Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Sipas ekspertes të deshifrimit të tipareve Jean Haner, çdo pjesë e fytyrës sonë lidhet me një pjesë të veçantë të personalitetit. Buzët tregojnë pikërisht karakterin tonë në një marrëdhënie, sa bëjmë ne për të tjerët, sa përfshihemi në një lidhje.
Më poshtë do të gjeni shpjegimet që Haner ka dhënë për çdo formë buze, duke u bazuar në studimet e saj për leximin e fytyrës, të nxjerra nga mjekësia kineze.
Buzë mesatarisht të plota
Buzët nuk janë as të holla as të trasha, por mesatare, dhe me pak formë. Nëse keni buzë të tilla, do të thotë që jeni shumë të qëndrueshëm në marrëdhënie. Nuk jeni njeri që krijoni lidhje vetëm për interes, por doni vetëm që t’u jepni kuptim marrëdhënieve.
Buza e sipërme më e plotë
Nëse buza e sipërme është më e plotë se ajo e poshtmja, do të thotë se jeni një person që shqetësoheni shumë për të tjerët, sidomos për partnerin, dhe doni të kujdeseni për të po aq sa për veten.
Buza e poshtme më e plotë
Kjo tregon se ju pëlqen të përkëdheleni dhe doni me patjetër që ta shijoni jetën.
Të dyja buzët shumë të trasha
Kjo formë e buzave lidhet me dëshirën e madhe për t’u bërë nënë dhe tregon sa shumë kujdeseni për të tjerët. Personat me këtë formë buzash janë më të prirur të vendosin të tjerët para vetes, madje ndihen të lumtur nga kjo. Ata duan të kenë një rreth të mirë miqsh dhe i vlerësojnë shumë marrëdhëniet.
Të dyja buzët e holla
Personat që i kanë të dyja buzët e holla mund të qëndrojnë edhe vetëm dhe të ndihen të kënaqur. Ata nuk e ndjejnë nevojën e një marrëdhënieje për t’u ndier të plotësuar. Nuk u vjen e natyrshme të krijojnë një marrëdhënie, si njerëzve me buzë më të plota, por kjo nuk do të thotë se nuk dinë të mbajnë një lidhje.
Të dyja buzët janë në formë harku të Kupidit
Kjo formë buzësh tregon se personi është shumë i hapur me të tjerët, tregon gjithçka për veten, dhe ka raste që flet pa menduar.
Buzë me hark të rrumbullakët
Njerëzit që i kanë buzët e rrumbullakëta janë tepër të dashur. Në përgjithësi, janë njerëzit më të dhembshur, që i kushtojnë shumë kohë dhe vëmendje tjetrit dhe i japin atij shumë rëndësi.
Buzë pa shumë formë
Personat me këtë formë buzësh kanë mangësi në vendosjen e kufijve në marrëdhënie. Ata bëjnë më tepër se duhet për tjetrin, dhe shpesh anashkalojnë kujdesin për veten. Janë njerëz me ndjesi shumë të lartë përgjegjësie, por nuk arrijnë ta kuptojnë se nuk e kanë për detyrë të zgjidhin problemet e të gjithëve.
Buzë që janë më të plota në mes
Këto janë përgjithësisht buzët e njerëzve të cilëve u pëlqen shumë vëmendja. Duke qenë se u pëlqen vëmendja kërkojnë shumë përkushtim ndaj tyre, e urrejnë vetminë dhe mund të krijojnë marrëdhënie dramatike. Kërkojnë emocione të forta në çdo përjetim të jetës së tyre dhe nuk e pranojnë nëse bëjnë një gabim.
Buzë të vogla dhe të trasha
Këto lloj buzësh duken shumë të pafajshme dhe fëmijërore. Këta persona i hyjnë marrëdhënieve me një ndjenjë egoizmi, por sapo shohin se partneri bën për ta, nisin t’ia shpërblejnë me vëmendje dhe kujdes. Nga ana tjetër, njerëzit me buzë të vogla dhe të holla, e kanë shumë të vështirë të përfshihen në një marrëdhënie duke qëndruar për një kohë të gjatë të ftohtë dhe kërkues.
Buza e sipërme shumë e hollë, ndërsa e poshtmja normale
Këta janë përgjithësisht njerëz që në plan të parë vënë karrierën dhe ambiciet e tyre. Ata nuk bien pothuajse kurrë në qetësi, sepse duan me çdo kusht të bëhen dikush, edhe duke lënë pas dore partnerin. Sipas Haner, 60% e meshkujve kanë këtë formë buzësh.
Gojë e madhe dhe buzë normale
Njerëzit që kanë këtë formë buzësh kujdesen shumë për të tjerët dhe mendojnë vazhdimisht se çfarë mund të bëjnë për t’i ndihmuar ata. Nga ana tjetër, njerëzit me buzë të gjera dhe të holla, nuk shquhen për altruizëm dhe nuk para bëjnë shumë për të tjerët.
Burimi: Marie Claire / https://shendeti.com.al/














