Kryefaqja Artikull Infeksionet e veshit të jashtëm (veshi i notarit) gjatë stinës së verës

Infeksionet e veshit të jashtëm (veshi i notarit) gjatë stinës së verës

0
Shpërndaje

Intervistë me mjeken kirurge ORL – dr. Klaudia Stajka

Stina e verës sjell gjithmonë shtim të pacientëve me probleme te veshit që drejtohen tek mjeku ORL. Kemi dëgjuar për otitin ekstern veshin e notarit, cfarë është kjo sëmundje dhe pse ndodh pikërisht në verë?

Otiti ekstern është një term i gjerë që nënkupton një infeksion të kanalit të veshit i cili përhapet deri tek daullja e veshit pa e prekur atë. Shkaktari kryesor i këtij infeksioni është bakteri Pseudomonas aeruginosa që gjendet kryesisht në ujrat e ndenjur por edhe ne det; duke qenë se gjatë verës trupi është në kontakt me këto ujra ndodh që infeksioni të jetë më i përhapur në këtë stinë. Gjithashtu origjina mund të jetë dhe nga një agjent mykotik, qe përsëri favorizohet nga temperaturat e larta dhe lagështira e stinës së verës. Te tjerë faktorë që nuk lidhen me stinën janë veshi shumë i thatë pa dyll, trauma të kanalit të veshit, kimikatet, kushte të lëkurës si psoriaza, ekzema apo pacientë me imunitet të dobësuar ose me diabet mellitus.

Cilat janë ankesat më të shpeshta që lidhen me otitin ekstern?

Sëmundja kalon në disa stade dhe në varësi të stadit ndryshojnë edhe ankesat. Simptoma më e hershme është kruarja e veshit, të cilën shpesherë pacientët e shpërfillin. Kur infeksioni përparon, fillon dhimbja që i bën pacientët të drejtohen tek mjeku. Dhimbjet në infeksionin e veshit të jashtëm janë shumë të forta dhe mund të përhapen në drejtim të kokës ose të faqes, në rast se nuk trajtohen. Pacientët mund të kenë ndjesinë e veshit të bllokuar apo ndjesinë e lëngut në vesh, ulje të përkohshme të dëgjimit, enjtje të gjendrave të qafës dhe temperaturë.

A mund të shndërrohet në infeksion kronik otiti ekstern?

Patjeter që po. Si cdo sëmundje e cila nuk trajtohet si duhet apo instalohet në mënyrë të vazhdueshme. Kur otiti ekstern shndërrohet në kronik, dhimbja është më e vogël por kruarja e veshit bëhet ankesa kryesore. Në stadin kronik, lëkura e kanalit të veshit rripet ose deskuamohet. Fillojnë fenomene të tjera si ekzema, ulceracionet, edema e kanlit të veshit e cila mund të përparojë deri në mbyllje të plotë të kanalit të jashtëm të dëgjimit.

Cili është trajtimi i duhur për otitin ekstern?

Trajtimi lidhet me stadin në të cilin është sëmundja. Në fillimn duhet të pastrohet kanali nga sekrecionet. Rekomandohet acidi borik 3% për të rregulluar pH e kanalit të veshit dhe për të parandaluar rritjen bakteriale ose mykotike. Në stadin inflamator, rekomandohen antibiotikët lokalë me pika dhe kortizonikët. Në stadet më të rënda, rekomandohet terapia orale (nga goja). Gjithashtu për menaxhimin e dhimbjes përdoren edhe analgjezikët.

Sa zgjat mjekimi për infeksionin e veshit të jashtëm?

Zakonisht përmirësimi fillon që pas dy ditesh nga marrja e mjekimit. Për shërimin e infeksionit është e nevojshme që terapia të zgjasë shtatë deri në dhjetë ditë.

Para se të arrijmë tek mjeku, cfarë mund të bëjmë për të parandaluar infeksionin e veshit gjatë verës?

Një nga mënyrat më të thjeshta që mund ta bëjë kushdo është shkundja e kokës pas daljes nga uji. Pacientë të cilët vuajnë shpesh nga infeksionet e veshit është mirë të përdorin tapa në vesh apo pambuk me vaj ulliri për të bllokuar hyrjen e kanalit të veshit, në mënyrë shmangien e kontaktit të ujit me të. Gjithashtu duhet shmangur notimi në ujra të ndenjura apo përdorimi i mjeteve që mund të traumatizojnë kanalin. Të tilla janë portkotonët ose mjete të tjera që qarkullojnë në treg për pastrimin e veshit.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here