Elena Beta, “Shëndet+”
Kongresi i Inovacioneve në Shëndetësi, ishte tema që mblodhi bashkë mjekë, studentë të mjekësisë, media, organizata me fokus shëndetësinë, si dhe njerëz të interesuar për të mësuar më shumë mbi inovacionet në fushën e mjekësisë.
Konferenca të tilla janë një mundësi shumë e mirë për të rinjtë, pjesë e fushave shëndetësore për të treguar potencialin e tyre, për të krijuar dhe sjellë ide invovatore si dhe për të rritur frymen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave midis profileve të ndryshme të shëndetësisë.
Indrit Seferi, President i shoqatës MAYA dhe njëkohësisht organizator i kësaj konference, tha për “Shëndet+” se organizimi i aktiviteteve të tilla është sfidë më vete, sidomos në fushën e shëndetit, pasi instancat që duhet të ndihmojnë shoqerinë civile për të luajtur më mirë rolin e tyre në mjedisin që na rrethon, janë pothuajse inekzistente! Ajo që vihet re është një indiferentizëm vrastar, që normalisht zbeh rolin e profesionistëve të rinj dhe studentëve të shëndetësisë për t’u integruar më mirë në sistemin shëndetësor dhe për të mundësuar organizimin midis tyre në radhë të parë dhe më pas në integrimin e tyre në shoqëri, vijoi ai. “Vështirësia më e madhe në organizimin e konferencave të tilla është hapi për t’u bashkuar, për të krijuar ekipe pune ku nëpërmjet tyre mund të gjenerohen ide dhe më tej nisja e etapave për t’i implementuar ato”, tha Seferi. Krijimi i mundësisë për të përfshirë profesionistë dhe studentë të fushave mjekësore, për të qenë në sallë përballë këtyre referimeve, për të mësuar nga to, për t’u frymëzuar, dhe për t’i dhënë mundësinë e fuqizimit të bashkëpunimit midis tyre, ishte një sfidë me vete, përmbylli ai.
Ajo që vihej re në rreshtin e të ftuarve ishin emra të njohur në Mjekësi, si: dr. Aurora Knuti, dr. Gerti Knuti, dr. Benereta Hoxha, dr. Sokol Hasho, dr. Gentian Stroni, dr. Fatmira Xhixha. Ata folën për inovacionet që janë bërë në drejtim të trajtimit të sëmundjeve që prekin pjesën më të madhe të popullsisë si: Këmba diabetike, Osteoporoza, Hernia paravezikale incarecerate, Insulinoirezistenca Celebrale dhe Demenca, Dermatiti seborroik etj.
Dr. Rustem Celami, mjek Obstetër Gjinekolog, prezantoi një studim lidhur me Protokollet Mjekësore në Kujdesin Prenatal dhe Aplikimin e tyre në Përditshmërinë e Praktikës Klinike në Shqipëri, ku foli për Kujdesin Prenatal si një indikator i rëndësishëm në kujdesin shëndetësor në tërësi dhe mosaplikimin e protokolleve klinike, sipas standarteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendin tonë.
Dr.Sokol Hasho, endokrinolog, foli për “Këmbën Diabetike” si një ndërlikim serioz i të sëmurëve me diabet mellitius, e sidomos i pacientëve me diabet tip 2, si dhe për trajtimin e kësaj sëmundje nëpërmjet një elementi të ri të futur rishtazi në vendin tonë, siç është terapia me presion negativ. Teknikë kjo terapeutike e cila përdor vakumin (thithjen) për të përshpejtuar shërimin e një plage akute ose kronike. Ai foli gjithashtu për hapat e para që janë bërë gjatë vitit të fundit për parandalimin primar me praninë e shtojcave të personalizuara dhe këpucët diabetike.
Risia e përdorimit të Oksigjenit Hiperbarik në Celulite të ndryshme dhe fillimi i Antibiotikoterapisë për të penguar shpërndarjen e infeksionit dhe parandalimin e dëmtimit të nervit optik ishte një tjetër temë interesante për të cilën foli dr. Genti Stroni, për të vijuar në tema të tjera lidhur me Prespektivat Terapeutike në iterin e përdorimit të barnave, si dhe terapitë më efikase për të trajtuar Astmën dhe Alergjitë.
Në përfundim të Kongresit, ajo që u vu re ishte impakti pozitiv si nga pjesëmarresit gjithashtu dhe nga lektorët, gjë e cila justifikoi më së miri sakrificën dhe mundin e gjithesecilit nga anetaret e Shoqates MAYA .


