Kryefaqja Lifestyle Kafshimi i qenit, komplikacionet që sjell në shëndet

Kafshimi i qenit, komplikacionet që sjell në shëndet

0
Shpërndaje

Infeksionistet: Entela Kolovani, Rovena Byku

Rrugët e Tiranës, por jo vetëm, janë mbushur me qenë të cilët shtojnë rrezikun për qytetarët. Pavarësisht ankesave të shumta dhe të përsëritura nuk ka patur asnjë reagim nga ana e institucioneve përgjegjëse, respektivisht nga ana e Bashkisë. Ajo çfarë o tremb qytetarët është se pavarëisht se qeni mbahet si kafshë miqësore me njeriun, të gjithë qentë mund të bëhen agresivë nëse raporti i tyre më njeriun nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë. Rreziku kryesor i kafshimit nga qeni është ai i një plage që lë shenja të shëmtuara dhe të rënda. Kafshimi provokon një plagë pak a shumë të madhe e të thellë, me dhimbje dhe skuqje në zonën rrethuese. Në qoftë se agresori është një qen i egër apo i panjohur, ka mundësi që të marrim sëmundjen e tërbimit të qenit, një sëmundje virale që shkakton encefalit vdekjeprurës.

Shtimi i qenve nëpër rrugë, a përbën kërcënim për shëndetin e qytetarëve?

Shtimi i qenve endacake dhe agresivë nëpër rrugë është kthyer në problem serioz për rreziqet që ata sjellin. Prania e këtyre qenve në rrugë, përveç mungesës së higjienës dhe rrezikut të sulmit fizik është kthyer në një shqetësim real, ndaj të cilit duhet të merren masa konkrete. Duke jetuar në kushte të këqija dhe duke u ushqyer me mbeturina, ata bëhen bartës të shumë sëmundjeve të rrezikshme, të cilat mund të transmetohen edhe te njeriu. Përveç infeksionit, dy sëmundjet kryesore që transmetohen nga kafshimi janë tërbimi dhe tetanozi.

Në rast kafshimi nga qeni cilat janë masat e para që duhen marrë (ndihma e shpejtë)?

Kafshimi provokon një plagë e cila mund të jetë sipërfaqësore ose e thellë me dhimbje dhe skuqje në zonën rrethuese. Kujdes duhet në rastet e hemorragjive dhe në plan të parë del ndalimi I tyre. Fillohet me dhënien e  ndihmës së parë. Nëse plaga është sipërfaqësore bëhet larja me sapun dhe dizenfektimi, nëse plaga është e thellë  kërkon një trajtim më të specializuar(në kushte paraspitalore ose spitalore) për parandalimin e infeksioneve të mundshme.

A ka vaksinë që duhet bërë patjetër në rast kafshimi nga qeni?

Problematika e kafshimit fillon që nga plaga e cila kërkon një trajtim mjekësor më vete, bërja e serumit antitetanik (homolog ose heterolog), vaksina e tërbimit në rastin e qenve të pavaksinuar dhe profilaksia me antibiotikë kundër infeksioneve të ndryshme që mund të vendosen nga plaga.

Për çdo rast kafshimi, duhet të merret një vendim nëse është nevoja të fillohet profilaksia kundër tërbimit. Në rast se kafsha që ka kafshuar është me të vërtetë e tërbuar ose dyshohet si e tillë, ajo duhet të kapet dhe të vritet. Në rastet e personave të kafshuar që dyshohen të jenë kafshuar nga një qen i tërbuar, duhet të bëjnë menjëherë imunizimin kundër tërbimit aktiv dhe pasiv.

Gjithashtu duhet bërë aplikimi i serumit antitetanik që mund të përdoret mund të ketë origjinë nga njeriu (homologu) ose nga kali (heterologu). Serumi i përgatitur nga serumi i kalit për shkak të fenomeneve anafilaktike nuk preferohet të përdoret shumë. Ky serum duhet të bëhet brenda 24 orëve nga koha e kafshimit.

Komplikacionet që vijnë në qoftë se nuk bëhet kjo vaksinë?

Në rastin e mosbërjes së vaksinës së tërbimit virusi përhapet nëpërmjet kafshimit tek njeriu. Ky virus pasi futet në qelizat e muskujve, shumëzohet për një kohë të gjatë dhe pasi ka arritur atje një përqëndrim të lartë të tij ai kalon përmes fijeve nervone në sistemin nervor qendror. Me kalimin e virusit në tru fillojnë të shfaqen dhe shenjat e sëmundjes. Periudha e inkubacionit (nga momenti i kafshimit deri në shfaqjen e shenjave klinike) është e ndryshme dhe luhatet nga disa dite deri në disa vite. E rëndësishme është të theksohet se periudha e inkubacionit është më e shkurtër tek fëmijët sesa tek të rriturit, ajo gjithashtu shkurtohet kur kafshimi bëhet në zona shumë të inervuara sidomos në zonën e kokës dhe të qafës. Kjo fazë është e lidhur me domosdoshmërinë e vaksinimit të menjëhershme të personit të kafshuar nga një kafshë e tërbuar ose e dyshuar për këtë sëmundje.

Cilat janë sëmundjet infektive të qenve endacake dhe të pavaksinuar që mund të transmetohen te njeriu?

Sëmundjet infektive të qenve endacake dhe të pavaksinuar që mund të transmetohen te njeriu janë shumë të rrezikshme, sepse shpesh mund të shkaktojnë edhe vdekjen . Njëra nga këto sëmundje është tërbimi. Tërbimi është një sëmundje vdekjeprurëse, të cilën e mbartin qentë e infektuar(54%). Sëmundja bartet me anë të kafshimi  edhe pse në disa raste bartja e virusit bëhet vetëm me kontaktin e pështymës së infektuar. Tetanozi është një tjetër sëmundje që mund të vijë nga mos aplikimi i serumit antitetanik brenda 24 orëve nga momenti i kafshimit. Kjo sëmundje paraqitet me shenja klinike të rënda që mund të çojnë deri në vdekje. Sëmundje të tjera  infektive janë leishmania, gastroenteritis koronaviral i qenit(ÇV), infeksioni nga herpes virus, trakeobronkiti i qenve . Qentë janë mbartës edhe të sëmundjes se ekinokokut, varicellës, toxoplazmozës e lloje të tjera sëmundjesh që mund të shkaktojnë edhe viktima nga kafshimi i tyre.

Cilat janë mënyrat e transmetimit të sëmundjes nga qeni tek njeriu?

Mënyrat e transmetimit të sëmundjes nga qeni tek njeriu janë disa. Transmetimi nëpërmjet kafshimit nga kafsha e infektuar kur virusi gjendet në sekrecionet e pështymës, nëpërmjet ajrit kur sëmundja është me rrufë ose me kollë, transmetimi ndodh edhe kur prek qenin me lëkurë të infektuar. Sëmundjet infektive të këtyre kafshëve merren edhe qëndrimi  afër fekaleve të qenve apo erës së tyre si dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në të njëjtin ambient me ta./ Shendeti.com.al

 

 

 

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here