Dr. Ibrahim Bruka, mjek kirurg pranë Shërbimit të Kirurgjisë Digjestive, QSUT
Shërbimi mjekësor është një shërbim që i garantohet qytetarit shqiptar nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë, si dhe njerëzit e punësuar në këtë shërbim. Ky shërbim i detyrueshëm merr fuqi nga Kushtetuta, ligjet e Parlamentit dhe aktet nënligjore, ndërsa Ministria e Shëndetësisë përpunon politika mjekësore për të përmirësuar vazhdimisht këtë lloj shërbimi.
Megjithatë, çfarë po ndodh sot me mjekësinë tonë? Mund të themi se sistemi mjekësor po shkatërrohet. Ministria e Shëndetësisë po përdor sloganin “mjekësia falas” si politikë të saj. Besoj se asnjë njeri, qoftë politikan apo qytetar nuk e beson këtë. Mjekësia është shërbim dhe, që të jepet siç duhet, kushton.
Ministri ynë kur erdhi në detyrë premtoi se do të mirëmbante aparaturat e kushtueshme, të blera dhe të vendosura nga qeveria e mëparshme. Por një gjë e tillë nuk po ndodh sot. Shumë aparatura moderne vazhdojnë të “dergjen” dhe të mos përdoren në shërbim (RM, CT skaner, ekzaminime laboratorike).
Vetëm para disa ditësh QSUT-ja u gjend në një kaos për shkak të prishjes së EKO-s jo vetëm në urgjencë por edhe në shërbime të tjera. U desh reagimi i mediave që teknikët, e lajmëruar që prej një viti, të vinin e ta rregullonin. Kjo krijon edhe parregullsi e stres në dyert e spitaleve sepse mjekët nuk mund ta ofrojnë shërbimin, jo për faj të tyre, dhe pacientët kanë nevoja jo rrallë edhe urgjente. Gjithashtu një gjendje e tillë bëhet shkak për përplasje midis dy palëve, kur themi përplasje kemi parasysh jo vetëm dhunën verbale por edhe atë fizike kundrejt mjekëve. QSUT-ja gjithashtu përballon pacientë nga e gjithë Shqipëria për të bërë provën e biçikletës, se nuk është mundur që të sillet dhe një tjetër biçikletë apo të sigurohet si aparaturë edhe në spitale të tjera.
Veç aparaturave, shpesh nuk ka as medikamente. Dhe megjithatë çuditërisht buxheti i mjekësisë vazhdon të harxhohet. Si ndodh një gjë e tillë?
Për 2 vjet qeveria dhe ministri kanë dhënë shërbime mjekësore me koncension, afërsisht 10 prej tyre. Le të analizojmë vetëm një: Testimi i domosdoshëm i moshës 40-65 vjeç. Besoj se depistimi i kësaj moshe është domosdoshmëri. Megjithatë, nuk jam dakord me metodën e përdorur. Për faktin e thjeshtë se çdo spital bashkie apo rajoni e ka mundësinë ta bëjë këtë. Buxheti tepër i madh i përdorur për këtë kontroll tepër të reklamuar, në të vërtetë duhet të ishte adresuar tek këto spitale, duke planifikuar çdo detaj, me rregullore e cila do të kontrollonte këtë shërbim, duke njoftuar çdo qytetar për ditën e ekzaminimeve. Por çfarë bën privati që ka marrë përsipër këtë shërbim? Askush nuk e di. Megjithatë ky kontroll ka buxhetin më të lartë të akorduar ndonjëherë për shëndetësinë.
E njëjta analizë mund të bëhet edhe për shërbimet e tjera të privatizuara nga kjo qeveri. Të mos keqkuptohemi: nuk jam kundër bashkëpunimit me spitalet private. Por, këto paketa, sipas protokolleve, duhet të funksionojnë edhe tek shteti. Për shembull, koronarografia mund të vendoset në urgjencë që brenda pak orëve i vjen në ndihmë qytetarit. Kështu qytetari përfiton shërbimin, dhe si ai edhe shteti, kursejnë para. E tillë është edhe hemodializa, e cila mund të bëhet nga disa spitale rajonale dhe qytetari të marrë shërbimin e duhur. Sigurisht, shteti do të kursente shuma të mëdha. Megjithatë, ka ndodhur e kundërta.
Burimet njerëzore në mjekësi
Besoj se ka shumë njerëz të kualifikuar për të shërbyer në mjekësi. Por, çfarë po ndodh? Shumë qendra shëndetësore të largëta nuk kanë mjekë, ndërsa shumë që kanë mbaruar për mjekësi, punojnë kamarierë në Tiranë. Këtu futet në lojë ministria, e cila duhet të promovojë politika që këta mjekë të punojnë në profesionin e tyre. Si ta realizojë këtë? Duke i stimuluar me pagë suplementare. E rëndësishme është që qytetarit t’i shërbehet atje ku ai jeton. Këtë shërbim duhet t’ia garantojë shteti (prandaj ka kosto). Ka shumë spitale rajonale pa specialistë. Pse? Është gabim në menaxhim. Merren mjekët specialistë të kualifikuar dhe vendosen si drejtues politikë jashtë shërbimit spitalor. Për shembull, në Lezhë reanimatori është drejtor jashtë institucionit. Po kështu në Dibër, si edhe në rrethe të tjera. Kush e ka fajin? Qytetari lodhet dhe sorollatet për shërbim. Ministri dhe qeveria duhet ta dinë sa nevojë ka qytetari për shërbim dhe këtë duhet t’ia ofrojë.
Qeveria dhe ministri duhet të mbajnë përgjegjësi, dhe jo ta delegojnë këtë përgjegjësi. Unë po e them delegim. Por nuk është delegim. Është shkarkim përgjegjësish tek të tjerët, tek personeli mjekësor. Këta janë njerëz të pafajshëm, të kualifikuar, të edukuar, të mirësjellshëm.
Sot ministri ushtron presion me çdo metodë. Një nga metodat është testimi. Megjithatë edukimi në vazhdim është i rregulluar me ligj të veçantë. Të vend të testimit, ministri duhet të merret me plotësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, që personeli mjekësor t’i shërbejë qytetarit dhe qytetari të jetë i kënaqur nga shërbimi. Ministri duhet të kërkojë nga qeveria ngritjen e pagave të punonjësve të mjekësisë, duhet të kërkojë nga qytetarët që të mos ushtrojnë dhunë ndaj personelit, siç ndodh shpesh, duhet që ai vetë të mos bëjë presion që edhe qytetari të mos ketë stimulim. Patjetër që ai mjek që nuk shërben, nuk duhet të mbrohet as nga ministri.
Por ministri sot ka marrë në dorë të gjitha kopetencat. Çdo punonjës në shërbimin mjekësor është në dorë të ministrit. Kjo është hera e parë që ndodh. Një punonjës në mjekësi emërohet qoftë nga Konispoli ose nga Vermoshi nga dora vetë ministri. Kjo ka ndodhur aktualisht edhe në ministri të tjera.
Duke ripërmendur edukimin në vazhdim të stafit mjekësor, duhet thënë se ministri duhet të përcaktojë fonde dhe të tërheqë fonde nga BE, SHBA dhe donatorë të tjerë dhe të dërgojë pandërprerje njerëz jashtë shtetit. Besoj se kjo është metoda më e mirë e bashkëpunimit të ministrisë me kuadrot mjekësor.
(Shkrimi i plotë u botua në gazetën “Shëndet+” numri 8-21 qershor 2015)


