Mungesa e gjumit, zgjedhja e ushqimeve të papërshtatshme, mbajtja e dietave, kafetë e tepërta gjatë ditës, etj, njihen si nxitësit kryesor të lodhjes së organizmit. Lodhja përshkruhet si paaftësia e të vazhduarit të bërjes me ritëm të njëjtë të aktiviteteve tona të përditshme. Në pjesën dërrmuese të rasteve lodhja fare mirë mund të reduktohet, kjo nëse tregohemi të kujdesshëm në mbajtjen e shtatë rregullave të thjeshta që janë pjesë e pandashme stilit tonë të përditshëm të jetesës. Në vijim të shkrimit gjeni përshkrimin më të detajuar për secilin prej tyre.
Në përgjithësi lodhja, si dhe mungesa e përqendrimit në kryerjen e aktiviteteve tona të përditshme shfaqet si rrjedhojë e pamjaftueshmërisë së gjumit që bëjmë. Nëse nuk kemi bërë një gjumë të rehatshëm, si dhe kur nuk plotësojmë orët e mjaftueshme që i duhen organizmit për të funksionuar normalisht, atëherë vihemi përballë një dite stresuese, e të lodhshme. Sipas bluzave të bardha, për të rriturit, organizimi ka nevojë për të paktën 6-8 orë gjumë çdo ditë. Por, ajo që konsiderohet edhe si një tjetër këshillë shumë e rëndësishme, është fakti se mund të bëhen orët e gjumit, por nëse nuk vendoset një rutinë e rregullt, atëherë sërish do të kemi probleme me lodhjen e organizmit. Në këto kushte, edhe oraret e gjumit duhet të ndjekin njëfarë rregullsie.
Parregullsia në të ngrënë, masat që duhen marrë
Ushqimi na siguron energji dhe përbërës të domosdoshëm që ndihmojnë në procesin e rritjes dhe rinovimit të indeve dhe qelizave që përbëjnë organet jetësore. Proteinat, karbohidratet dhe yndyrat janë përbërësit bazë të dietës ushqimore, pa të cilat organizmi ynë nuk mund të funksionojë siç duhet. Mosplotësimi i rezervave të duhura ditore, që ka të bëjë me ngrënien e paktë, po në raste të caktuara edhe konsumi i produkteve të papërshtatshme dhe që mbingarkojnë punën e organizmit, na bën të ndihemi më të lodhur. Shpesh femrat që janë të prirura rreth dietave, përballen me këtë lloj lodhje. Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme mbajtja e një diete të ekuilibruar, përmes të cilës plotësohen të gjitha kërkesat e organizmit për glukozë, pasi rënia e nivelit të glukozës në gjak, është një ndër shkaktarët e shpeshtë të lodhjes dhe dobësisë së përgjithshme trupore. Mëngjesi i rregullt është një ndër pikënisjet më të mira, e që nuk duhet neglizhuar në këtë drejtim.
Anemia shton lodhjen
Anemia është gjithashtu një ndër shkaqet e shpeshta që e favorizon lodhjen e organizmit. Më e pranishme kjo ndjesi shfaqet tek femrat, e kryesisht tek ato që janë në periudhën e shtatzanisë. Kjo listohet si një ndër shkaqet më të shpeshta që shfaqet tek femrat, edhe për shkak të humbjes së gjakut menstrual, çka ndikon më pas në thellimin e deficitit të jonit të hekurit, duke pakësuar rruazat e kuqe që shërbejnë për transportin e oksigjenit në inde. Këto të fundit duke mos marrë sasinë e duhur të oksigjenit nuk funksionojnë normalisht, e për rrjedhojë ndjejnë lodhjen.
Dëmet që vijnë nga kafetë e tepërta
Të pish disa kafe në ditë dhe të ndihesh i lodhur. Po, ndodh edhe kështu. Specialistët e shëndetësisë e rendisin kafen si një ndër faktorët më të shpeshtë që ndikon në shtimin e lodhjes. Por, kjo nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga të pirit kafe, që të mos ndihemi të lodhur. Thjesht të mos e teprojmë me sasinë që duhet konsumuar gjatë ditës. Kjo pasi kafeina në doza të reduktuara mund të përmirësojë përqendrimin dhe vemendshmërinë ndaj të bërit të gjerave që ne duam. Ndërkohë që në rastet kur teprohet me konsumin e saj, shfaqen probleme pasi kafeina në doza të mëdha ndikon në rritjen e ritmit të zemrës, tensionit të gjakut, shton nervozizmin dhe ndjesinë e lodhjes. Ndaj më e mira për adhuruesit e kafesë, është që të veprojnë gradualisht në pakësimin e konsumit të saj, si dhe produkteve të tjera si çaji, çokollatat, etj. Nuk këshillohet lënia e menjëhershme e tyre, pasi efektet do të jenë të kundërta me ato që ne duam të arrijmë, duke shtuar edhe më shumë dozat e lodhjes.
Hipotiroidizmi
Mbajtja nën kontroll e metabolizmit realizohet përmes gjëndrës funksionale të tiroides. Në rast se kjo e fundit përballet me probleme në funksionimin normal të saj, atëherë personi do të ndjehet i lodhur, teksa manifeston vështirësi në përqendrimin që nevojitet për kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Kjo ndjesi do të shoqërohet edhe me shtim të shpejtë të peshës trupore. Për rastet kur dozimi i tiroides shfaqet në nivele të ulëta atëherë është e domosdoshme që të veprohet me zëvendësimin e saj përmes trajtimeve të ndryshme specifike, që rregullojnë balancën e kësaj gjëndre. Në të kundërt problemet do të jenë shumë të mëdha.
Diabeti
Lodhja manifestohet më së shumti tek një kategorie e caktuar personash, siç janë diabetikët. Shpesh herë tek kjo kategori pacientësh edhe pse mund të përmirësohet dieta ushqimore, organizmi nuk arrin të përthithë siç duhet glukozën e nevojshme, e cila u jep energji indeve. Në përgjithësi tek kjo kategori pacientësh këshillohet që të ndryshohet stili i jetesës, si dhe dieta ushqimore e ndjekur, e shoqëruar me ushtrime fizike, në mënyrë që këto probleme të mos jenë të dukshme, duke i lejuar qelizat të marrin energjinë e duhur për të funksionuar normalisht.
Infeksionet urinare dhe dehidrimi
Infeksionet urinare dhe pakësimi i ujit në organizëm janë të tjera shkaqe të shpeshta që ndikojnë në shtimin e lodhjes. Bluzat e bardha argumentojnë se në të shumtën e rasteve mjafton shfaqja e një simptome të vetme të një infeksioni urinar, për të ngarkuar organizmin me lodhje. Në këto raste mjafton kryerja e një testi të thjeshtë, që na ndihmon që të trajtojmë në kohë infeksionin urinar, e për pasojë edhe lodhjen. Gjithashtu duhet të dimë që lodhja është një ndër shenjat më të dukshme të mungesës së lëngjeve në organizëm (shfaqet përmes dehidrimit). Marrja e të paktën dy apo tre gotave ujë në një orë, sidomos gjatë ditëve të nxehta, është e nevojshme për të luftuar lodhjen që shfaqet si rrjedhojë e mungesës së lëngjeve në organizëm.
