Kopshti 34, AKU paralajmëron mbylljen pas denoncimit të shoqatës “Together For Life”

 

Nga Elona Tereziu

Mungesa e kushteve higjenosanitare në kopshtin nr. 34, pajisjet e kuzhinës të amortizura, myku dhe lagështia në mure, ka bërë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) të paralajmërojë mbylljen e tij.

Këto problematika janë ngritur më parë edhe nga shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit ”Lëviz për Kopshtin Tim”, ku gjatë monitorimeve në 43 kopshtet e Tiranës, në kopshtin 34 (në zonën e Kombinatit) mes të tjerave u konstatuan edhe: myk dhe lagështi në mure, mungesa e mobilimit të brendshëm, fjetja në krevatë marinari, ngrohja me sobë drush, problemet me sistemin elektrik, mungesë mjetesh didaktike, mungesë tapetesh etj (lexo këtu).

Ndërkohë, nga ana e tyre, prindërit patën pranuar se pamundësia ekonomike ishte e vetmja arsye që i detyronte t’i çonin fëmijët në kopshtin nr. 34, ndonëse më shumë se u jep dije, ky kopësht i ”rrezikon shëndetin”.

Pas kontrollit të ushtruar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, TFL iu drejtua atij me një kërkesë zyrtare lidhur me konstatimet e gjetura dhe masat e ndërmarra, ku u evidentuan sërish problematikat e ngritura më parë, kompetente për AKU-në.

Kopshti 34 është inspektuar me datë 16.05.2017 dhe magësitë e konstatuara kanë qenë:

  • Prani lagështire në një pjesë të murit.
  • Ambjentet e kuzhinës të palyera
  • Pajisjet e kuzhinës duhet të rinovohen.

Ndërkohë që për mangësitë e konstatuara AKU sqaron edhe masën administrative ”Paralajmërin për mbyllje”. Nga ana e gazetës “Shëndet+” u kontaktua edhe drejtoresha e kopshtit nr. 34, Silvana Stefa, e cila u shpreh se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte ardhur në kopsht dhe kishte kërkuar ta mbyllte për shkak të kushteve të këqija, të cilat ajo pranoi se u raportuan edhe gjatë monitorimit të kryer nga shoqata “Together for Life”, por edhe u denoncuan nga vetë prindërit, të cilët u shprehën se myku, lagështia, sobat me dru, kushtet në përgjithësi të këtij kopshti rrezikonin shëndetin e fëmijëve të tyre, të cilët i çonin shpesh për kurim. Stefa tha se tashmë prisnin ndërhyrjen e Bashkisë së Tiranës për kopshtin e tyre.

Vetë AKU, si autoriteti përgjegjës, kryen inspektime 4 herë në vit në kopshte për verifikim të kushteve higjieno-sanitare në ambientet dhe pajisjet që përdoren në përgatitjen e ushqimit, si dhe dokumentacionin shoqërues për produktet ushqimore.

Nga ana e saj, shoqata “Together for Life”, e cila po zbaton projektin “Lëviz për kopshtin tim” të mbështetur nga LëvizAlbania, ka denoncuar raste të ndryshme të problematikave të hasura në 43 kopshtet publike të Tiranës.

 “Ky botim u realizua me mbështetjen e LëvizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LëvizAlbania”./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën