Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Njerëzit e moshës së mesme janë më pak të lumtur, kanë nivelet më të ulëta të kënaqësisë në jetë dhe nivelet më të larta të ankthit, tregojnë statistikat e fundit të mirëqenies.
Madje, edhe njerëzit mbi 90 vjeç janë më të lumtur dhe më të kënaqur se ata të moshës 40-59 vjeç, zbuloi studimi nga Zyra Britanike e Statistikave. Ndërsa gratë në përgjithësi raportonin se përjetonin nivele më të larta të ankthit sesa burrat, por ato ishin më të lumtura dhe më të kënaqura me jetën sesa burrat.
Shkencëtarët analizuan të dhënat e mirëqenies personale të më shumë se 300 mijë të rriturve në Britani, mbledhur gjatë tre viteve të fundit nga viti 2012 deri në 2015, dhe zbuluan se lumturia dhe kënaqësia me jetën binte ndjeshëm pas moshës 35 vjeç e lart. Megjithatë, ky trend pësonte ndryshim pas moshës 60 vjeç, ku njerëzit e moshës 65-79 vjeç priren të raportojnë nivele mesatare më të larta të mirëqenies personale, megjithëse nivelet e kënaqësisë me jetën fillojnë të bien më shumë me kalimin e moshës.
Sipas raportit të përpiluar nga Zyra Britanike e Statistikave, përgjegjësitë e shumëfishta të moshës së mesme mund të ndikojnë shumë te njerëzit, ku një pjesë e madhe e tyre përballet me stresin e dyfishtë të kujdesit ndaj fëmijëve dhe prindërve që po plaken.
Të rinjtë dhe pensionistët mund të kenë më shumë kohë për aktivitete argëtuese, zbuloi raporti. Në kontrast, ata që janë në vitet e moshës së mesme mund të kenë më shumë ngarkesë për nga detyrat që duhet të përmbushin dhe njëkohësisht lodhen shumë për të gjetur një balancë mes punës dhe familjes.
“Provat tregojnë se njerëzit po bëhen më vonë me fëmijë. Ndaj, një tjetër arsye e mundshme për uljen e lumturisë te mosha e mesme mund të jetë barra e të pasurit nën kujdes dy prindërit e moshuar dhe fëmijët”.
Pjesëmarrësit e rinj, pjesa më e madhe të cilëve ishin akoma me studime, dhe të moshuarit, mund të kenë më shumë kohë për aktivitete, zbuloi raporti. Ndërsa njerëzit në moshë të mesme kanë më shumë detyra dhe e kanë të vështirë të gjejnë një balancë mes punës dhe angazhimeve familjare.
Zyra Britanike e Statistikave u kërkoi njerëzve të vlerësonin kënaqësinë në jetë, kënaqësinë me punën, lumturinë dhe ankthin. Studimi zbuloi se grupmosha 40-59 vjeç kishte më pak kënaqësi nga jeta, ku kulmi ishte mosha 50-54 vjeç.
Ata që kishin nivel më të lartë kënaqësie në jetë ishin të moshës 70-74 vjeç, pasuar nga grupmosha 65-69 vjeç dhe ata që ishin 16-19 vjeç. Njerëzit e moshës 75-79 raportuan gjithashtu nivelet më të larta të kënaqësisë me jetën, megjithëse kjo ulej me kalimin e moshës.
Lumturia ndiqte një model të ngjashëm, ku pjesëmarrësit e moshës 40 deri në 59 vjeç, zakonisht raportonin nivele të ulëta të lumturisë, ku mosha 50 deri në 54 vjeç ishin më pak të lumturit nga të gjithë. Ata të moshës 65 deri në 74 vjeç ishin më të lumturit, njëlloj si mosha 16 deri në 19 vjeç. Mbi moshën 75 vjeç, nivelet e lumturisë binin, por ata të moshës 90 vjeç ishin më të lumtur se mosha e mesme.
Burimi: The Guardian / https://shendeti.com.al/


