Shefqet Deliallisi
Cila është në të vërtetë lidhja mes kujdesit mjkësor dhe shëndetit ? Sa ndikojnë në shëndet diferencat në kujdes mjekësor ? Mjafton të përqëndrohemi vetëm te sistemi shëndetsor për zgjidhjen e problemeve të shëndetit? Janë këto pyetje që për dekada bëhen nga profesionistë të shëndetit, kërkues, politikanë e më gjerë.
Në takiimin e 60-të të Komitetit Rajonal Europian të OBSH, në Moskë, në shtator 2010, ministrat e Shëndetësisë të vendeve të Europës theksuan se shpenzimet për ndihmë sociale mund të jenë më të rëndësishme për shëndetin, sesa shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Por le të kthehemi prapa në kohë.
Pak histori
Në fund të shekullit të XIX një mjek i shquar amerikan ironizonte: “Nëse të gjitha medikamentet do të hidheshin në fund të detit, do të ishte më mirë për njerëzit, dhe më keq për peshqit”. Kjo gjendje ndryshoi rreth 150 vjet më parë, me futjen e shkencës në Mjekësi, ndonëse edhe që në atë kohë, Rudolf Virchoë shkruante: “Përmirësimet në Mjekësi do e zgjasin jetën e njeriut, por përmirësimet e kushteve sociale mund ta arrijë këtë rrezultat më shpejt, dhe me më shumë sukses.”
Në vitet ’50, kur shumica e vendeve raportonin rënie të rëndësishme të vdekshmërisë, u shfaqen mendime që vinin në dyshim faktin nëse ishin përparimet mjeksore ato që po sillnin këto përfitime të mëdha në shëndet. Në vitin 1959, Rene Dubos, në librin e tij klasik “Mirazhi i Shëndetit”, argumentonte se rënia e vdekshmërisë në vendet perëndimore kish filluar kohë para zbulimit të antibiotikëve. Sipas tij, përparimet në shkencën mjekësore, veçanërisht medikamentet kundër-infeksioneve në vitet 1930-40-50, ndikuan së tepërmi për uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, ashtu si dhe teknologjitë e reja kishin impakt të dukshëm mbi shëndetin, por nuk ishin kryesoret. Arsye kryesore e rënies së vdekshmërisë, ishin kushtet më të mira të jetesës, veçanërisht ushqyerjes, strehimit, punësimit dhe higjenës mjedisore.
Dy mendime
Dy mendime të kundërta ekzistojnë edhe sot. Mendimi i parë: Përcaktues madhorë të gjëndjes së shëndetit janë shërbimet shëndetësore. Zgjerimi i aksesit për kujdes mjeksor, është thelbësor për arritjen e shëndetit. Pabarazia në shëndet është rezultat i aksesit të ndryshëm për kujdes mjeksor.
Mendimi i dytë: Shërbimi mjekësor, krahasuar me faktorët socio-ekonomikë ka një efekt të vogël mbi shëndetin. Progresi në zvogëlimin e pabarazisë në shëndet arrihet jo aq duke rritur aksesin për kujdes mjekësor, se sa duke ndryshuar kushtet sociale dhe stilin e jetës. “Në një farë mënyre, kujdesi mjekësor ndikon mbi shëndetin aq sa ndikon shkollimi mbi mençurinë- shkruan Fuchs – Shoqëria mund ta bëjë shkollimin lehtësisht të ndjekur për cilindo; madje mund ta bëjë dhe të detyrueshëm, por asnjë shoqëri nuk mund ta bëjë çdo njeri të mençur.”
Ç’thonë statistikat ?
Sipas statistikave, jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve është 76.4 vjeç (me tendencë rritje çdo vit). Është e dhëna më e mirë se e shumë vendeve të tjera, madje shumë më të zhvilluara se ne. Ne lemë pas në Europë: Armeninë (72.1 vjet), Azerbajxhanin (67. 5), Bjellorusinë (69), Bosnjen (74.9), Kroacinë (75.7), Estoninë (71.4), Gjeorgjinë (71), Hungarinë (73.3), Letoninë (71.6), Lituaninë (74. 4), Maqedoninë (74.2), Moldavinë (68.9), Malin e zi (74.5), Poloninë (75.6), Rumaninë (72.5), Rusinë (65.5), Serbinë (74.1), Sllovakinë (74.7), Turqinë (73.7), Ukrainën (67.9).
Renditemi të 31 në Europë, dhe të 51 në botë, ndërkohë që nuk mbajmë këtë renditje, sa i takon nivelit të kujdesit mjekësor.
Tjetër statistikë. Jetëgjatësia mesatare për femrat në Zimbabve është 42 veç, në Afganistan 44 vjeç, ndërsa në Japoni 86 vjeç, (në Shqipëri po kap të 80-tat). Sigurisht, veç rregullimeve sociale dhe ekonomike, asnjë arsye e shëndoshë biologjike nuk e justifikon këtë diferencë. Konkluzioni është se përtej një niveli të caktuar minimal të të ardhurave, korelacioni ndërmjet vdekshmërisë dhe të ardhurave për frymë është i ulët.
Pse diferenca në kujdes mjekësor nuk ndikon dukshëm në shëndet
Shëndeti i mirë apo i keq, në një farë mase, është i “para-shkruar”, është një “dhuratë” gjenetike për secilin. Dihet se ndikimi i faktorëve gjenetikë është në veprim pothuajse në çdo sëmundje. Nga ana tjetër, lidhja ndërmjet shëndetit dhe kujdesit mjeksor nuk është aq direkte dhe imediate sa besohet. Kujdesi mjeksor, ndikon në një numër të kufizuar sëmundjesh, për pasojë ka një impakt të vogël mbi treguesit e shëndetit, vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë. Ja si e argumenton Fuchs në librin e tij “Ëho shall live?”
Në raport me ndikimin e kujdesit mjekësor mbi shëndetin, ai i ndan sëmundjet në tri kategori. Kategoria e parë, sëmundje që në përgjithësi vetëshërohen (infeksionet virale të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, shqetësimet gastrointestinale, dhimbjet e kokës, plagët, etj). Në këtë rast, kujdesi mjekësor siguron vetëm një përfitim psikologjik. Kategoria e dytë, sëmundje mbi të cilat, kujdesi mjeksor s’ka asnjë ndikim mbi shëndetin, mbasi për to, ose nuk ka trajtim për të shmangur vdekjen e hershme (psh. kanceri i pankreasit), ose janë sëmundje kronike për të cilat nuk ka asnjë trajtim mjeksor të efektshëm, por që me to mund të jetohet shumë gjatë (psh. sëmundja Alzheimer).
Kategoria e tretë, që përdor më pak se gjysmën e kujdesit mjeksor total, ndahet në tre pjesë. Pjesa e parë përfshin mjekimin me antibiotikë të infeksioneve bakteriale, vaksinimet, ndërhyrjet kirurgjikale të zakonshme, etj, që realizohen pa vështirësi nga çdo vend, pavarësisht nivelit ekonomik, apo sitemit të kujdesit mjeksor që ka. Pjesa e dytë : sëmundje mbi të cilat kujdesi mjeksor është më mirë se mungesa e tij, por nuk ka konsensus se cila qasje është më e mirë. Dhe pjesa e fundit : sëmundje mbi të cilat kujdesi mjeksor është përcaktues dhe ndyshon në varësi të sistemit të kujdesit shëndetsor, përparimeve të mjeksisë, shpenzimeve për mjeksinë, nga një vend në tjetrin. Është pikërisht kjo pjesë e kujdesit mjeksor që bën diferencën në ndikimin mbi shëndetin, por që përbën veçse një porcion të vogël, (rreth 10%) në kujdesin mjeksor total !!!!.
Shkaku i shkaqeve: Përcaktuesit socialë të shëndetit
Me të drejtë çdokujt mund t’i lindë pyetja, ç’vlerë ka ky diskutim ? Thjeshtë akademik ?
Jo. Ai vlen për hartimin e politikave mbi shëndetin. Mbasi në fakt shpesh një keq-kuptim egziston. Shëndeti reduktohet dhe keq-paraqitet si kujdes mjeksor, ose si shërbim shëndetësor. Kjo bën që, politikat që kanë të bëjnë me shëndetin, të keq-ndërtohen si politika të kujdesit mjeksor, apo si politika të sistemit shëndetsor. Kjo vjen nga konceptimi i gabuar i shëndetit si mungesë e sëmundjes. Sipas Davies, “për kohë të gjatë ne si shoqëri kemi lejuar politikanët t’i shmangen problemeve të shëndetit, duke ja faturuar ato domenit mjeksor, duke e shmangur fokusin nga forcat sociale dhe politike, që krijojnë shëndetin dhe sëmundjen.” Duhet një këndvështrim më i gjërë. Në librin Përcaktuesit Socialë të Shëndetit : Faktet solide (OBSH, 2003) thuhet : “Dikur politika shëndetsore mendohej të ishte pak më shumë se sigurimi dhe financimin i kujdesit mjekësor. Përcaktuesit socialë të shëndetit diskutoheshin vetëm mes akademikëve. Por, ndërsa kujdesi mjekësor mund të zgjasë jetën dhe të përmirësojë prognozën për disa sëmundje të rënda, më të rëndësishme për shëndetin e popullatës në tërësi janë kushtet sociale dhe ekonomike që i sëmurin njerëzit….” Dhe, shumë nga përcaktuesit kryesor të pabarazisë në shëndet janë jashtë sektorit shëndetësor, prandaj dhe për tu trajtuar nuk kërkojnë politika të kujdesit shëndetësor. Është fakt se shëndeti dhe shërbimet shëndetsore kontribuojnë në rritjen ekonomike të një vendi, ashtu sikundër dhe zhvillimet e sektorëve të tjerë kontibuojnë mbi shëndetin, prandaj dhe Presidenca finlandeze e Bashkimit Europian në viti 2006 bëri thirrjen për : “Shëndet në të gjitha politikat”.
Në një fjalim të mbajtur në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në mes të viteve 1980, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Halfdan Mahler, theksonte: “Mendojeni veten sikur jeni të zhytur deri në grykë në një kënetë duke luftuar alligatorët. Nuk duhet të harroni, në rradhë të parë kemi ardhur për tharjen e kënetës. Nëse me të vërtetë duam të luftojmë alligatorët, duhet të thajmë kënetën”.

