Bisedoi: Denisa Canameti
Lida Shosha, tashmë ish-mjeke në Spitalin Universitar të Traumës, ka qenë dhe vazhdon të jetë një zë i fortë kundër testimit të mjekëve. Për të, një mjek testohet gjatë gjithë jetës, gjatë gjithë vitit, gjatë çdo dite që punon, me gjithë kërkesat jo vetëm të njerëzve, por edhe të politikëbërësve që vijnë e ikin. “Mjekët mbeten!” u shpreh ajo në intervistën e një muaji më parë për gazetën “Shëndet+”, teksa dha gjithë arsyet se pse ky testim është i padrejtë dhe pse ministri Beqaj duhet të merret me gjëra të tjera para se të vërë në dyshim aftësitë e mjekëve.
Doktoreshë, jeni shprehur kundër testimit të mjekëve? Edhe mësuesit janë testuar. Gjithashtu edhe testimi i infermierëve tregoi rezultate të dobëta…
Nuk ka paralelizëm ndërmjet profesionit të mjekut dhe profesioneve të tjera. Mësues dhe infermier bëhesh me një diplomë 4-vjeçare, ndërsa mjek nuk bëhesh dot me një diplomë të Fakultetit të Mjekësisë. Sepse në fund të fakultetit ti je vetëm mjek i përgjithshëm dhe sërish të duhet të studiosh. Pas fakultetit detyrimisht një mjek do të presë 2-4 vjet që të arrijë të marrë një të drejtë specializimi. Këto 2-3 vjet mund të jetë i punësuar, i përfshirë nëpër aktivitete të ndryshme ose mund të jetë pa punë. Më pas në të gjithë etapën e specializimit që nuk është më pak se 4 vjet, mjeku testohet. Ne testohemi për të gjitha lëndët që janë në specializim. Testohemi nga profesoriati. Nuk mund ta kalojmë dot specializimin pa u testuar. Në fund është një testim shumë i vështirë që është testimi i specializimit, i cili prapë ka një bord të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë.
Por nuk ngelet këtu. Mjekut iu kërkua që të bënte edhe master pas kësaj. Shtoi edhe disa vite pune, shtoi edhe master ku ai testohet përgjatë gjithë procesit të masterit, jep provime dhe në fund prapë del përballë komisionit, profesoriatit. Nuk mjafton me kaq, mjekut i kërkohet që të jetë me doktoraturë, sepse duhet të perfeksionojë veten. Atëherë duhet të fillojë nga fillimi një test dhe përgjatë ciklit duhet të përmbushë të gjitha detyrimet që ka marrja e titullit Doktor i Shkencave. Pra, jo vetëm do të punojë fuqishëm me tezën e tij dhe do të sjellë diçka të re në mjekësi, por ai duhet të investojë shumë që të marrë kreditet, të plotësojë kushtet që ka marrja e titullit Doktor i Shkencave i cili fillon me punime dhe publikime brenda vendit, me punime dhe publikime jashtë vendit, të cilat detyrimisht janë në kurriz të vet, sepse nuk financohet nga askush.
A nuk mendoni se, nëse anulohet testimi, mund të përfitojnë edhe mjekët e paaftë, mjekë që realisht duhen testuar?
Përse duhet ta mbaj unë përgjegjësinë për mjekët e dobët? Unë mendoj që ka mjekë të dobët, pa diskutim, por nuk është faji im. Nuk ka lidhje nëse do përfitonin. Kush i ka përgatitur këta mjekë të dobët? Nëse ka mjekë të dobët, faji i kujt është? Kush e ka marrë në punë atë mjek? I kanë parë CV-në, kurrikulat këtij mjeku para se ta punësojnë? I kanë parë performancën? Atëherë përse duhet të mbaj unë përgjegjësi kur një drejtues institucioni ka punësuar padrejtësisht mjekë të dobët? Flasim për institucionet terciare ose që kanë peshë të madhe. Një pjesë e mirë e drejtuesve çfarë të shkuare, çfarë përvoje kanë? A janë ata të aftë të njohin personelin e tyre? A janë ata të bindur për personat që marrin në punë? Një pjesë e drejtuesve nëpër institucione nuk janë fare mjekë. Si është bërë punësimi i këtyre drejtuesve?
Pse nuk e shikoni testimin si një mënyrë që do të shërbejë të bëjë këtë diferencim midis të aftëve dhe të paaftëve? Mos ndoshta ministria e ka menduar në këtë formë provimin?
Po ministria vetë i ka bërë drejtora këta. Drejtuesit nuk i zgjedh populli, nuk i zgjedhin stafet. Drejtuesit janë politikë! Në spitale akoma vazhdojnë të futen njerëz të cilët kanë një background politik, dhe jo profesional. Për sa kohë që politika nuk do të heqë “duart” nga emërimet e personelit nëpër spitale me të shkuar politike dhe me prejardhje politike, ne gjithmonë do të kemi prurje të dobëta nëpër spitale. Duhet të ndryshojë sistemi!
Ministri në Komisionin e Shëndetësisë deklaroi se këtë nismë e ka mbështetur OBSH-ja…
Unë mendoj se kjo është një nismë shumë e nxituar edhe e keqkonsultuar nga stafet e ministrisë, të cilët merren me projektimin e politikave shëndetësore.
E para, para 5 vitesh mjekët u detyruan t’i nënshtrohen një procesi kreditimi, i cili nuk ka përfunduar dhe ne ende nuk dimë se cilat janë rezultatet e kësaj politike shëndetësore që na u detyrua para 5 vjetësh. Le të presim rezultatet. Detyra e Ministrisë së Shëndetësisë është të hartojë politika shëndetësore, dhe jo të kontrollojë performancën akademike të mjekëve. Ka struktura të caktuara që janë të angazhuara të merren pikërisht me atë gjë. Një mjek është i kontrolluar nga vendi ku punon dhe nga performanca që ai bën. Janë bordet shkencore të spitaleve të cilët duhet të çmyken. Duhet të dalin nga myku dhe të fillojnë të kryejnë funksionin e tyre. Bordet kontrollojnë performacën e mjekëve. Në borde janë titullarët të cilët shumë mirë mund të kontrollojnë performancën e mjekut duke parë si është performanca e tij klinike, cilat janë problematikat që ai ka pasur në një vit, duke filluar me komplikacionet, rastet e vështira dhe si i ka përballuar këto raste, sa është mortaliteti i këtij mjeku tek pacientët, sa ka investuar mjeku te vetja.
Ka mjekë shumë të mirë, por nuk mund të investojnë tek vetja, sepse nuk kanë ekonomi. Nuk duhet t’i lihet gjithçka në dorë mjekut. Vetë spitali duhet t’i stimulojë këta mjekë të mirë, t’i stimulojë ata që të marrin pjesë nëpër evente të ndryshme, konferenca, kongrese etj. Personeli i dobët dhe problematik duhet të thirret, t’i tërhiqet vëmendja dhe t’u lihen detyra. Nëse performanca e dobët vazhdon, atëherë janë bordet e spitalit që japin një impakt për gjithsecilin.
Përmendët konferencat, kongreset… sa prej tyre mundësohen nga ministria?
Asnjë!
Sistemi i krediteve nuk mund të konsiderohet dhe aq ndershëm për sa kohë që një pjesë e mirë e mjekëve i blejnë kreditet…
Atëherë përse nuk kontrollohen këto organe që shesin kredite? Pse nuk gjobiten? Pse nuk merren masa të rënda kundër atyre që japin kredite false?
Nga raportin e fundit të ISHP-së doli se në QSUT janë futur një teknologji e avancuar, por mjekët nuk janë të përgatitur që ta vënë në punë. Kjo u numërua si një arsye tjetër se pse mjekët duhet t’i nënshtrohen provimit…
E ka nisur mbrapsht ministri. Se në radhë të parë personeli trajnohet. Përgatitet personeli për t’i paraprirë kësaj teknologjie si në të gjithë botë. Nuk mund të testosh mjekun pse ai nuk di imazheri të avancuar kur nuk e ka bërë në specializim, as në fakultet, sepse nuk kanë ekzistuar. Nuk është faji i mjekut. Shkenca ecën, mjekësia vazhdon, mjeku duhet trajnuar.
Nëse në QSUT kanë sjellë teknologji të avancuar, pse nuk shoh asnjë lloj teknologjie në Spitalin Universitar të Traumës? Ndërkohë që spitali i Kukësit e ka skanerin me 128 procesor, akoma Spitali i Traumës punon me një skaner me 2 procesor, në një kohë që ky spital mban traumat e gjithë Republikës, trauma shumë të rënda, raste shumë të vështira. Nuk bëhet fjalë as për skaner të mirë, as për rezonancë. Këto janë dy shtyllat e imazherisë së avancuar. Të mos flasim për aparatura si akseleratori që nuk kemi për t’i parë ndonjëherë.
Nuk keni frikë nga “kundërsulmi” i ministrisë?
Jo. Unë e njoh Ministrinë e Shëndetësisë, sepse posti që kam pasur dikur të cilin (dua ta bëj publik) jam dorëhequr për shkak të mosdakordësisë që kam pasur me instancat drejtuese. Unë jam një person që kam investuar fort për cilësinë e punës sime dhe nuk lejoj që të punoj me njerëz me performancë të ulët.
Ka shumë me performacë të ulët?
Ka!
Të gjitha forcat politike, grupet e interesit kanë dalë kundër këtij provimi. Në kushte të tilla, a mund të konsiderohet personale kjo nismë?
Kjo është një nismë personale e ministrit që ka gjetur mbështetjen e gjithë Komisionit të Shëndetësisë. Si kurrë më parë një ministër në çfarëdolloj posti të jetë, nuk është kundërshtuar aq fuqishëm nga komisioni i vet, nga Urdhri i Mjekut, Urdhri i Infermierit, Urdhri i Stomatologut, Urdhri i Infermierit. Shumë shpejt do të dalë dhe Avokati i Popullit për të shprehur kundërshtinë e tij. Në 24 vjet asnjë ministër nuk është kundërshtuar kaq fort dhe kjo kërkon reflektim.
Frikë ka i paafti. I afti nuk ka frikë. Unë në profesionin tim jam përpjekur të jap maksimumin. Nuk jam përfshirë asnjëherë në proceset politike pasi jam përpjekur të ndjek linjën e profesionalizmit shëndetësor dhe mjekësor. Kam investuar tek vetja.
Arritja më e madhe e këtyre viteve është demokracia. Ne jetojmë në një vend të lirë ku me të drejtë themi mendimet, shprehim pakënaqësitë, ashtu sikurse duhet të dëgjojmë, duhet të perceptojmë dhe të analizojmë. Nuk kemi kohë të humbasim në shëndetësi, kemi humbur shumë vite duke heshtur.
Çfarë kërkojnë sot mjekët shqiptarë nga ministri?
Ne kërkojmë një ministër për mjekët dhe për sistemin shëndetsor. Nuk duam një ministër të vetvetes. Ka ardhur koha që seriozisht dhe fuqishëm kjo qeveri të kthejë sytë nga shëndetësia dhe nga problemet që ka ajo.
Spitali sot është pa ngrohje dhe pa ujë. Për mua, para atij testimi ministria të zgjidhë këto gjërat elementare. Është absurde sepse pacientët po plevitosen nëpër shtretërit e tyre dhe duhet të sjellin nga shtëpia ujë për të shpëlarë tualetet. Këto janë gjëra banale dhe absurde për një mjekësi të 2015-s. Të sigurohen kushte për pacientët, sepse boll kanë vuajtur në këto vite të tëra ku me shëndetësinë nuk u mor askush. Të krijojë kushte për mjekët. Mjekët nuk mund të punojnë me kushtet e kohës së Enverit, këtu e 30 vjet më parë. Mjekët e kanë lënë këtë kohë. Ata janë trajnuar dhe kanë më tepër njohuri, por këtu nuk mund ta implementojnë sepse këtu nuk ka kushte, nuk ka infrastrukturë diagnostike, nuk ka salla të mirëpajisura që të shprehim atë që kemi mësuar. Edhe trajnimet që bëjnë mjekët jashtë, humbasin.
A do të dorëhiqet Beqaj?
Në këtë vend nuk më çudit asgjë. Dhe nëse nuk tërhiqet, nuk çuditem. E kam studiuar klasën politike për vite të tëra. Kam parë që klasa politike e ka të vështirë të tërhiqet nga vendimet që merr. Klasa politike përfshirë edhe ministrin, e ka të vështirë të bëjë kompromis dhe të bashkëpunojë. Klasa politike e sheh popullin nga maja e piramidës. Harron që një ditë nuk do të jetë më në majë.
Ka mjekë që janë treguar pozitiv përsa i përket testimit.
Janë mjekë që kanë qenë gjithnjë palë me pushtetin. Por ata mjekë janë vetëm një pikë e vogël uji në oqeanin e madh të mjekëve që performojnë në Republikën e Shqipërisë.
Ju do të futeni në testim?
Jo!
Po nëse Beqaj merr masa ndaj jush?
Le ta marrë Beqaj vendin tim të punës, por nuk më merr dot duart që më puthen çdo ditë nga pacientët e mi. Ministri sot është, nesër jo. Mjekët do të jenë gjithmonë.
Po nëse testimi bëhet dhe Beqaj tregon që ka të drejtë?
Rezultatet janë subjektive. Nuk mund të vlerësosh nga testimi teorik tërësinë e mjekut dhe performancën praktike të tij. Thuhet që do të bëhet edhe testimi praktik. Si mund të bëhet? Atëherë unë do të nxjerr disa raste pacientësh që më është dashur t’i zgjidh dhe që s’i kam parë gjëkundi. Do t’jua jap atyre që do të më testojnë. Nëse ata do të arrijnë t’i zgjidhin, unë do të hyj në provim, në të kundërt, të lënë detyrat.


