Kërkesat e mjekëve në 1 Maj

Për ditën e 1 Majit, Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor vlerëson punën e mjekëve dhe infermierëve të cilët janë në përballje me COVID-19.

Përfaqësuesit e sindikatës, përmes një deklarate, i kërkojnë Ministrisë së Shëndetësisë që të përmirësojë kushtet e punës së mjekëve që janë në vijën e parë si dhe të reduktohen orët në punë për të ulur rrezikun e ekspozimit ndaj virusit.

Për çdo punonjës të shëndetësisë të prekur nga Covid-19, sindikata propozon trajtim të veçantë financiar, njësoj si në rastet e aksidenteve në punë.

Mjekët dhe infermierët kërkojnë që pagesa e tyre të bëhet sipas volumit të punës dhe rrezikut që paraqet në këto ditë epidemie.

Deklarata e Plotë e Sindikatës së Punonjësve Shëndetësor

Për ditën e 1 Majit Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor përshëndet gjithë anëtarët e saj duke i kujtuar që është një ditë solidarizimi jo vetëm me njëri-tjetrin, por me të gjithë armatën e punonjësve të këtij sektori, të cilët sot në këtë periudhë të vështirë që po kalon rruzulli për shkak të COVID-19, janë në frontin më të vështirë duke rrezikuar jetët e tyre për t’i shërbyer të gjithë atyre që gjenden në nevojë.

Njëkohësisht kjo sindikatë sjell në vëmendje të anëtarëve të saj kujdesin maksimal që duhet të kenë ata në mbrojtje të jetëve dhe të familjeve të tyre, duke përdorur masa mbrojtëse dhe duke mbajtur distancë veçanërisht në vende ku dyshimi për ekspozim të mundshëm ndaj SARS CoV 2 është i madh.

Kjo sindikatë kërkon nga strukturat drejtuese, përmirësimin e kushteve të punës së personelit shëndetësor që janë në frontin e parë të luftës ndaj COVID-19, uljen e orëve ditore të punës me qëllim uljen e ekspozimit me këtë virus dhe dhënien e mundësisë së testimit në mënyrë periodike.

Punonjësit të cilët rezultojnë me shfaqje akute të sëmundjes të marrin trajtim të veçantë sikurse ndodh në rastet e aksidenteve në punë.

Të merren masa që i gjithë sistemi shëndetësor në nivele të ndryshme të tij dhe jo vetëm në spitalet terciare, të pajiset me mjete dhe masa mbrojtëse për të bërë të mundur dhënien e shërbimit profesional në mënyrën e kërkuar bashkëkohore.

Të rishikohet trajtimi financiar i këtij sektori si një nga sektorët që duhet të vlerësohet për volumin e punës, dhe rrezikshmërinë që ai po paraqet sot dhe në të ardhmen.

Kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor

Postime të ngjashme

Problemet me veshkat: Shenjat që nuk duhet t’i injoroni - Podcast me mjeken Marsida Duli - Ep.26
A është ngrënia e mëngjesit vonë e rrezikshme për shëndetin? Ja çfarë thotë studimi
PROMO | Podcast me mjeken alergologe Mira Xhixha – Të mërkurën, 4 mars 2026
Ky mjet i inteligjencës artificiale mund t’i shpëtojë pacientët me kancer nga kimioterapia që nuk u nevojitet
Njihuni me ata që janë vërtet të varur nga ekranet: të moshuarit
Progres raporti i KE: Shqipëria me nivelin më të lartë në Europë të pagesave nga xhepi për shëndetin
Ndryshimet në Shëndetësi, ministrja Sala prezanton drejtuesit e rinj të QSUT dhe FSDKSH
Prezantimi i ministres së re të Shëndetësisë, Rama: Do të përdorim inteligjencën artificiale në sistemin shëndetësor