Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
“Çamçakëzi i gëlltitur qëndron në stomak për 7 vjet”, ky mund të jetë thashethemi më i frikshëm që keni dëgjuar në jetën tuaj. Por, a është i vërtetë ky thashethem? Sipas shkencëtarëve të Shoqërisë Amerikane të Kimikateve, kjo është një përrallë e kthyer në mit prej shumë kohësh, pasi çamçakëzi nuk është më i dëmshëm se ushqimet e tjera që kalojnë nëpërmjet sistemit të tretjes.
Edhe pse çamçakëzi është i vështirë për t’u tretur, ai arrin të kalojë nëpërmjet zorrëve ashtu si ushqimet e tjera.
Kur konsumojmë diçka, mund të jetë ushqim i zakonshëm ose çamçakëz, ai kalon nëpër 3 faza kryesore në trup.
Faza e parë është ajo mekanike (e njohur ndryshe si përtypja). Në këtë fazë, dhëmbët dhe gjuha funksionojnë së bashku për të bluar ushqimin. Më pas ushqimi kalon nëpërmjet sistemit të tretjes në stomak.
Faza e dytë përfshin enzimat, katalizatorë biologjikë që përshpejtojnë reaksionet kimike, që gjenden tek pështyma, lëngjet e stomakut dhe zorrët.
Enzimat nisin procesin e zbërthimit të ushqimeve në lëndë ushqyese, si yndyrat nga djathi, karbohidratet nga makaronat, proteinat nga mishi ose frutat e thata etj. Këto janë lëndët ushqyese për të cilat trupi ka nevojë që të mbijetojë.
Acidi i stomakut, që përbëhet nga acidi klorhidrik dhe kripa, kryen fazën e tretë të tretjes. Pas kësaj faze, gjithçka që mbetet shkon direkt në banjë.
Po si e tret trupi çamçakëzin?
Siç mund të keni kuptuar, ndryshimi kryesor kur përtypni çamçakëz është se gjatë fazës “mekanike” ju nuk do ta ndani çamçakëzin në copëza të vogla, siç bëni me ushqimet e tjera.
Por, ju do ta gëlltitni çamçakëzin ashtu siç është, dhe ai menjëherë do të kalojë tek faza e dytë, faza e enzimës. Tek çamçakëzi, pjesa më e madhe e molekulave janë karbohidratet, vajrat dhe alkooli. Ashtu si me ushqimet e tjera, këto molekula zbërthehen lehtësisht.
Por, trupi nuk ka një enzyme për të tretur llastikun, prandaj çamçakëzi kalon në fazën e tretë. Edhe pse acidi i stomakut është i fortë, ai prapë nuk arrin ta tresë llastikun. Megjithatë, edhe pse një pjesë e çamçakëzit i shpëton tretjes, ai nuk qëndron në stomak për shtatë vjet.
Trupi i njeriut mund t’i lëvizë copat e çamçakëzit nëpërmjet sistemit të tretjes dhe t’i nxjerrë ato jashtë brenda një ose dy ditësh.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


