Kryefaqja Shendeti a-z L Lambliaza (infeksioni i rrezikshëm i zorrëve), si trajtohet

Lambliaza (infeksioni i rrezikshëm i zorrëve), si trajtohet

1
Shpërndaje

Dr. Migena Qato, Mjeke në Shërbimin Infektiv, në QSUT

Lambliaza është një infeksion i zorrës së hollë, shkaktuar nga paraziti, Giardia intestinalis, ose i njohur ndryshe si Giardia lamblia, është shkaku më frekuent i sindromave gastrointestinale parazitare, i cili në shifra statistikore përfaqëson një prevalencë rreth 20% deri 30% në popullatën botërore.

Giardia lamblia ekziston në dy forma, forma aktive e quajtur ndryshe trofozoide dhe ajo inaktive, e quajtur forma kistike. Këto 2 forma biologjike të parazitetit gjenerojnë në mënyrë dinamike njëra tjetrën, duke siguruar në këtë mënyrë simptomatologjinë e sëmundjes (është pikërisht trofozoidi aktiv ai që dëmton enterocitet e zorrës së hollë, duke u bërë përgjegjës në këtë mënyrë për shenjat dhe simptomat e sëmundjes) dhe transmetueshmërinë apo përhapjen e infeksionit (është forma inaktive, kisti i cili ka atributin për t`i rezistuar për një kohë të gjatë kushteve mjedisore, por edhe aciditetit gastric pasi gëlltitet, duke u transformuar më pas në trofozoid). Kistet e Giardia-Lamblia janë të pranishme në feçet e personave të infektuar. Në këtë mënyrë infestimi nga ky parazit është pasojë e kontaminimit të ushqimeve ose ujit me feçe ose me rrugë direkte fekal-orale. Është evidentuar në fakt së mjaftojnë vetëm 10 kiste për të shkaktuar infeksionin. Kistet arrijnë të mbijetojnë edhe në ujërat e liqeneve apo përrenjve, (kjo e bën lambliazën sëmundjen parazitare më të zakontë, të transmtueshme me ujin, e cila nuk kursen kafshët shtëpiake apo ato të egra (edhe pse mekanizmi i transmetimit të sëmundjes nga kafshët tek njeriu nuk njihet qartë). Gjithashtu janë të njohura edhe shpërthimet e lambliazës nga ujërat e pishinave, parqeve ujore apo pishinave dimërore (kjo më tepër pasojë e personave të infektuar, se sa burimeve ujore të ndotura).

Lexoni për shenjat paralajmëruese të kësaj sëmundjeje dhe personat që janë më të riskuar.

Diagnoza
Mënyra më e mirë për të diagnostikuar këtë infeksion është nëpërmjet testimit të antigenit në feçe . Ajo çka identifikohet me këtë test është proteina e Giardia lamblia dhe më tepër se 90% e të infektuarve diagnostikohen me anë të këtij testi.

Një tjetër mjet diagnostikimi është vëzhgimi mikroskopik i parazitit. Në mënyrë që të identifikojmë të gjithë të infektuarit, ky ekzaminim përsëritet me tre mostra të ndryshme nga çdo pacient. Krahasimisht me testin e antigenit, kërkon më tepër kohë dhe ka një përqindje më të ulet dedektimi. Por vëzhgimi mikroskopik ka avantazhet e veta duke qenë se na lejon të evidentojmë dhe patogjene të tjerë përveç lamblias, të cilët kanë shkaktuar sindromët diarreike në pacientë të caktuar.

Trajtimi
Trajmtimi më i aplikuar deri me sot për giardiazën është imetronidazole (Flagyl) për 5-10 ditë. Ka një efikasitet të mirë, rreth 75% deri 100%, por zakonisht shoqërohet me efekte anësore të rëndësishme si nauze, dhimbje epigastrike dhe cefale`.
Aktualisht metronidazoli së bashku me dy preparate të tjera, Tinidazole dhe Quinacrine janë medikamentet e aprovuara edhe nga FDA (Food and Drug Administration) për trajtimin e Lambliazës.

Ndodh në disa raste, trajtimi me secilin nga këto preparate, të dështojë në eradikimin e këtij paraziti. Në të tilla raste, preparati mund të ndyshohet, të përdoret për një kohë më të gjatë ose të kombinohet me një preparat tjetër (psh quinacrinë dhe metronidazol).

Parandalimi
• Hapi i parë fillon me kontrollin e ujit që konsumohet. Uji i pijshëm konsiderohet i tillë kur i është nënshtruar testimeve të kujdesshme nga instancat përkatëse.
• Në rast se nuk ekziston siguria e testimit të ujit të pijshëm atëherë detyrimisht duhet aplikuar zierja dhe më pas filtrimi i tij.
• Të evitohen sjelljet ekspozuese (përdorimi i akullit nga ujë i patrajtuar, larja e dhëmbëve, larja e frutave dhe perimeve)
• Larja e kujdesshme e duarve (para ngrënies, pas përdorimit të tualetit, ndërrimit të pelenave ose prekjes së kafshëve shtëpiake) ngelet gjithashtu mjeti më i mirë, i sigurt parandalues./ Shendeti.com.al

 

1 Koment

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here