fëmijët. Sot, në një shkollë me 420 nxënës, supozojmë se celularë kanë përafërsisht 419 nxënës. Një shkollë me 420 nxënës me një mesatare prej 30 nxënës klasa i bie të kemi 14 klasa. Në këto 14 klasa i bie të kemi një mesatare nga 7-14 nxënës të mirë me mesatare mbi notën 8, i bie të themi se përafërsisht 1/3 e numrit të nxënësve të shkollës ky korrelacion nuk ka efekt. Pra arsyeja pse e zgjata është për ti rënë shkurt, cilësia e nxënies nuk varet nga përdorimi i celularit por nga koha dhe forma se si një nxënës e përdor atë.

Po në aktivitetin e përditshëm, psh në lojërat klasike si futbolli, bilardo, etj? Apo janë më të prirur ndaj lojërave elektronike?

Unë mendoj se ka një prirje në kohën e sotme të disa fëmijëve për të preferuar lojëra elektronike. Por mendoj se preferencat varen nga mosha dhe sa i aftë je të kesh lidhje sociale. Mendoj se, duhet ti ndajmë pakëz lojërat elektonike në ato individuale dhe sociale. Specia njerëzore është një qënie sociale e cila është në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të aprovimit të tjetrit. Teknologjia prodhon lojëra standarte, prodhon monotoni, prodhon rregulla të njëjta në rastin e disa lojërave elektronike individuale. Në krahasim me lojërat klasike “bilardo”, “futboll”, “topa-rasa” ku individi ndihet i sfiduar dhe e harron menjëherë lodhjen që ka kur po shikon se kundështari po fiton, apo i bën presion duke i thënë “se je çun mamaje”. Pra kemi efektin e surprizës, gjë që nuk e prodhon dot makina elektronike.

Si ndikon përdorimi i celularit në karakterin e tyre?

Karakteri përfaqëson tërësi tiparesh të qëndrueshme tek individi që pavarësisht situatave individi sillet njësoj. Që do të thotë se e vë zilen e alarmit në celular apo e çon mami në mëngjes nxënësin ai do të shkojë me vonesë. Celulari është mjet polifuksional përdorimi por jo një indikator si, identiteti gjinor që mund të ndikojë në ndryshimin e personalitetit të individit. Ai mund të ndikojë në gjendjet e humorit në disa raste ose mund të ndikojë në humbjen e disa aftësive si kujtesa për numrat. Pra, për ta përmbyllur prindërit nuk duhet të kenë frikë nga teknologjia por mendoj, se është mirë ti mësojnë fëmijët e tyrë se si ti përdorin këto aparatura polifuksonale duke ju folur dhe kuvenduar me ta.

****

elona mesueseElona Pasho, mësuese

A lejohet përdorimi i celularëve në orën e mësimit?

Absolutisht jo. Nuk lejohet përdorimi i celularëve në orët e mësimit as për nxënësit as për mësuesit.

A i përdorin nxënësit kur nuk e kanë mendjen mësuesit?

Ka raste që kur jemi duke shpjeguar mësimin ata fillojnë të luajnë me celularin. Por nëse kapen gjatë orës së mësimit duke e përdorur pezullohen për atë orë, pra dalin jashtë.

Sa ndikon përdorimi i tyre në shpërqëndrimin nga mësimi?

Ne përpiqemi me të gjitha mënyrat që t’i bindim të mos t’i përdorin celularët. Përdorimi i tyre bën që të humbasin 100 për qind përqëndrimin gjatë orës së mësimit

A janë nxënësit të varur nga përdorimi i celularit?

Jo të gjithë. Ka disa që e përdorin jashtë mase shumë, por pjesa më e madhe jo. Vajzat janë më të kujdesshme. Edhe në rast se e kanë të domosdoshme ta përdorin marrin leje.

A bëjnë prindërit sa duhet për evitimin e përdorimit të celularëve?

Mendoj se nuk bëjnë sa duhet. Bile janë shpesh ata që u a blejnë këto celularë të shtrenjtë. Ata u plotësojnë çdo tekë. Kemi folur shpesh me prindërit për këto probleme por ende nuk ka një ndjeshmëri nga ana e tyre. Duhet të kuptojnë se blerja e një aparati celular të shtrenjtë ka më shumë pasoja negative se sa pozitive. Prindërit u blejnë celularë të shtrenjtë pasi ashtu u kanë dhe shokët e tyre, por nuk e kuptojnë se kjo do të ndikojë shumë keq në rezultatet e tyre dhe në përqendrimin në orën e mësimit.

***

Fatjon 14 vjecFatjoni, 14 vjeç, klasa e tetë

Çfarë telefoni keni?

Samsung Galaxy Mini.

Sa ju ka kushtuar ky telefon?

E kam blerë rreth 100 mijë lekë, te vjetra.

Kur e përdorni më shumë, paradite apo pasdite?

Më shumë e  përdor pasdite, por edhe paradite e përdor por më pak.

E përdor gjatë orëve të mësimit?

Jo, shumë rrallë.

Sa orë në ditë e përdorni celularin?

3-4 orë në ditë.

Për çfarë e përdorni zakonisht?

Telefonata, mesazhe, lojëra, facebook.

***

Ergys Vishko 16 vjecErgys Vishko, 16 vjeç, viti i parë

Çfarë telefoni ke?

Nokia 3100.

Sa ju ka kushtuar?

50 mijë lekë të vjetra.

Kur e përdor më shumë, gjatë paradites apo pasdites?

E përdor gjatë gjithë kohës.

Sa orë e përdor në ditë?

4-5 orë, ndonjëherë edhe më shumë.

Për çfarë e përdorni telefonin më shumë?

Kryesisht telefonata dhe internet, facebook.

***

Klajdi Bakollari 15 vjecKlajdi Bakollari. 15 vjeç, klasa e nëntë

Çfarë telefoni keni?

Nokia Lumia 610.

Sa ju ka kushtuar?

240 euro.

Sa orë e përdor gjatë ditës?

2 orë, maksimumi dy orë e gjysëm.

Kur e përdor më shumë, paradite apo pasdite?

Më shumë pasdite.

Po gjatë mësimit e përdorni?

Rrallë, vetëm kur nuk e ka mendjen mësuesi.

1 Koment

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here