Kryefaqja Lifestyle Kanceri i Tiroides, shenjat që nuk duhet të injoroni

Kanceri i Tiroides, shenjat që nuk duhet të injoroni

0
Shpërndaje

Adriana Lapardhaja, mjeke endokrinologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.1

Kanceri i Tiroides është relativisht jo dhe aq i zakonshëm krahasuar me llojet e tjera të kancerit. Gjëndra tiroide është një organ jo i zakonshëm për tumoret malinje apo llojet e saj të kancerit. Sipas disa hulumtimeve shkencore në SHBA, kanceri i tiroides zë 0.74 -2,3 % të të gjitha llojeve të kancerit të organizmit, si tek burrat ashtu edhe tek gratë. Në vitin 2016 në SHBA janë parë afërsisht 64000 pacientë të rinj me kancer të tiroides, duke e krahasuar me mbi 240000 pacientë me kancer gjoksi dhe mbi 130000 raste të reja me kancer të kolonit. Megjithatë, më pak se 2000 pacientë me kancer të tiroides vdesin çdo vit. Në vitin 2013 mbi 630000 njerëz me kancer të tiroides jetonin në SHBA. Kanceri i tiroides është zakonisht shumë i trajtueshëm dhe shpesh kurohet me kirurgji dhe në qoftë se indikohet, dhe me jod radioaktiv. Edhe në qoftë se kancer i tiroides është shumë i avancuar, trajtim efektiv ekziston për të gjitha llojet e kancerit të tiroides.

Pavarësisht se diagnostikimi i kancerit të tiroides është i frikshëm, prognoza për shumicën e pacientëve me kancer folikular e papilar të tiroides është zakonisht shumë e mirë.

Çfarë është gjëndra tiroide?

Gjëndra Tiroide është një gjëndër endokrine në formën e fluturës e vendosur në pjesën e poshtme anteriore të qafës. Funksioni i gjëndrës tiroide është që të prodhojë hormonet e tiroides dhe më pas t’i transportojë ato në gjak dhe në çdo ind të organizmit. Hormonet e tiroides ndihmojnë trupin të përdorë energjinë dhe ndihmojnë në funksionimin normal të trurit, zemrës dhe organeve të tjera.

Cilat janë llojet e kancerit të tiroides?

Kanceri Papillar i tiroides. Kanceri papillar i tiroides është tipi më i përhapur, duke përbërë 70% deri 80 % të të gjitha llojeve të kancerit të tiroides. Ka tendencë të rritet ngadalë dhe shpesh përhapet në nyjat limfatike të qafës. Megjithatë, ndryshe nga llojet e tjera të kancerit, përgjithësisht ka një prognozë shumë të mirë pavarësisht se përhapet në gjëndrat limfatike.

Kanceri Follikular i Tiroides. Kanceri follikular i tiroides përbën 10% deri në 15% të të gjitha llojeve të kancerit në SHBA. Kanceri follikular përhapet dhe në nyjat limfatike, por kjo është më pak e zakonshme se sa në kancerin papillar. Po kështu kanceri follikular ka më shumë gjasa të përhapet në organe të largëta, veçanërisht në pulmone dhe kocka.

Kanceri Papillar dhe Follikular njihen gjithashtu si kancer të mirë diferencuara të tiroides (DTC).

LLojet e tjera pak më të rrallë janë;

Kanceri Medular i Tiroides (MTC) përbën rreth 2% të të gjithë llojeve të kancerit të tiroides. Afërsisht 25% të MTC ka predispozicion gjenetik dhe është i lidhur me tumore të tjera endokrine. Në familjet ku njëri anëtar është i prekur nga MTC rekomandohet kryerja e një testi për mutacion gjenetik në Ret protoonkogjen ,gjë që çon në diagnostikimin e hershëm të MTC dhe trajtimin kirurgjikal të tij.

Kanceri anaplastik i tiroides është më i avancuari dhe më agresivi. Ai nuk i përgjigjet mirë terapisë. Kanceri Anaplastik është shumë i rrallë dhe gjendet në më pak se 2% të pacientëve me kancer të tiroides.

Lloje të tjera të kancerit të tiroides janë: Limfoma, Histiocitoza, Tumore Mezenkimale,Teratoma dhe metastazat tiroidiene të tumoreve malinje të indeve të tjera.

Cilat janë simptomat e kancerit të tiroides?

Kanceri i tiroides zakonisht shfaqet  si një modul, apo kokërr në gjuhën popullore, në tiroide dhe zakonisht nuk shkakton ndonjë simptomë. Analizat e gjakut zakonisht nuk ndihmojnë në diagnostikimin e kancerit të tiroides dhe bilanci hormonal i tiroides si TSH del madje normal edhe kur kanceri i tiroides është prezent. Ekzaminimi i qafës nga mjeku është mënyra më e zakonshme e zbulimit të noduseve dhe të kancerit të tiroides. Shpesh noduset e tiroides zbulohen aksidentalisht nga CT skaner ose ekografi e qafës e kryer për shkaqe të tjera të palidhura me të. Ndonjëherë janë vetë pacientët që e zbulojnë nodusin e tiroides, duke u parë në pasqyrë ose duke mbërthyer këmishën apo kollaren. Ndonjëherë, por shumë rrallë, pacientët me kancer të tiroides mund të ankohen për dhimbje të qafës, veshit apo nofullës. Ndonjëherë, kur noduli është i madh, mund të kompresojë edhe ezofagun, mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje, gëlltitje, një ndjenjë ngacmimi në fyt, dhe shumë rrallë ashpërsim të zërit kur kemi invadim të kordave vokale nga kanceri i tiroides.

Çfarë është më e rëndësishme që të theksohet është se përgjithësisht kanceri i tiroides nuk jep shenja apo simptoma, bilanci hormonal është normal dhe mënyra më e mirë për ta zbuluar është një check up periodik i qafës prej mjekut tuaj./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here