Kërkesa jashtë rrit eksportet dhe çmimet e bimëve mjekësore deri 10% për janar-tetor

Pas 3 viteve jashtëzakonisht të vështira, kur zhvlerësimi i euros dhe dollarit goditi fort të ardhurat e sektorit, eksportet e bimëve mjekësore kanë nisur të përmirësohen.

Për periudhën janar–tetor 2025, të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje prej rreth 8% të eksporteve për grupin “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët”, duke sinjalizuar rikuperim të sektorit pas krizës së shkaktuar nga zhvlerësimi i monedhave të huaja.

Eksportuesit theksojnë se goditja e vitit 2023 ishte më e rëndë edhe se periudha e pandemisë, kur kufizimet e lëvizjes dhe politikat izoluese ndikuan ndjeshëm tregtinë. Gjatë periudhës janar–tetor 2023, eksportet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” ranë me rreth 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, e ndikuar nga zhvlerësimi i euros.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Mjekësore dhe Aromantike Filip Gjoka tha se rritja e eksporteve po ndikohet nga shtrenjtimi i çmimeve për disa artikuj që është shfaqur kërkesë e lartë në tregjet e huaja.

“Për shkak të zhvlersimit të monedhave të huaja sektori prej 3 vitesh sektori po has vështirësi nga humbjet në eksport.

Sivjet ka një përmirësim të eksporteve, ka rritje të tyre e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve për eksport për disa bimë medicinale. Janë disa bimë që ka kërkesa, si: rrënja e qumështores, çaji i malit, boronica, lulja e fjanit. Këto bimë më tepër po eksportohen në Europë, në SHBA, Australi dhe Singapor.

Rritja e çmimeve 4 deri 10% për disa bimë më shtrenjtë sesa vjet, po arrin të kompensojë humbjet e kompanive të shkaktuar nga zhvlerësimet e euros dhe dollarit”.

Kryetari i Shoqatës së Eksporteve të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Filip Gjoka gjithashtu theksoi se për të rikuperuar humbjet nga zhvlerësimi i monedhave të huaja shumë eksportues jo vetëm që kanë zgjeruar gamën e produkteve që i ofrohen tregut ndërkombëtar, po madje po shtojnë sasinë për eksport edhe drejt tregjeve aziatike. Drejt këtyre tregjeve synohet ofrimi i atyre produkteve që konstatohet mungesë eksportesh nga vendet e rajonit.

Pavarësisht synimeve të eksportuesve për t’u shtrirë në tregje të reja, zoti Gjoka përsërit se problem mbetet mungesa e investimeve për shtimin e kapaciteteve përpunuese për produkt final të përpunuar. Nga operatorët me potenciale grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese vetëm 25% e tyre arrijnë të nxjerrin produkt final të përpunuar, kurse 75% e tyre u shitën si lëndë e parë pa u përpunuar, duke humbur në pjesën të madhe të vlerës që mund të ngelej në ekonominë vendase./ Monitor

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së