Gratë sot kanë më pak kohë për të kryer marrëdhënie se sa gratë e viteve 1950. Sipas studimeve rreth 40 milionë amerikanë bien pre e asaj që ekspertët e quajnë “martesë e ftohtë”,kjo për shkak të mungesës së marrëdhënieve seksuale gjatë martesës.
Një jetë e rregullt seksuale është e mirë për shëndetin dhe mbi të gjitha ndihmon partnerët të qëndrojnë afër, thotë Anita H. Klaiton, profesore e psikiatrisë në Universitetin e Virxhinias.
Ka shumë faktorë që ndikojnë në mungesën e marrëdhënieve seksuale në martesë, duke filluar nga mungesa e kohës, shtimi në peshë, menopauza, mbingarkesa e shkaktuar nga teknologjia.
Ilaçet që përdorni dëmtojnë jetën tuaj seksuale: shumica prej jush marrin kontraceptivë oral për të kryer marrëdhënie seksuale pa merak. Nëse këto pilula përdoren për një kohë të gjatë mund të ndikojnë në jetën tuaj seksuale. Përse? Këto pilula përmbajnë estrogjen, i cili rrit prodhimin e një proteine që ndikon drejtpërdrejt në dëshirat tuaja seksuale, thotë Majkëll Kricmen, drejtor i mjekësisë seksuale në spitalin Hoag në Kaliforni. Pyesni doktorin tuaj në lidhje me efektet anësore të të gjitha barnave që përdorni. Gjithashtu mund të provoni një metodë kontraceptive që nuk përmban hormone, si: kondom ose diafragmë.
Jeni tepër të zënë: I kaloni ditët duke u marrë me gatim, duke punuar jashtë, duke u kujdesur për familjen. Dhe të gjitha streset kronike të jetës moderne mund të shkaktojnë ndryshime hormonale të cilat do të ndikojnë në jetën tuaj seksuale.
Merreni me pajisjet teknologjike më shumë se sa me partnerin: Bëni një dush qetësues, sugjeron trapisti i seksit në Los Anxhelos. Zhytja në ujë të ngrohtë do t’ju mbajë larg nga laptopët dhe telefonat celularë që mbushin ditën tuaj. Shtoni disa pika vaj esencial, për të rritur ndjenjat seksuale.
Trupi juaj nuk ju pëlqen: Shumë gra e gjejnë veten jo të gatshme për të eksperimentuar seksualisht, nëse janë mbipeshë ose kanë një ndryshim në formë për shkak të shtatzënisë. Mos nguroni të pyesni partnerin se çfarë pëlqen ai në trupin tuaj, komplimentet e tij mund t’ju ndihmojnë të ndjeheni më pozitive. Por mos nënvlerësoni kujdesin që duhet të tregoni për të humbur disa kile.
Sipas sondazheve të fundit, 37 për qind e të anketuarve thanë se humbja e peshës i bën ata të ndjehen më të bukur. Në fakt, edhe një humbje peshe me pesë kile ka treguar ndryshime pozitive në aspektin seksual. /Përgatiti për “Shëndet+”: Elena Beta


