Kanceri i prostatës, simptomat, diagnoza dhe trajtimi

Dr. Rezart Xhani, Mjek Urolog në Shërbimin e Urologjisë, QSUT

Kanceri i prostatës

Kanceri i prostatës është kanceri më i shpeshtë tek meshkujt. Në moshën 50 vjeç rreth 15% e prostatës përmban qeliza kanceroze dhe në moshën 80 vjeç 100% e prostatës ka qeliza kanceroze. Kanceri i prostatës është përgjegjës për 0.5% të vdekjeve në çdo grupmoshe 60 vjeçare.

Futja në përdorimin e përditshëm të PSA (analizë gjaku që zblulon nivelin e një antigjeni specifik për prostatën) ka bërë të mundur rritjen e zbulimit të kancerit të prostatës në vitet 90.
Kanceri që zbulohet nga një rritje e PSA apo një nodusi të fortë gjatë egzaminimit rektal prostatik quhet kancer klinik.

Simptomat

Shumica e tumoreve të prostatës nuk shkaktojnë asnjë shqetësim dhe kjo për shkak të stadit të hershëm të tyre. është pikërisht depistimi me anë të PSA-së që i vë në dukje këto tumore fillestare. Zakonisht kemi një dritare kohore 2-vjeçare nga momenti i shfaqjes së tumorit për zbulimin dhe trajtimin e tij. Në 10% të rasteve kanceri zbulohet nga egzaminimi histo-patologjik i materialit të marrë pas një rezeksioni endoskopik të prostatës. Në stadet e avancuara të kancerit të prostatës mund të kemi shenja si:
– Prostatizmi – kompresioni i uretrës jep shenja të njëjta me ato të zmadhimit të prostatës.
-Obstruksioni rektal – në qoftë se tumori rrethon rektumin pacienti mund të ankojë për konstipacion apo dalje jashtë hollshëm.
– Uremia apo anuria mekanike – Obstruksioni ureteral mund të çojë në hidro-uretër dhe hidronefrozë dhe nëse është bilaterale në uremi dhe anuri mekanike.
– Dhimbje kockore – Në rastin e metastazave kockore pacienti mund të ketë shpesh dhimbje në nivel të vertebrave lumbare, pelvis dhe femur. Këto mund të cojnë deri në fraktura patologjike dhe shtypje të medulës spinale.

Diagnoza

PSA dhe egzaminimi digital rektal duhet bërë tek të gjithë ato burra që janë mbi 45 vjeç dhe që kanë një histori familjare për kancer prostate apo tek ata burra të cilët e kanë PSA > 1 ng/ml në moshen 40 vjeç dhe > 2ng/ml në moshen 60 vjeç. Duhet thënë që depistimi masiv i popullsisë nuk është më i këshillueshëm, por po zbulohen metoda të reja të cilat arrijnë të gjejnë tumore agresive të prostates tek pacientë të veçantë pa i shkaktuar stres dhe harxhime ekonomike një popullate të madhe. Ekografia transrektale duhet bërë tek ata pacientë në të cilët kemi rritje të pashpjegueshme të PSA apo kemi nje egzaminim digital rektal të dyshimtë.

Në këtë rast ekogjeniciteti i prostatës do ndryshojë dhe zonat e dyshimta do duken hipoekogjene. Nëse të gjitha konditat e mësipërme mblidhen atëhere pacienti duhet ti nënshtrohet detyrimisht një :
– biopsie të prostatës, e cila është egzaminim ambulator, jo shumë i dhimbshëm dhe sidomos nuk shkakton asnjë përhapje të tumorit siç është ngulitur në mentalitetin e shumicës së popullatës tonë.
– Skaneri është një egzaminim i mirë për zbulimin e gjendrrave limfatike të zmadhuara dhe infiltrimin e tumorit në vezikulat seminale apo përhapjen në mëlçi dhe organe të tjera.
– Rezonanca magnetike është shumë e ndjeshme në kancerin e prosatës sidomos për të parë nëse ka prekje të kapsulës prostatike.
– Shintigrafia kockore përdoret në rastet e dyshimit për metastaza kockore.

Trajtimi i kancerit të prostatës varet nga personi i diagnostikuar me këtë sëmundje që do të thotë të merret parasysh historia familjare, jetëgjatësia dhe stadi i sëmundjes (pra stad i lokalizuar apo metastatik). Në rastin e stadit të lokalizuar dhe duke e ndarë në grupe risku pacientin mund të propozohet:
a) pritje (watchful waiting) ose ndjekje aktive
b) prostatektomi radikale që është operacion për heqjen e të gjithë prostatës (në stadin kur pas interventit nuk kemi kufij të prekur nga qelizat tumorale gjatë egzaminimit histologjik mund të themi që shërimi i sëmundjes është gati 100%).
c) Radioterapi
d) Kriokirurgjia
e) Trajtimi me terapi me ultratinguj me intensitet të lartë (ablaterm).

Në rastet e avancuara lokalisht apo metastatike mund të përdorim manipulimin hormonal (anti-androgjenikët, agonistët e LHRH, antagonistët e LHRH), kastracionin kirurgjikal (orkidektomia apo pulpektomia), kur kemi një rezistencë ndaj hormonoterapisë përdorim kimioterapinë dhe në rastin e metastazave kockore të dhimbshme përdoret radioterapia.

Burimi: Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore