Denisa Canameti, Shëndet+
39 vite në fushën e shëndetësisë kanë bërë që Lek Hysenaj ta njohë mirë atë në çdo hallkë. Shumë vite ka shërbyer si mjek, ndërkohë sot është shef i sektorit të kontrollit spitalor universitar. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Hysenaj flet për punën e tij si mjek duke e parë atë si një pasion të lindur që në vitet e para të të shkollës, flet për marrëdhënien me pacientët, për marrëdhënien me mjekun, si dhe bën një analizë mbi mënyrën sesi funksionon sot sistemi shëndetësor.
Jam nga Lekbibaj i Tropojës. Kam mbaruar shkollën e mesme mjekësore “Jani Minga”, Vlorë, në vitet 1976-1980. Kam punuar si ndihmësmjek në Lekbibaj nga viti 1980 -1986. Nga viti 1986- 1991 kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dhe që prej 1991-shit e deri më tani jam mjek, pra kam 39 vjet në mjekësi. Sot jam shef i sektorit të kontrollit spitalor universitar që prej korrikut 2014, ndërsa kam qenë shef i sektorit të kontrollit parësor për periudhën janar – korrik 2014. Jam i martuar. Gruaja ime, Etleva, është mësuese e gjuhës angleze. Momentalisht, drejtore në shkollën “Dora D’Istria” në Tiranë. Kam një djalë dhe një vajzë. Djali është në vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë. E kishte me pasion dhe është zgjedhja e tij. Jam ndjerë mirë. Vajza është në gjimnazin “Sami Frashëri”, viti i parë dhe duket se dhe ajo e do mjekësisë.
Doktor, ritmi, ankthi, stresi që ka puna e një mjeku, nuk ju shtyn që ta orientoni vajzën drejt një dege tjetër?
Është çështje pasioni. Mjekësia është diçka që të vjen së brendshmi. Nuk hyhet në mjekësi për t’u bërë i pasur, çfarëdo që të bësh.
Ka shumë mjekë të pasur, për të mos thënë, shumë të pasur…
Kur flas për mjek, nuk flas për pseudomjek. Çfarë do që të bësh, nuk do bëhesh i pasur, por do jetosh mirë. Do të kesh të pandarë stresin, nuk do të kesh kohë, puna është pa orar. Por, nëse e ke me pasion dhe je korrekt, do të jesh në qendër të respektit dhe vështrimit.
Pse pikërisht mjekësinë? A ka qenë e kushtëzuar zgjedhja (meqë keni jetuar në një kohë të tillë)?
E vërteta është se e kam pasur pasion. Nuk kam histori familjare që të ma kenë imponuar ose zgjuar dëshirën për mjekësi, nuk kam pasur prindër që kanë punuar në sistemin shëndetësor. Që në 8-vjeçare, nëse ua tregoj si kuriozitet, kërkoja mjekësi dhe vetëm mjekësi. Dhe kur vijnë bursat, ngrihet dikush nga këshilli i bashkuar (se ashtu shpërndaheshin bursat atëherë) dhe thotë këtë bursë do ta marrë vetëm ai djalë. Sepse është hera e parë që një fëmijë vjen pas derës dhe kërkon të mesmen mjekësore.
Pasion që pasi disa vitesh u kthye në profesion, detyrë, angazhim..
Megjithëse janë 39 vjet, unë vazhdoj ta dua njësoj shëndetësinë. E kam shumë kënaqësi kur e kam të mundur të jem sadopak pozitiv me të sëmurët. Është një punë që më jep kënaqësi.
Çfarë e bën një mjek që të ndiejë kënaqësi në punën e vet dhe çfarë e bën një mjek që të jetë i pakënaqur?
Pikësëpari, duhet ta duash këtë profesion dhe unë e dua. Mendoj se nëse nuk e do, është shumë vështirë që të ndjesh kënaqësi, veç pjesëve të tjera. Një çelës i artë është edhe të mësosh të jetosh në moment me shqetësimin dhe dhimbjen e të sëmurit. Pastaj puna ka edhe stresin, gjëra të tjera, por për mua një mjek i arsyeshëm dhe i logjikshëm dhe që është korrekt me të sëmurët, me familjarët, me komunitetin, është një person i vlefshëm për pacientët dhe komunitetin e si rrjedhojë është në qendër të vlerësimeve.
Doktor, ka mjekë të pakënaqur pavarësisht pasionit. Shpesh e gjejnë veten ndryshe nga mjekët jashtë vendit…
Edhe mua më ka rënë rasti të lëviz jashtë vendit, të bëj kualifikime dhe të kem akses nëpër spitale. Di të them vetëm se realiteti nuk është komplet pasqyrë e asaj që thuhet. Mendoj se ne nuk jemi aq keq sa themi dhe ata nuk janë aq mirë sa themi. Për hir të së vërtetës, sistemin parësor shëndetësor ne e kemi mirë, mendoj edhe sistemin spitalor. Kjo është krejt e dukshme dhe e prekshme.
Por mjetet, përballja me pacientin, streset, shpërblimet, pagat janë në një nivel tejet të pakënaqshëm dhe kjo i bën mjekët ndoshta të pakënaqur.
Si mjek, e justifikoni mitmarrjen në sistemin shëndetësor spitalor për shkak se pagat dhe shpërblimet siç thoni janë të pakënaqshme?
Jam shumë dakord me termin mitmarrje, dhe jo korrupsion siç lakohet shpesh. Korrupsioni ka të bëjë me paratë publike që kalojnë nëpër xhepat private. Mitmarrja është midis të sëmurit/familjarit dhe mjekut. Mendoj se ne duhet të analizojmë arsyet se pse ekziston kjo mitmarrje, përse të sëmurët dhe familjarët janë të prirur që ta paguajnë shërbimin që ata marrin dhe pse mjekët dhe infermierët marrin atë 200-lekëshin, 500-lekëshin apo edhe më shumë.
E para ka të bëjë me kënaqësinë që ndjen i sëmuri kur merr një shërbim të mirë. Pra, është një formë vlerësimi. Një formë respekti. Sigurisht që nuk do të isha për dhuratë para, po është edhe kjo. Përveç kësaj, pacientët kanë besimin që mjeku do t’u shërbejë më mirë, do t’u japë ilaçe më të mira.
A ndodh kështu apo është thjesht perceptim?
Ndodh. Kundrejt këtij veprimi/shpërblimi, pacientët kërkojnë kushte më komode, krevate më komode, dhoma dyshe apo teke etj. Ka normalisht edhe pacientë që detyrohen të paguajnë sepse mjeku apo tjetër staf bën gjithëfarë lloj akti që të mos e ofrojë shërbimin pa u “shpërblyer”. Këta janë një pjesë abuzuesish dhe përfituesish në sistemin shëndetësor. Më vjen keq që i kemi, sigurisht që janë pak.
Për të kuptuar mitmarrjen, gjithashtu duhet që të shohim elementet e motivimit të personelit mjekësor. Një element kryesor dhe shumë i rëndësishëm është paga që marrin. Nëse paga është e ulët, shpesh janë të detyruar që ta kompesojnë. Unë njoh shumë mjekë e mjeke që jetojnë në shtëpi me qira, kanë bashkëshortët pa punë, e sigurisht kjo nuk e justifikon, por është një arsye. Janë pjesë e kompesimit të pagës.
Megjithatë, është e hiperbolizuar shenja e barazisë që vendosin njerëzit midis shërbimit spitalor dhe ryshfetit…?
Sigurisht që është një perceptim i gabuar. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për një gjë: Shërbimi bëhet njësoj si për atë që paguan ,si për atë që nuk paguan. Populli ynë është bujar karshi një shërbimi ai do të shprehë respektin, mirënjohjen. Kjo ka ekzistuar gjithmonë. Nëse dikur bëhej një kollare apo deri te ushqimet, sot gjithçka është përkthyer në para. Por, ka dhe nga ata mjekë që edhe po t’ua bësh 10 mijë euro rrogën, prapë do marrin. Por kjo është një pakicë shumë e vogël, nuk them dot as 1% e mjekëve. Të jemi të ndërgjegjshëm, kemi abuzues brenda sistemit si në çdo sektor tjetër. Aq më tepër tani që kemi parasysh skandalin që doli te Fondi për recetat fiktive. Është vështrimi më i mirë për të thënë që kemi mashturues. Por kemi shumë mënyra për t’i ndaluar këto abuzime.
Mendoni se po bëhet përpjekje nga shteti për t’i ndaluar këto abuzime?
Po kush i bëri arrestimet ne fond? Shteti. Po luftohet për ta goditur abuzimin, ashtu ndodhi dhe sot, ashtu vazhdon.
Marrëdhënia me pacientin… Duke qenë se e keni ushtruar gjatë detyrën si mjek, a vazhdoni ende të merrni “emocione” pozitive prej ish-pacientëve tuaj?
Kudo që shkoj nëpër rrethe ku kam punuar, ndihem shumë mirë kur më përshëndesin. Ndihem mirë kur njerëzit të cilëve iu kam shërbyer më kujtojnë atë që kam bërë për ta. Ndiej shumë kënaqësi.
Kur është më e bukur puna, kur je në zyrë dhe lexon hallet e njerëzve apo kur je aty dhe i dëgjon ata?
Nuk ka të krahasuar si puna përballë pacientit.
Në perceptimet e njerëzve që ju njohin, çfarë ka ndryshuar nga Leka-mjek i thjeshtë te Leka-shef i shërbimit të sektorit spitalor…
Jam mirënjohës për ata që më kujtojnë pozitiv dhe kjo më bën të jem edhe më shumë. Sigurisht ka njerëz që edhe abuzojnë. Kam shembuj personal të cilëve nuk dua t’u referohem ku janë sjellë shumë keq me tendencën për të goditur, deri në falsifikim dokumentesh apo të dhënash. Ne kemi parasysh atë skandalin që e kemi ende të freskët dhe konstatoj që disa emra që më kanë kontrolluar mua, i kanë toleruar këta abuzues dhe nga unë kërkonin gjëra shumë të vogla dhe të pakuptimta duke transmetuar stres te punonjësit. Unë si shef i kontrollit të sektorit spitalor pas këtij skandali jam zotuar që të mos sillem me askënd ashtu siç kanë tentuar të sillen me mua. Por nëse më del ndonjë abuzues, nuk i bëj “fresk”. Ai kur ka marrë mundimin të abuzojë, e ka menduar që pas kësaj do vijë edhe ndëshkimi.
Sa fort e ka goditur skandali i Fondit administratën e shëndetësisë dhe sistemin shëndetësor në përgjithësi?
Unë nuk jam prej atyre që them që nuk ka ndodhur asnjë gjë, nuk jam prej atyre që them: Jemi komplet të pastër, por as komplet të dështuar. Skandali na ka tronditur, sepse është skandal i disa strukturave jofunksionale. Por ndihem mirë që nuk është skandal që vjen nga mjeku, por nga strukturat. Dhe më vjen mirë që bashkëpunuesit në këtë skandal po marrin dënimin e merituar.
Ky skandal ka stimuluar tek njerëzit frikën për cilësinë e barnave. A ka vend për frikë?
Jo, mendoj se njerëzit nuk duhet të jenë të frikësuar. Megjithatë, unë jam mjek, nuk mund të jap mendim për cilësinë e barnave se ne kemi qendrën e kontrollit të barnave që jep cilësinë. Por çdo mjek që ka një eksperiencë të gjatë, siç jam unë që kam 39 vjet, më shtyn intuita klinike dhe shikoj efektin që ky ilaç ka tek i sëmuri dhe natyrisht disa nuk kanë të njëjtën efekt. Kjo lidhet edhe me çmimin e barnave, si çdo gjë tjetër në treg.
Ndërkohë, çfarë roli mendoni se luan media në drejtim të sensibilizimit të njerëzve?
Media është e rëndësishme për promovimet shëndetësore, për shëndetësinë, për komunitetin mjekësor. Mendoj se roli i saj është pozitiv, sepse informon për shumë sëmundje, forma parandalimi etj. Shpesh mediat pa të drejtë etiketojnë mjekë që kanë gabuar, duke i përgjithësuar, këtu nuk pajtohem me median.
Emocioni është shumë i rëndësishëm dhe sigurisht edhe media përfshihet nga emocionet, shumë rrallë diferencohet dhe qëndron objektive. Ky emocion që transmeton media, sigurisht që shkon tek njerëzit i tillë. Gjithashtu, mediat shpesh transmetojnë lajmin pa mësuar më parë shkaqet. Jo të gjitha sëmundjet mjekohen. Mund të ndodhë që një pacient që po kurohet të pësojë trombozë e të bëjë vdekje të papritur dhe ne etiketojmë mjekun fajtor kur nuk është. Sigurisht që ka kontraste të tjera kur mjeku nuk është i kujdesshëm.


