Ja pse vdesin femrat dhe si mund të mbrohen

Bisedoi: Denisa Canameti

Nuk është kanceri, por zemra shkaktari kryesor i vdekshmërisë te gratë. Më shumë gra se burra vdesin nga sëmundjet e zemrës. Edhe pse gratë kanë më shumë mundësi t’i parandalojnë sëmundjet e zemrës se burrat. Kardiologia Manjola Liko shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+” se, edhe pse janë të rralla prekjet kardiake në moshat e reja, femrat e reja në krahasim me meshkujt kanë dyfish probabilitet  për të vdekur nga ataku kardiak. Rreziku për zhvillimin e sëmundjes kardiovaskulare  rritet me rritjen e moshës në mënyrë të pavaruar nga  seksi.

Manjola Lika (7)

Mjekja Manjola Liko duke folur për “Shëndet+”

Sëmundjet kardiake dhe stroke (goditjet në tru) janë dy nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë tek femrat në moshën mbi 25 vjeç. Nëse kanceri i gjirit jep një incidencë 1 në 30 femra, incidenca e vdekshmërisë si rezultat i sëmundjes kardiake dhe goditjes në tru është shumë më e lartë dhe shkon afro në 1 në 3 gra. Çdo vit më shumë femra vdesin nga sëmundja  kardiovaskulare sesa nga çdo lloj kanceri tjetër.

Në femrat më të riskuara për evente kardiake janë:

  • Femrat me sëmundje vaskulare subklinike, si për shembull prania e kalcifikimit të enëve  koronare, femrat me sindromë metabolik,
  • ato me një kapacitet të ulët fizik gjatë provës ushtrimore
  • dhe ato me aritmi të shpeshta.

Ndikojnë negativisht prania e një ose më shumë faktorëve të riskut kardiovaskular, si:

  • duhanpirja,
  • dieta ushqimore e varfër,
  • inaktiviteti fizik,
  • obeziteti,
  • trashëgimia familjare
  • hipertensioni
  • dislipidemia.

zemer , atakGjithashtu, me avancimin në moshë pacientët kanë edhe sëmundje shoqëruese si:

  • sëmundje renale (të veshkave),
  • pulmonare (të mushkërive),
  • HTA (hipertension)
  • apo demencë (degjenerim të trurit). Të gjitha këto sëmundje e rrisin mundësinë për probleme kardiake.

Ndikimi i moshës

Duhet pasur parasysh se tek femrat përpara menopauzës ka më pak gjasa për zhvillimin e sëmundjes koronare pasi një efekt protektiv në këtë kohë e luan prania e estrogjenit. Ndaj femrat e zhvillojnë sëmundjen koronare afro një dekadë më vonë se meshkujt.

Rrethanat psikologjike të shtatzënisë dhe menopauzës rritin rrezikun.

Simptomat klinike të sëmundjes ishemike kardiake tek femrat mund të jenë më pak të besueshme se tek burrat. Kryerja e provës ushtrimore tek femrat jep më shumë fals pozitivitet sesa tek burrat.

Nga studime te ndryshme është parë që për çdo lloj bllokimi koronar, femrat kanë më shumë probabilitet për të zhvilluar angina pektoris, ndërsa meshkujt më shumë gjasa për të zhvilluar atak kardiak.

Në një frekuencë  të lartë janë femrat që zhvillojnë sindrom koronar me koronare normale, ato kanë më shumë disfunksion endothelial sesa obstruksion koronar.

Duke qenë se tek femrat simptomat janë shpesh atipike, ato kërkojnë ndihmë mjekësore më vonë se burrat dhe shpesh mund të keqdiagnostikohen.

Krahasuar me burrat, femrat  që preken nga infarkti i miokardit, në përgjithësi kanë një moshë më të madhe, kanë histori të diabetit mellitus, kanë histori të mëparshme me aksidente transitore ishemike, kanë histori për dislipidemi, histori IKK, histori angina pectoris të qëndrueshme.

Mortaliteti pas CABG është veçanërisht dyfish tek femrat e reja sesa tek meshkujt e rinj.

Më shumë femra sesa meshkuj vdesin një vit pas IM.

Sëmundja kardiake mund të parandalohet më shumë tek femrat sesa tek meshkujt.

Për parandalim duhet të shikohen faktorët e riskut. Trajtimi sa më i hershëm dhe sa më agresiv i tyre çon në reduktim të riskut kardiovaskular.

Ndër faktorët e riskut përmendim:

  • Duhanpirjen,
  • Dislipideminë,
  • HTA,
  • D.Mellitus,
  • Obeziteti,
  • Alkooli,
  • Jeta sedentare.

Vetë femrat kanë njohuri të ulët për sëmundjen kardiovaskulare. Femrat nuk e mendojnë sëmundjen kardiovaskulare si një rrezik për shëndetin e tyre. Femrat më shumë ndihen të kërcënuara nga kanceri sesa sëmundjet e zemrës.

Parandalimi

Masat parandaluese që duhen marrë për të shmangur sëmundjet kardiovaskulare janë:

  • Nuk duhet të pinë duhan
  • Duhet të bëjnë një jetë aktive (në lëvizje, dhe jo sedentare), me shëtitje apo vrap të lehtë
  • Mbajtje e një peshe normale trupore
  • Kujdesi për t’u ushqyer shëndetshëm
  • Duhet të kontrollojnë gliceminë, hipertensionin dhe nivelin e kolesterolit në gjak.

Postime të ngjashme

Mjekja pediatre: Si ta përdorni kondicionerin në mënyrë që fëmija i porsalindur të mos sëmuret
Kolesteroli i lartë në gjak, rrezik për shëndetin! Ja 6 faktorët që ndikojnë në rritjen e tij të menjëhershme
Gabimet më të zakonshme që mund të ndikojnë në kolesterolin tuaj
Shenjat e fshehta të problemeve me zemrën që nuk duhet t’i injoroni
Ky arror ul kolesterolin dhe përmirëson shëndetin e zemrës, sipas një studimi
Simptomat e kancerit të fytit që të gjithë duhet t'i dinë
Pyet mjekun: Si t’i ndalojmë ngërçet në këmbë gjatë natës?
Pyet mjekun: A duhet të rri në regjim shtrati për dhimbjen e shpinës?